Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Më 8 nëntor 2021 u mbushën 100 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe.

Britania e Madhe ishte një ndër nënshkrueset e vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 29 korrik 1913, që njohu shtetin e pavarur shqiptar në kontrollin e 6 Fuqive të Mëdha dhe përcaktoi kufijtë politikë të tij. Përfaqësuesi britanik ishte pjesë e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit tek i cili dorëzoi qeverisjen e vendit Ismail Qemali, në fund të vitit 1913, në zbatim të vendimeve të Konferencës. Gjithsesi, Londra zyrtare nuk arriti të njihte zyrtarisht qeverinë e Princ Vidit (mars-shtator 1914) për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore dhe kthimit të vendit në arenë përplasjesh të ushtrive të huaja. Princ Vidi u largua nga Shqipëria dhe vendi mbeti pa qeverisje.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Konferenca e Paqes në Paris (1919-1920), mori në shqyrtim përsëri statusin e shtetit shqiptar dhe kufijtë e tij territoriale. Pas debatesh dhe projektesh të ndryshme për Shqipërinë të cilat kërcënonin edhe ekzistencën e shtetit shqiptar, falë ndërhyrjes së Presidentit amerikan W. Wilson, çështja shqiptare u la të diskutohej në një takim më të ngushtë të katër shteteve që drejtonin punimet e Konferencës së Paqes, Anglia, Franca, Italia e Japonia. Çështja shqiptare do ishte objekt trajtimi nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris, 1921, e cila shqyrtoi çështjet e pazgjidhura nga Konferenca e Paqes. Ndërkohë në këtë Konferencë, Shqipëria paraqitet me pozita më të forta ndërkombëtare. Falë mbështetjes së drejtpërdrejtë të Londrës zyrtare kërkesa e qeverisë shqiptare për të anëtarësuar Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve u pranua në dhjetor 1920, edhe pse akoma nuk ishin përcaktuar statusi dhe kufijtë territoriale të shtetit shqiptar.

Diskutimi i çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve zgjati përgjatë vitit 1921, dhe kjo situatë pengoi njohjen e qeverisë shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjës, janar 1920 e si pasojë nuk mund të kishte vendosje të marrëdhënieve diplomatike me shtetet e tjera. Kërkesat e qeverisë shqiptare drejtuar kancelarive kryesore evropiane ku kërkohej njohja e saj dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë nuk merrnin përgjigje pozitive pa u shprehur më parë Konferenca e Ambasadorëve për këtë çështje. Gjatë punimeve të kësaj konference delegacioni anglez mbështeti projektin e Shqipërisë së 1913, në status juridik dhe integritet territorial. Këtë qëndrim ajo e mbështeste me fakte që vinin nga gjendja e brendshme në Shqipëri të cilat i raportonte i dërguari jozyrtar i His Majesty Government (HMG) diplomati i vjetër, Harry Eyres. Ndërkohë, edhe qeveria shqiptare kishte dërguar përfaqësuesin e saj jozyrtar në Londër Mehmet Konica, i njohur për prirjet e tij filoangleze i cili lobonte për një trajtim të drejtë të çështjes shqiptare në Konferencë.

Më 5 nëntor 1921 Konferenca e Ambasadorëve në Paris mori vendimin final për Shqipërinë, statusin dhe kufijtë e shtetit shqiptar. U vendos që ky vendim të bëhej publik më 9 nëntor 1921. Një ditë para, pra më 8 nëntor 1921, me udhëzimin e Foreign Office, Eyres i paraqiti qeverisë shqiptare notën zyrtare që konfirmonte njohjen e saj nga ana e HMG. Në janar 1922 Harry Eyres u emërua si Ministër Fuqiplotë dhe i Jashtëzakonshëm i Britanisë së Madhe në Shqipëri. Në mars 1922 edhe qeveria shqiptare emëroi Mehmet Konicën si Ministrin e saj të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Londër.

Legata britanike ishte e vendosur në Durrës (1922-1939)

Marrëdhëniet e vendosura më 8 nëntor 1921 u ndërprenë për shkak të Luftës së Dytë Botërore, pushtimit fashist të Shqipërisë dhe shkrirjes së shërbimit të jashtëm shqiptar. Për shkak të rrethanave politike që pasuan përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ato u rivendosen më 29 maj 1991.

Nota britanike e njohjes