Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Portugalinë​

Portugalia ishte vend neutral gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shtet themelues i NATO-s, 4 prill 1949, ajo u anëtarësua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në të njëjtën valë zgjerimi të organizatës ku u përfshi edhe Shqipëria, në vitin 1955. Si një shtet anëtar i bllokut të Lindjes, Shqipëria nuk kishte kontakte politike e diplomatike me Portugalinë e cilësuar nga udhëheqja shqiptare e kohës si “shtet pro amerikan”. Gjërat ndryshuan pak pas daljes së Shqipërisë nga blloku lindor dhe prishjes së marrëdhënieve politike e ekonomike me Moskën zyrtare në 1961. Ambasadat shqiptare të akredituara në disa vende evropiane u udhëzuan që me diplomatët portugezë të mos mbanin qëndrim të prerë, madje t’u dërgoheshin edhe materiale njohëse për realitetin shqiptar. Kontaktet e para mes diplomatëve i ndeshim në janar 1965, në Vjenë. Ambasadori portugez i shpreh përfaqësuesit shqiptar atje simpatinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe politikën e jashtme të Shqipërisë jashtë blloqeve, informacion që i kaloi menjëherë Tiranës zyrtare.

Gjithsesi, ky sinjal u pasua nga një heshtje 5 vjeçare. Pikë e rëndësishme ku përplaseshin dy palët ishin qëndrimet e ndryshme ndaj çështjes së kolonive. Në politikën e jashtme në kohën që flasim, Portugalia mbronte të drejtat e saj të pronësisë në ish-kolonitë portugeze të cilat që nga viti 1951 zyrtarisht thirreshin provinca të jashtme. Ndërkohë qeveria komuniste shqiptare, bazuar në filozofinë e saj politike, mbështeste luftën e kolonive kundër ish-kolonizatorëve.

Në vitin 1970, përsëri përfaqësuesi portugez në Vjenë, i parashtroi përfaqësuesit shqiptar atje nevojën për marrëdhënie tregtare midis dy vendeve, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve diplomatike. Si argument theksohej fakti se Portugalia kishte marrëdhënie të mira tregtare me subjektet kineze, dhe me ato të vendeve të tjera socialiste, dhe dëshironte që një gjë e tillë të ndodhte edhe me Shqipërinë. Qëndrimi i qeverisë shqiptare ishte i moderuar. Ajo pranoi propozimin për shkëmbime tregtare me interes reciprok midis dy vendeve, por jo nënshkrimin e një marrëveshjeje tregtare, pa u qartësuar qëndrimet politike. Ky kusht bllokoi edhe shkëmbimet tregtare midis dy vendeve. Në vazhdën e kësaj logjike politike, Shqipëria refuzoi edhe ardhjen në Tiranë në vitin 1973 të tre arbitrave portugezë të caktuar nga Federata Botërore e Futbollit, për të arbitruar një ndeshje ndërkombëtare të Shqipërisë me Rumaninë.

Në prill 1974 në Portugali ndodhi një grusht shteti që përmbysi regjimin autoritar të Caotano, duke i hapur rrugë Republikës së Tretë dhe një regjimi më demokratik brenda vendit dhe në marrëdhëniet me ish-kolonitë. Ndërkohë në Shqipëri mbërrinin kërkesa nga kompani tregtare portugeze, apo institucione shkencore për bashkëpunim me Shqipërinë, por qëndrimi i MPJ formulohej “të mos ngutemi, të presim edhe pak”.

Ndërkohë po rritej interesimi i Portugalisë për vendet e Mesdheut, dhe Shqipëria cilësohej prej tyre si një faktor me rëndësi në këtë rajon. Gjatë vizitave të MPJ portugez M. Soares në Bukuresht, janar 1975, e në Beograd, gusht 1975, ministri kërkoi ndërhyrjen e këtyre vendeve mike pranë qeverisë shqiptare për të transmetuar dëshirën e Portugalisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë në kuadër të zgjerimit të marrëdhënieve me vendet socialiste. Përsëri nga pala shqiptare u vendosën kushte politike, “lënia e lirë e kolonive dhe e popujve të tyre”. Ndërkohë filluan të pranohen turistë portugeze për të vizituar Shqipërinë, duke u dhënë viza nëpërmjet ambasadës shqiptare në Paris.

Ndryshimet politike në Portugali, nxitën qeverinë shqiptare nga mesi i vitit 1976 të rishqyrtonte qëndrimin e saj ndaj propozimit të vazhdueshëm të palës portugeze për vendosjen e marrëdhënieve Diplomatike. Propozimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë u përcoll edhe nga ambasadori portugez në Paris në fillim të vitit 1977. Më 16 qershor 1977 qeveria shqiptare nëpërmjet ambasadorit të saj në Paris njoftoi ambasadorin portugez se ishte dakord të bisedohej për këtë çështje me palën portugeze dhe procesi të përfundonte me një komunikatë të përbashkët publike për dy vendet. Qeveria portugeze ktheu përgjigje po nëpërmjet ambasadorit të saj në Paris më 19 qershor se ishte dakord me mënyrën e procedimit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadori, pa nevojën e bisedimeve. Ata ishin dakord edhe me përmbajtjen e propozuar të komunikatës. Portugalia do ta mbulonte Shqipërinë nga Beogradi, ndërsa Portugalia do të mbulohej nga Parisi. Dy ambasadorët në Paris ranë dakord që deklarata të shpallej njëkohësisht në dy vendet më 21 qershor në darke në radio, dhe në shtypin e ditës më 22 qershor.