Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Vendosja dhe rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Lituaninë dhe Letoninë

Këtë vit u mbushën 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Lituanisë dhe 30 vite nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Letonisë.

Kur Lufta e Parë Botërore po i afrohej fundit, më 16 shkurt 1918 u nënshkrua Akti i Pavarësisë së Lituanisë nga Rusia bolshevike e cila kishte zëvendësuar Perandorinë Ruse që nga tetori 1917. Ky akt deklaronte krijimin e një shteti sovran të Lituanisë. Ndërmjet dy luftërave botërore, Shqipëria nuk vendosi marrëdhënie diplomatike me Lituaninë. Në vitin 1940, Lituania u pushtua në fillim nga Bashkimi Sovjetik dhe më pas nga Gjermania naziste. Kur Lufta e Dytë Botërore po i afrohej fundit, në vitin 1944 dhe gjermanët u tërhoqën, Bashkimi Sovjetik ripushtoi Lituaninë. Më 11 mars të vitit 1990, një vit para shpërbërjes zyrtare të Bashkimit Sovjetik, Lituania u bë republika e parë sovjetike që deklaroi pavarësinë, duke restauruar shtetin e pavarur të Lituanisë.

Shqipëria njohu pavarësinë e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë më 27 gusht 1991, duke qenë kështu ndër 20 vendet e para që njohën këto shtete. Që në nëntor 1991, Ministria e Punëve të Jashtme i propozoi qeverisë shqiptare që Tirana zyrtare të shprehej për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me këto vende për disa arsye (citohet dokumenti): “..interesa bashkëpunimi në planin bilateral, bashkëpunim në forumet ndërkombëtare, renditja e Shqipërisë në krah të SHBA e Gjermanisë që kishin qenë ndër të parat që kishin rivendosur marrëdhëniet me këto tre shtete, si dhe forcimi i imazhit të Shqipërisë si një shtet që aspiron e lufton për demokraci, liri dhe respektimin e vullnetit të çdo populli për vetëvendosje, në mbrojtje të së drejtës së kombeve të vegjël për pavarësi e sovranitet të plotë kombëtar.”

Mbi këtë argument, në 7 janar 1922, ambasada e Shqipërisë në Stokholm i dorëzoi notën përkatëse përfaqësuesve të tre republikave, ku propozohej vendosja e marrëdhënieve diplomatike me këto vende në nivel ambasadorësh. Më 20 janar 1992, ambasada lituaneze në Stokholm përcolli notën e MPJ lituaneze e cila i përgjigjej pozitivisht propozimit të palës shqiptare dhe sugjeronte që kjo datë (20 janar) të ishte edhe data e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Më 3 shkurt 1992, Ministria e Jashtme e Shqipërisë u shpreh dakord që data 20 janar 1992 të konsiderohej si datë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, dhe dy notat e shkëmbyera të shërbenin si marrëveshje dhe dokumente të mjaftueshme për këtë akt. Pala lituaneze për arsye protokollare, tërhiqet nga dhënia e dakordësisë dhe kërkon që nota e propozimit të palës shqiptare të vinte në emër të MPJ e të mbante vulën e saj, e jo të ambasadës shqiptare në Stokholm.

Nota e MPJ u përcoll nëpërmjet ambasadës shqiptare në Stokholm, më 12 shkurt 1992, tashmë me vulën e MPJ. Pavarësisht interesimit të vazhdueshëm të palës shqiptare, përgjigja nga MPJ e Lituanisë vonoi, mbase në pritje të përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Tiranë në mars 1992. Pala lituaneze u shpreh nëpërmjet notës së saj të 27 prill 1992, e përcjellë në ambasadën shqiptare në Stokholm më 30 prill 1992. Ky shkëmbim notash do të konsiderohej si marrëveshje midis dy vendeve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Republika e Letonisë u shpall më 18 nëntor 1918 kur u shkëput nga Rusia bolshevike dhe deklaroi pavarësinë pas Luftës së Parë Botërore. Në periudhën midis dy luftërave botërore, Letonia vendosi marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, duke akredituar në Tiranë më 3 prill 1928 Ministrin e saj Fuqiplotë e të Jashtëzakonshëm z.Pierre Seya, rezident në Romë. Marrëdhëniet diplomatike vazhduan edhe gjatë viteve ’30-të, derisa fati i dy vendeve në Luftën e Dytë Botërore i ndërpreu ato.

Pavarësia de facto e Letonisë u ndërpre në fillim të Luftës së Dytë Botërore duke filluar me pushtimin sovjetik, më pas atë nazist të vitit 1941 dhe më pas ri-pushtimin sovjetik më 1944, duke formuar Republikën Socialiste Sovjetike të Letonisë për 45 vitet e ardhshme.

Më 4 maj 1990, Letonia de jure shpalli Deklaratën e Restaurimit të Pavarësisë të Republikës së Letonisë, dhe më 21 gusht 1991 restauroi de facto pavarësinë e saj. Qeveria shqiptare njohu pavarësinë e Letonisë më 27 gusht 1991, dhe në 7 janar 1992 ambasada shqiptare në Stokholm i dërgoi notë ambasadës letoneze atje, nëpërmjet të cilës përcillej kërkesa e qeverisë shqiptare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Përfaqësuesi letonez në Stokholm konfirmoi përgjigjen pozitive të qeverisë së tij më 28 prill 1992, dhe u ra dakord që procesi të përmbyllej me nënshkrimin në ambasadën shqiptare të një Komunikate të Përbashkët midis dy ambasadorëve më 29 prill 1992, teksti i të cilës ishte dakordësuar më parë midis dy palëve. Kjo do të ishte edhe data e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Në respekt të historisë së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve ky akt duhej të ishte rivendosje e marrëdhënieve diplomatike, por ky fakt historik nuk u evidentua nga asnjëra pale, ndryshe nga e njëjta procedure me SHBA apo Britaninë e Madhe që rivendosën marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë pas fillimit të ndryshimeve politike në vend.

Tashmë të vërtetat historike janë pjesë e dosjes politike të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Nota shqiptare

Nota lituaneze

Komunikata e Përbashkët me Letoninë