Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

18 shkurt 1922 mbushen 100 vite nga vendosja e marrëdhënieve të shtetit shqiptar me Republikën e Austrisë.

Republika e Parë Austriake u krijua pas nënshkrimit të Traktatit të Saint-Germain më 10 shtator 1919, si pjesë e sistemit të traktateve të paqes të nënshkruara pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Kjo luftë i dha fund perandorisë austro-hungareze. Kushtetuta e Republikës u miratua më 1 tetor 1920. Ndërkohë për Shqipërinë, anëtarësimi i saj në Lidhjen e Kombeve 1920 dhe vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në nëntor 1921 për njohjen e statusit dhe kufijve të saj, hapi rrugën e njohjeve ndërkombëtare të qeverisë shqiptare dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Pas tre –katër njohjeve të para nga shtetet pjesëmarrëse në Konferencë, krizat e shpeshta qeveritare të dhjetorit 1921, ku brenda muajit u ndërruan 5 kabinete qeveritare, ndaluan njohjet e tjera të qeverisë. Qeveria federale e Republikës së Austrisë e vonoi njohjen e saj deri më 18 shkurt 1922. Në notën dërguar qeverisë shqiptare, ajo deklaroi zyrtarisht se njihte Shqipërinë si shtet sovran dhe të pavarur, duke shprehur dëshirën për të forcuar dhe konsoliduar marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve.

Konsulli i Parë i qeverisë shqiptare në Vjenë u emërua Dr. Gjergj Pekmezi në 1922, i shkolluar në Austri, i cili me autorizim të qeverisë shqiptare kishte hapur edhe Zyrën e parë të pasaportave për shqiptarët në Vjenë, para se të njihej qeveria. Ai do ta kryente detyrën e konsullit deri në tetor 1924, kur u zëvendësua nga Dr. Nush Bushati, i doktoruar në Vjenë. Në vitet në vijim ai u pasua nga Çatin Saraçi e më pas Kol Rrota deri në vitin 1939, por tashmë në pozicionin e Konsullit të Përgjithshëm.Ndërkohë, Austria do të përfaqësohej nga Konsulli i saj i Nderit në Shkodër z. Stefan Curani që nga viti 1923. Pas dorëheqjes së Stefan Curani, në vitin 1932 si konsull nderi i Austrisë , në këtë pozicion emërohet Aleksandër Hobdari me qëndrim në Tiranë dhe në shtator 1935 ai u zëvendësua nga Asim Abdurrahmani në pozicion Kryekonsull Nderi i Austrisë po në Tiranë deri në vitin 1939.

Në fund të vitit 1930, Dr. Othon Gṻnther i paraqiti mbretit Zog I të Shqipërisë kredencialet e tij si i pari i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë i Republikës së Austrisë në Shqipëri, me qëndrim në Athinë, i pasuar në vitin 1933 nga M.Lothaire Wimmer.

Në vitin 1931 u krijua në Vjenë Shoqata Austri-Shqipëri, e cila do të luante një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në të njëjtin vit u nënshkrua marrëveshja e parë mes dy vendeve, konkretisht “Konventa për heqjen reciproke të regjimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë”.

Në nëntor 1937, Egon Berger Waldenegg i dorëzon letrat kredenciale Mbretit Zog I si i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë i Austrisë në Shqipëri me qëndrim tashmë në Romë, si rezultat i rritjes së prezencës nacionaliste në Austri dhe animit të saj drejt Boshtit Romë-Berlin-Tokio që po konsolidohej.

Për shkak të zhvillimeve të reja politike dhe ushtarake gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, marrëdhëniet midis dy vendeve u ndërprenë, për tu rivendosur në vitin 1956.

Marredheniet-me-Republiken-e-Austrise