Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Pas prishjes së marrëdhënieve miqësore me kinën e madhe komuniste në korrik 1978, e mbetur pa aleatë potencialë e të fuqishëm dhe jashtë blloqeve politike e ushtarake, Shqipëria në planin e brendshëm hyri në vet izolim dhe vështirësi të mëdha ekonomike, në planin e jashtëm ajo kthehet në agjendën e vëmendjes së shteteve perëndimore që nuk kishin akoma marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, një vend i vogël, por me një vendndodhje strategjike në gjeopolitikën e kohës. Në kancelaritë perëndimore diskutohej nëse Shqipëria në kushtet e shtrëngesës ekonomike mund të rikthehej tek BRSS e Moska. Kjo vëmendje nxitej e mbështetej nga Uashingtoni zyrtar si lider i bllokut perëndimor, me të cilin qeveria shqiptare ishte e prerë në qëndrime. Një ndër këto shtete ishte edhe Britania e Madhe, marrëdhëniet me të cilën ishin bllokuar që nga incidenti i kanalit të Korfuzit në vitin 1946, bllokimit të arit shqiptar nga britanikët si qëndrim ndaj shlyerjes së detyrimeve që gjyqi i Hagës i kishte ngarkuar Shqipërisë si dëmshpërblim për incidentin, vendim me të cilin pala shqiptare nuk ishte dakord. Ndërkohë, në vitet më pas kishte pasur shkëmbime të vogla tregtare me Shqipërinë, sikurse funksiononte që në vitin 1962 shoqata e miqësisë Angli-Shqipëri në Londër e përbërë nga simpatizantë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në tetor 1978, Tirana zyrtare, MPJ, merr informacion nga burimet e saj se qeveria angleze kishte shqyrtuar kohët e fundit gjendjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe kishte vendosur të shihte mundësitë e ç’bllokimit të arit shqiptar e mbi këtë bazë të fillonte tratativat për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. MPJ udhëzonte përfaqësitë e saj që përballë kësaj situate të re, qëndrimi të ishte i prerë; në fillim nga britanikët të kthehej ari shqiptar i bllokuar bashkë me interesat, e pastaj të shihej çështja e marrëdhënieve, ndryshe kjo çështje do ngrihej në OKB nga pala shqiptare.

Përgjigja nga pala britanike erdhi po nga ambasadori britanik në Beograd, 25 shkurt 1980. Ai i transmetoi ambasadorit shqiptar vullnetin zyrtar të qeverisë angleze që në dritën e zhvillimeve të reja ndërkombëtare të shqyrtoheshin çështjet e vjetra që qëndronin midis dy vendeve, për të hapur rrugën e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes tyre. Meqenëse këto çështje kishin natyrë financiare, po kërkohej një zgjidhje e pranueshme për të gjithë. Ambasadori sqaroi se vendimi për kthimin e arit nuk i përkiste vetëm Anglisë, por komisionit trepalësh të përbërë nga ShBA, Anglia dhe Franca. Meqenëse ishin probleme financiare, britanikët propozonin të ndaheshin dy çështjet nga njëra tjetra. Në fillim të avancohej me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike e pastaj të diskutoheshin më hapur për zgjidhjen e problemeve financiare. Ata e konsideronin këtë propozim një lëshim të madh historik nga qëndrimi i vjetër britanik e kërkonin fleksibilitet edhe nga qeveria shqiptare duke rishikuar qëndrimet e saj. Kjo nuk u pranua kategorikisht nga qeveria shqiptare, duke mbetur tek qëndrimi i parë -kthimin e arit të bllokuar dhe mosnjohja e përgjegjësisë për të paguar për incidentin e kanalit të Korfuzit. Qeveria konservatore e Margaret Thatcher (1979-1990) nuk ndryshoi për disa vite qëndrim nga propozimi i saj i shkurtit 1980. Në Foreign Office, filluan të mendonin për ndërhyrjen e një pale të tretë për të rifilluar kontaktet diplomatike me qeverinë e Tiranës. Këtu ndërhyri Parisi zyrtar që sugjeroi kryeqytetin francez për rifillim e bisedimeve duke propozuar një projekt-zgjidhje financiare të kënaqshme për palët në opinionin e tyre. Ambasadori francez në Tiranë bisedoi me palën shqiptare për përgatitjen e takimit e propozimet franceze.

Bisedimet filluan në Paris në gjysmën e parë të vitit 1985, pas vdekjes së Hoxhës, të fshehta e larg vëmendjes së medias me dakordësinë e dy palëve. Gjithsesi, informacioni rrodhi dhe i pyetur ambasadori britanik raportoi për këtë zhvillim në një takim të ambasadorëve të vendeve të NATO-s më 11 qershor 1985. Në bisedimet në Paris, nuk u arrit në ndonjë rezultat konkret. U ra dakord në parim për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe u diskutuan propozimet për zgjidhjen e problemeve financiare. Një ndër to, me e pranueshmja, ishte kthimi i arit Shqipërisë dhe 10% e interesave, ndërsa 90% e interesave të mbaheshin si dëmshpërblim për anijet ushtarake angleze të dëmtuara. Sipas burime që kishte MPJ, kjo ofertë anglo-amerikane po bëhej për të joshur udhëheqjen shqiptare për të ndaluar ndonjë proces afrimi me lindjen, në fillim ekonomik e pastaj politik, si dhe të ndihmohej procesi i hapjes së Shqipërisë drejt perëndimit. Qeveria shqiptare vazhdoi në qëndrimin e saj të parë për procedurë dhe çështjet financiare.

Bisedimet u ndërprenë përsëri për vitet 1986 e 1987. OKB ishte e vetmja organizatë ku palët takoheshin dhe ri përsëritnin qëndrimet e tyre zyrtare secili me argumentet e veta. Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me RFGJ në shtator 1987, gjetja e zgjidhjes për pagesën e reparacioneve nëpërmjet protokolleve të bashkëpunimit ekonomik, e nxiti procesin. Anglia ishte i vetmi vend në Evropë që nuk kishte marrëdhënie me Shqipërinë. Diplomatët anglezë shpreheshin se Anglia dhe qeveria konservatore nuk kishte më dyshime për të ardhmen e Shqipërisë dhe për rolin e saj të pavarur në Ballkan dhe në Evropë. Tani ndërhyri edhe presioni gjerman mbi FO për të shtyrë procesin para. Ky ndikim u bë edhe në Tiranën zyrtare.

Në shtator 1988, në një kuadër krejt të ri qëndrimesh të aktorëve ndërkombëtarë, nëpërmjet përfaqësuesit të saj në OKB, Britania e Madhe me mbështetjen e ShBA, kërkoi rifillimin e bisedimeve përsëri në Paris në nivel drejtor drejtorish, por pala shqiptare refuzoi pa patur në fillim një propozim të ri zgjidhjeje nga britanikët.

Në tetor 1990, pas eksodit masiv të shqiptarëve në korrik 1990 e ngjarjeve në Evropën Lindore, qeveria shqiptare e kohës intensifikoi përpjekjet për të kryer disa reforma në vend e për t’u bërë pjesë e KSBE, pa prekur regjimin politik, por duke synuar përmirësimin e imazhit të Shqipërisë jashtë vendit. Londra zyrtare u shpreh kundër pranimit të Shqipërisë në KSBE, duke e konsideruar atë të parakohshëm. Në këtë kuadër qeveria shqiptare vendosi ti përgjigjej pozitivisht ftesës së bërë në vitin 1988 nga anglezët për rifillim të bisedimeve. Ata do zhvilloheshin në Romë në 5 nëntor 1990 dhe në Gjenevë në 18 dhjetor 1990 në nivel drejtorësh. Për mediat u tha se bisedimet midis dy delegacioneve do bëheshin për probleme dypalëshe, duke përfshirë edhe çështjen e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Delegacionet do të drejtoheshin në nivel zëvendësministri.

Anglezët këmbëngulën që prioritet të kishte rivendosja e marrëdhënieve diplomatike e përcaktimi i një kalendari të qartë të bisedimeve për rikthimin e arit dhe pagesën e dëmshpërblimit financiar nga Shqipëria. Ata premtuan se kjo e fundit nuk do të kishte asnjë lidhje juridike me incidentin e kanalit të Korfuzit. Pala shqiptare, në kushtet e një situate të brendshme të acaruar politike e ekonomike dhe nevojës për mbështetje ndërkombëtare në kushtet e acarimit të situatës në Jugosllavi e Kosovë, pas diskutimesh të gjata në Gjeneve ranë dakord me propozimin anglez për procedurë. Anglezët premtuan gjithashtu mbështetjen e tyre për Shqipërinë në KEE, FMN, KSBE, Banka Botërore.

U propozua që takimi i radhës të ishte në shkurt 1991, por meqë në Shqipëri kishte zgjedhje parlamentare në mars, dhe ishin të parat zgjedhje pluraliste e testi i parë për Shqipërinë, bisedimet e radhës u shtynë pas zgjedhjeve. Bisedimet e treta u zhvilluan në Londër në maj 1991, ku edhe u dakordësua për formën e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ajo do realizohej nëpërmjet një komunikate të përbashkët që do të publikohej më 29 maj 1991, në orën 12.30, me orët lokale. Kjo do të shënonte datën e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe. Në komunikate thuhej se palët ranë dakord që delegacionet përkatës të rivendosnin marrëdhëniet diplomatike dhe u morën vesh që më 7 qershor 1991 palët të takoheshin përsëri për t’i dhënë zgjidhje të plotë e përfundimtare çështjeve të mbetura pezull ndërmjet dy vendeve.