Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Luksemburgun, 15 shkurt 1972

Më 15 shkurt 1972 u rivendosën marrëdhëniet diplomatike me Luksemburgun, pjesë e vendeve Beneluks, dy vite pas vendosjes së tyre me Belgjikën dhe Holandën.

Në fakt interesimi i qeverisë shqiptare të kohës filloi pak ditë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Belgjikën (13.11.1970) dhe një ditë para vendosjes së tyre me Holandën (18.11.1970). Në fillim të viteve ’70 të shekullit XX, Shqipëria komuniste kishte hyrë hapur në rrugën e tensioneve ideologjike e politike në marrëdhëniet me Kinën, gjë që do të sillte pasoja të mëdha në ekonominë shqiptare. Qeveria shqiptare e kohës ishte në kërkim të shtigjeve të reja në zgjerimin e hartës së vendeve me të cilat të kishte marrëdhënie diplomatike pa prekur kornizën e saj ideologjike.

Më 17 nëntor Ministri i Jashtëm Malile i kërkoi ambasadorit shqiptar në Paris të bisedonte me ambasadorin e Luksemburgut atje për çështjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, meqenëse kishin dijeni nga shtypi se vendet e Beneluksit kishin vendosur bashkërisht lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Komunikimi mes ambasadorëve ndodhi në dhjetor 1970 dhe përfaqësuesi i Luksemburgut mori përsipër t’ia transmetonte këtë kërkesë qeverisë së tij. Sipas tij, nuk mendonte se do të kishte probleme në këtë çështje për sa kohë ishin vendosur marrëdhëniet me Belgjikën dhe Holandën.

Përgjigja zyrtare nga ambasada e Luksemburgut në Paris erdhi më 17 prill 1971. Në notën e ambasadës thuhej se qeveria e Luksemburgut ishte e mendimit se nuk ishte e nevojshme të procedohej me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, meqenëse ato marrëdhënie nuk kishin qenë asnjëherë të ndërprera, pra ekzistonin (Luksemburgu e kishte njohur shtetin shqiptar në 1922 –P.T). Në notë vazhdohej se: Shqipëria mund të akreditonte si ambasador në Luksemburg një diplomat me rezidencë në një kryeqytet tjetër, ndërsa ambasadori i Holandës në Tiranë mund të mbronte edhe interesat diplomatike të Luksemburgut, kjo në bazë të marrëveshjes së Hagës 1964 midis dy vendeve sipas të cilës Luksemburgu përfaqësohej diplomatikisht në shumicën e rasteve nga Holanda. Belgjika mbulonte interesat ekonomike të Luksemburgut aty ku kishte të tilla dhe nuk kishte përfaqësi të tij.

Menjëherë reagoi qeveria shqiptare. Në përgjigjen zyrtare, 23 prill 1971, thuhej se pas çlirimit të vendit për shkak të ndryshimeve të mëdha që kishin ndodhur në Shqipëri, RP e Shqipërisë kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me çdo vend të interesuar pavarësisht se të tilla marrëdhënie mund të kishin ekzistuar edhe në periudhën e mëparshme (vendimet e Kongresit të Përmetit 1944 – P.T). Palët përherë kishin rënë dakord –vazhdonte përgjigja- duke botuar një komunikatë të përbashkët në të njëjtën ditë në shtypin e vendeve respektive. Kështu kishte ndodhur edhe me Belgjikën e Holandën.

Pa marrë në konsideratë këtë përgjigje, më 28 maj 1971 Ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut iu drejtua me një letër zyrtare Ministrit Malile, nëpërmjet të cilës përcillte tekstin e marrëveshjes së vitit 1964 me Holandën. Përsëri në rreshtat e saj letra presupozonte ekzistencën e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Përballë këtij qëndrimi Tirana zyrtare u përgatit për dy variante në përmbajtjen e komunikatës së përbashkët; “vendet vendosen marrëdhënie diplomatike” dhe “vendet konfirmojnë ekzistencën e marrëdhënieve diplomatike”.

Ministri Malile e diskutoi këtë çështje me MPJ e Luksemburgut në shtator 1971 në kuadër të takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB dhe mori një miratim nga ana e këtij të fundit.

Megjithatë, në janar 1972 ambasada e Luksemburgut në Paris përcolli një notë tjetër zyrtare të qeverisë së saj, sipas të cilës shprehej dakordësi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por pa bërë komunikatë në shtyp. Sipas praktikes së tyre, njoftim në shtyp bëhej vetëm kur ambasadori i tyre paraqiste letrat kredenciale gjë që nënkuptonte se ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike midis vendeve. Në notë theksohej gjithashtu se Luksemburgu nuk pengonte qeverinë shqiptare të bënte një komunikatë të tillë në shtypin shqiptar nëse ajo dëshironte. Ambasadori Malo kërkoi shpjegime përse ky ndryshim praktike nga Belgjika e Holanda. Ambasadori i Luksemburgut sqaroi se kjo lidhej me arsyet e politikës së brendshme në vendin e tij. Për shkak të ekzistencës së një spektri të gjerë forcash politike, kundërshtare njëra me tjetrën, në Luksemburg, qeveria e vendit përpiqej të mbante ekuilibër midis tyre. Ajo i vendoste marrëdhëniet diplomatike me të tjerët pa bërë shumë publicitet për to për të shmangur sulmet që do vinin pro e kundër nga forca të ndryshme politike në vend. Kjo nuk shkonte me politikat e brendshme dhe realitetin politik në Shqipëri.

Në këtë moment ishte ndërhyrja e qeverisë holandeze për të zgjidhur ngërçin midis dy palëve. Pas negociatave u ra dakord që të dilej me një komunikatë të përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Luksemburgut në nivel ambasadorësh. Luksemburgu do e mbulonte Shqipërinë nëpërmjet ambasadorit holandez në Beograd dhe në bazë të marrëveshjes së vitit 1964, nuk kërkohej agrement dhe nuk paraqiteshin letra kredenciale. Bisedimet tani vazhduan në Beograd midis përfaqësuesit të Shqipërisë dhe atij të Holandës. U ra dakord për publikimin e komunikatës në dy vendet më 15 shkurt dhe pas këtij publikimi Ministri i Jashtëm Malile duhej t’i kthente përgjigje zyrtare letrës së 28 maj 1971 të MPJ të Luksemburgut për të dhënë pëlqimin e tij për përfaqësimin e Luksemburgut nëpërmjet ambasadorit holandez në Beograd. Kjo procedurë ishte kërkesë e nenit 2 të marrëveshjes së vitit 1964.

Në mars 1972 ministri i punëve të jashtme, Nase, ktheu përgjigje zyrtare pozitive letrës së 28 majit 1971 dhe këtu përfundoi edhe procesi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, i cili fiksoi si datë 15 shkurt 1972, data e botimit të komunikatës së përbashkët. Shqipëria do e mbulonte Luksemburgun nga Parisi, njësoj si Belgjikën e Holandën, ndërsa ambasadori holandez në Beograd do mbronte edhe interesat diplomatike të Luksemburgut në Shqipëri.

Luksemburgu 1971

Luksemburgu 1972

Luksemburgu 1972-1

Luksemburg 1972