Shqipëria merr Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB, Kryeministri Rama dhe Ministrja Xhaçka nisen drejt SHBA-ve - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 30/05/2022

Shqipëria merr Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB, Kryeministri Rama dhe Ministrja Xhaçka nisen drejt SHBA-ve

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka nisen sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB (1 qershor – 30 qershor 2022).

Paraditen e 2 qershorit, kryeministri Rama do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, e theksuar edhe më shumë për shkak të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Vënia para përgjegjësisë e shkelësve të ligjit ndërkombëtar, qofshin shtete apo individë, kërkon bashkëpunim të fortë të gjithë shteteve paqedashëse, duke filluar me anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Debati i kryesuar nga KM Rama shënon fillimin e zbatimit të planit të punës të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Takimet e kryesuara nga KM Rama do të pasohen nga disa veprimtari të tjera shënjuese, përgjatë muajit qershor përfshirë në nivel Ministror, të tillë si:

-Debat i hapur drejtuar nga MEPJ Olta Xhaçka, mbi tematikën Gratë, Paqja dhe Siguria, me nën-temë “Roli i organizatave rajonale për zbatimin e GPS në situata trazirash politike dhe marrje pushteti me dhunë” (15 Qershor);

-Sesion informimi, drejtuar nga MEPJ Olta Xhaçka, mbi bashkëpunimin mes OKB dhe organizatave rajonale, ku do të ftohet Bashkimi Evropian  (16 qershor);

-Debat i hapur mbi Metodat e Punës të Këshillit të Sigurimit, drejtuar nga Ambasadori i RSH në OKB, NY (28 qershor).

Kjo është hera e parë që Shqipëria mban presidencën e KS gjatë mandatit të saj dyvjeçar në Këshill. Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023. Programi i punës i kësaj presidence ndërlidh më së miri përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, sic është lufta në Ukrainë.

Gjatë qëndrimit në Nju York KM dhe MEPJ do të priten në takime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres si dhe nga ambasadorja e SHBA pranë OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, takim ky në kuadër të bashkëpenësisë që Shqipëria dhe SHBA kanë lidhur me Ukrainën. Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA.