Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Britania e Madhe ishte shteti i parë që njohu qeverinë shqiptare pas vendimit përfundimtar të Konferencës së Ambasadorëve, nëntor 1921. Pas saj pasuan shtetet e tjera. Më 22 janar 1922 u hap legata e Britanisë së Madhe në Durrës. Ministri i parë i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Qeverisë së Madhërisë së Tij u emërua Harry Eyres, diplomat i karrierës që e njihte mirë Ballkanin. Në fakt Eyres kishte qëndruar në Shqipëri si i dërguar jozyrtar i Britanisë së Madhe gjatë gjithë vitit 1921, gjatë kohës që në Paris zhvillonte punimet Konferenca e Ambasadorëve. Ai mblidhte fakte e opinione në terren lidhur me shtrirjen e autoritetit të qeverisë së re shqiptare dhe gjendjen e pushtimit të territoreve shqiptare nga ushtritë e huaja. Eyres njoftonte Foreign Office që kjo e fundit të formulonte qëndrime politike për delegacionin e saj në Paris sa më afër realitetit shqiptar.

Nderkohe, edhe qeveria shqiptare kishte dërguar në Londër përfaqësuesin e saj jo zyrtar, Mehmet bej Konicën, gjatë vitit 1921. Qëllimi i qëndrimit të tij në Londër ishte lobimi pranë qarqeve zyrtare britanike, miqve të Shqipërisë, politikanë e diplomatë, për të vërtetën e çështjes shqiptare dhe njohjen e statusit të pavarur dhe kufijtë politike të shtetit shqiptar të përcaktuar në 1913.

Mehmet bej Konica njihej për prirjet e tij anglosaksone dhe dëshirën për marrëdhënie të ngushta të Shqipërisë me Britaninë e Madhe si një fuqi e madhe e kohës, e interesuar pas Luftës së Parë Botërore për ekuilibra gjeopolitike midis influencave të shteteve të tjera evropiane në rajon. Si e tillë, ajo mbështeste Shqipërinë e pavarur dhe integritetin e saj territorial si një shtet që zbuste rivalitetin italo-jugosllov e italo-francez në rajon . Qeveria shqiptare emëroi Mehmet bej Konicën si Ministër i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Londer si i pari përfaqësues diplomatik shqiptar pranë Qeverisë së Madhërisë së Tij në shkurt 1922.

Eyres dhe Konica kontribuuan që gjatë mandatit të tyre 1922-1925, marrëdhëniet shqiptaro-britanike të shënoheshin nga rekorde pozitive në disa fusha bashkëpunimi.

Emerimi i Eyres ne Shqiperi janar 1922 1

Emerimi i Eyres ne Shqiperi janar 1922 3

Emerimi i Eyres ne Shqiperi janar 1922 2

Kredencialet e Mehmet Komices si perfaqesues i pare i qeverise shqiptare ne Londer

Kredencialet e Mehmet Komices si perfaqesues i pare i qeverise shqiptare ne Londer