Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Pranimi i Shqipërisë në NACC ( Këshilli  i Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut), gusht 1991 – qershor 1992.

 Gjysma e dytë e viteve 80-të të shek.XX shënoi një zbutje të tensionit Lindje-Perendim dhe fillimin e bisedimeve midis presidentëve amerikanë, Regan dhe Bush, me Mihail Gorbacov, kreu i BRSS, mbi mundësitë e frenimit të garës së armatimeve, konkretisht shkurtimin e armëve konvencionale dhe raketave me rreze të mesme veprimi. Shkrirja e akujve të Luftës së Ftohtë dhe kriza e thelle ekonomike dhe politike në BRSS,  u shoqërua me fillimin e tronditjes së rregjimeve komuniste në Evropën Lindore e Ballkan dhe transformimet politike në këto shtete duke u orientuar drejt demokracive liberale. Në këtë kuader të ri zhvillimesh edhe organizatat ndërkombëtare që kishin funksionuar në kuadër të bllokut perendimor si KSBE, TPE apo NATO rishikuan misionet e tyre dhe mbështeten përpjekiet e vendeve të Evropës Lindore e Qendrore drejt rruës së tyre evropianizuese.

Pas daljes nga Traktati i Varshavës, 1968, një aleancë ushtarake e bllokut të lindjes, Shqipëria nuk bëri pjesë në asnjë aleancë ushtarake gjatë Luftës së ftohtë, pjesë e vetëizolimit të saj. Ajo e shikonte me frikë dhe me frymë armiqesore NATO-n, si aleancë ushtarake e bllokut perendimor. Në gjysmën e dytë të viteve 80-të në kuadër të procesit të pashmangëshëm të hapjes ndaj perendimit, qeveria shqiptare filloi të interesohej edhe për pozicionin e NATO-s në këtë situate të re, ndryshimet në strategjinë e saj të sigurisë dhe vendin e Shqipërisë në këtë strategji. Shqiperia  si vend jashtë blloqeve dhe e pozicionuar në kufi të blloqeve, përbënte një pike shumë të rëndësishme pë NATO-n në strategjinë e saj të sigurisë. Gjatë një turneu në Evropë, dhjetor 1989, Sekretari i Shtetit Bejker, deklaroi se “..Perendimi duhej të krijonte një Evropë të re të mbështetur në një Atlantizem  të ri e se NATO  duhej të shndërrohej në një organ politik, i aftë për të ndërtuar një strukturë të re sigurimi për Evropën..”  Ambasadat shqiptare në vendet perendimore udhëzoheshin të merrnin informacion nëse këto deklarata ishin rezultat i bisedimeve Bush-Gorbaçov, dhe a flitej për Shqipërinë në takimet e NATO-s.

Pas pranimit të Shqipërisë në KSBE, qershor 1991, për Shqipërinë u krijuan mundësi të reja për të rritur interesin ekonomik ndaj saj dhe për të qenë pjesë e sigurisë evropiane në një botë të ekspozuar ndaj rreziqeve të reja pas shkrirjes së akujve të Luftës së Ftohtë mes dy blloqeve.

Në gusht 1991 nga NATO mbërrin  ftesa e parë për Shqipërinë, nëpërmjet ambasadës shqiptare në Romë, për të marrë pjesë në kurse të shkurtra të specializuara pranë strukturave  trajnuese të NATO-s në Itali e Gjermani për të gjitha vendet anëtare të KSBE, duke e konsideruar këtë “ ..një hap të mëtejshëm pozitiv në rrugën  për një hapje më të madhe, besim dhe mirëkuptim reciprok..”. Duke e konsideruar këtë moment “..si një ndryshim të politikës së NATO-s ndaj Shqipërisë”, në kushtet e ndryshimit të klimës politike në Evropë qeveria shqiptare miratoi pjesëmarrjen e ambasadorit të RSH në Romë në këtë aktivitet. Si vend anetare e KSBE Shqipëria mori pjesë në tetor 1991 edhe ne seminarin nderkombetar “NATO ne udhekryq” me fokus në ristrukturimin e sigurisë evropiane, të organizuar nga Aleanca.

Në nëntor 1991, në një takim të nivelit të lartë të NATO-s të mbajtur në Romë, u vendos krijimi i “Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut” ku do të merrnin pjesë 16 anëtare të NATO-s, 6 anëtarë të ish-Traktatit të Varshavës dhe tre shtetet balltike që sapo ishin shpallur të pavarura.  NACC ishte organizmi i parë që krijoi Aleanca për të vendosur marrëdhëniet me vendet që dolën nga rregjimet komuniste në Evropën Lindore e Qendrore. Mbledhja themeluese e tij do të mbahej me 20 dhjetor 1991 në Bruksel ku pritej të miratohej një deklaratë politike e përbashkët për të shënuar fillimin e një epoke të re partneriteti e të institucionalizohej marrëdhënia e këtyre vendeve me NATO-n. Jashtë këtij Këshilli kishin mbetur Shqipëria dhe vendet neutrale apo të paangazhuara. Në kuadër të synimit për vendosjen e marrëdhënieve me NATO-n qeveria shqiptare filloi përpjekiet në skenën diplomatike ndërkombëtare, aq sa ajo e kishte të mundur për kohën, që të përfshihej në këtë Këshill e të merrte pjesë në mbledhjen e 20 dhjetorit për të njohur klimën e re brenda organizatës.

Përgjigjia ishte negative. Në këtë takim vendet anëtare të NATO-s u shprehën se ”..kemi ndjekur nga afër zhvillimet në vendet e tjera të Evropës Qendrore e Lindore. Përshëndesim progresin e vazhdueshëm në drejtim të pluralizmit politik, respektimin e të drejtave të njeriut dhe ekonominë e tregut. Inkurajojmë këto vende të vazhdojnë reformat dhe të kontribuojnë në zbatimin e mëtejshëm të angazhimeve të KSBE dhe marrëveshjeve për kontrollin e armëve”.

Në shkurt 1992 një grup ushtarakësh të lartë nga Shqiperia morën pjesë në konferencën e organizuar nga NATO në bashkëpunim me qeverinë kanadeze “Roli i ushtarakut në shoqëritë demokratike”. Kjo pjesëmarrje u shfrytëzua për takime me përfaqësues të shteteve anëtare të NATO-s dhe me drejtues të Aleancës për të lobuar rreth pranimit të Shqipërisë në NACC në përputhje me ndryshimet pozitivie politike e ekonomike që po ndodhnin në Shqiperi. U premtua se një delegacion shqiptar  do të ftohej të merrte pjesë në mbledhjen tjetër të NACC në 1 prill 1992. Me 24 prill 1992 qeveria shqiptare iu drejtua me një letër NATO-s për pranimin e Shqipërisë ne NACC në takimin e Oslos qershor 1992.  Për takime e lobing me eksponentë të vendeve anëtare të Aleances shfrytëzoheshin edhe mbledhje të KSBE-se apo vizita në Shqipëri të autoriteteve të larta të vendeve antare.

Përpjekiet u intensifikuan pas zgjedhjeve të marsit 1992. Qeveria e re demokratike hyri në kontakte me zyrtarë të lartë të NATO-s duke lobuar për situaten e re politike në Shqiperi dhe nevojën e Shqipërisë për të qene pjese e NACC.

Ne takimin e 5 qershorit 1992 të NACC në Oslo, Shqipëria dhe Gjeorgjia u pranuan si anëtare të NACC dhe po atë ditë Sekretari i Përgjithshëm  i NATO-s Manfred Woerner (1988 – 1994), njoftoi zyrtarisht qeverinë shqiptare për vendimin e MPJ të vendeve anëtare të NACC. Ai i kërkoi Shqipërisë të shprehte miratimin e saj për deklaratat e NACC në takimet e 20 dhjetorit 1991, 10 marsit 1992, dhe 5 qershoruit 1992. Qeveria shqiptare u shpreh pozitivisht përsa kërkohej në letrën e 30 qershorit 1992 të kryeministrit shqiptar për Sekretarin e Përgjithshëm Woerner.  Që nga ky moment filluan përpjekiet për hapat e rradhës deri në  antarësimin e Shqipërisë në NATO.

Pranimi i Shqipërisë në NACC ( Këshilli i Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut),
gusht 1991 – qershor 1992.