30 VITE NGA VIZITA E PARË E NËNË TEREZA – SHËN TEREZA E KALKUTËS

Me 14-17 gusht 1989 Nënë Tereza –Shen Tereza e Kalkutes vizitoi për herë të parë Shqipërinë pas një përpjekie tre-vjeçare për të bindur politikën shqiptare të kohës që të lejonte realizimin e kësaj vizite. Sipas informacioneve që sjell ambasada shqiptare në Romë, Nënë Tereza kishte telefonuar vetë në këtë ambasadë tre vite më parë, në 1986 pas vdekjes së Hoxhës, dhe kishte shprehur dëshirën e saj për të vajtur në Shqipëri si vizitore e thjeshtë për të bërë homazh në varrin e nënës së saj. Për të mbështetur kërkesën e saj pranë ambasadës shqiptare në Romë kishte ndërhyrë edhe ambasadori Italian pranë FAO-s. Kërkesa nuk kishte marrë përgjigje. Pas tre vitesh ne 1989, qeveria shqiptare në kushtet e një mjedisi politik ndërkombëtar të ndryshuar dhe në rrethanat e krizes së brendshme ekonomike nga vetëizolimi, po jepte shenja se ishte e detyruar të fillonte hapjen e saj me Perendimin ( ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike me RFGJ ne 1987) dhe po tregohej interes për funksionimin e TPE dhe KSBE, si dhe ishte shtuar interesimi për të pasur kontakte me Uashingtonin zyrtar. Në këtë kohë shumë arbëresh të Italisë që kishin kontakte me Nënë Terezën kishin përsëritur pranë ambasadës shqiptare në Romë dëshirën e saj “..për të vizituar Shqipërinë e për të prekur tokën e të parëve të saj”. Ajo kërkonte të vinte në Shqipëri privatisht si çdo vizitor, “..jo me petkun fetar, jo me bujë, për të pare varrin e nënës së saj para se të vdesë”. Këtë dëshirë të saj e kishte përcjellë Prof.Catapano, arbëresh, mik i ambasadës shqiptare, i cili ishte i gatshëm ta shoqëronte gjatë vizitës private në Shqipëri.
Me 19 maj 1989 Prof.Giuseppe Del Gaudio, arbëresh nga Catanzaro, mik i Shqipërisë, i dërgon një kërkesë me shkrim ambasadës shqiptare në Romë ku midis të tjerash shprehte edhe dëshirën e Nënë Terezës për të bërë një vizitë private në Shqipëri shoqëruar nga vete Del Gaudio dhe miku e shoqeruesi i saj Gjergj Gjergji Gashi. Komuniteti i arbëreshëve kishte argumentuar gjithnjë pranë ambasadës shqiptare në Romë se Nënë Tereza asnjëherë nuk ishte shprehur kundër Shqipërisë dhe politikave të saj të brendshme, përkundrazi kishte përmendur me mburrje faktin që ishte nga Shqipëria, kishte kontribuar në mënyrë aktive, moralisht dhe materialisht, në mbështetje të çështjes së Kosovës. Nga ana e saj ambasada argumentonte për Tiranën zyrtare se vizita e Nënë Terezës në Shqipëri do të shërbente si barrierë ndaj çdo fushate për mosrespektim të të drejtave të njeriut në Shqipëri që tashmë ishte ne fokusin e mediave ndërkombëtare, veçanarisht pas mbajtjes së 6 vëllezërve Popaj në ambasadën italiane në Shqipëri.
Kërkesa e Nënë Terezës u analizua gjerësisht në ambjentet e MPJ dhe për çdo gjë informohej udhëheqja e vendit. U analizuan anët pozitive dhe negative të kësaj vizite në Shqipëri. Megjithëse Nënë Tereza ishte murgeshë e Kishes Katolike Romane, vizita e saj në sytë e publikut shqiptar u çvesh nga çdo ngjyrim fetar duke e konsideruar nje veprimtare bamirëse që ndihmonte të varfrit e të braktisurit në vendet që kishin këto probleme, viktimat e luftës dhe fatkeqësive natyrore në vende të ndryshme të botës. Në fakt, në 1989 Nënë Tereza kishte hapur shtëpitë e saj të bamirësisë në 80 vende të botës dhe kishte 3000 motra (murgesha) të 35 kombësive të ndryshme dhe mijera vullnetarë. Gjatë viteve 1987-1989 ajo kishte hapur institucione të tilla edhe në BRSS, Hungari e Kubë, po perpiqej të hapte edhe në vendet e Evropës Lindore e Kinë.
Duke marrë në analizë situatën dhe imazhin e krijuar rreth Shqipërisë, vizita e saj u miratua. Me 7 korrik 1989 Nënë Tereza e shoqëruar nga dy murgesha mbërriti vetë në ambasadë për të përcaktuar modalitetet e vizitës së saj private. Ajo kërkoi të kishte një kishë ku mund të falej gjë qe ju mohua, kërkoi të hante e të akomodohej sa më thjeshtë, pa bujë e publicitet, dhe e veçuar nga të tjerët.
Nënë Tereza do të shoqërohej në Shqipëri nga murgesha me origjinë shqiptare nga Prizreni Marie Goreti dhe regjisorja e filmit “Nënë Tereza” me origjinë kanadeze e me banim në SHBA Zhanet Petri. Në aeroportin e Rinasit ajo u prit nga kryetari i Kryqit të Kuq shqiptar, dhe nga kryetari i Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme. U hartua me shpejtësi programi i vizitës se saj tre ditore, ku perfshihej vizitë në shtëpinë ku kishte banuar nëna e motra, varret e tyre, varrezat e dëshmorëve të Kombit, kopshte fëmijësh, Institutin e Onkologjise, në MPJ, në Institutin e Pneumologjisë, në “Shtëpinë e Pionierit” në Durrës. Gjatë gjithë vizitës shoqërohej nga organet e ish-Sigurimit dhe policisë.
Pavarësisht se gjatë gjithë kohës Nënë Teeza e konsideronte vizitën e saj private, ajo në çdo takim u kërkonte autoriteteve që t’i krijonin mundësinë që të ngrinte edhe në Shqipëri një institucion bamirësie dhe të sillte aty të paktën 4 motra. Në mbarim të vizitës, ajo i dërgoi një letër falenderimi ish-Presidentit Alia për mundësinë e dhënë për të vizituar Shqipërinë, por njëkohësisht shprehte zyrtarisht kërkesën e saj që të lejohej të hapte një shtëpi bamirësie në Tiranë ku Misionaret e Bamirësisë tu qëndronin pranë njerëzve që vuanin e që nuk kishin mbështetje, por kjo kërkesë u refuzua nga Alia me argumentin se “…një kujdes i tillë ishte detyrë humane dhe patriotike për mijëra djem e vajza që shërbenin si mjekë e infermierë, kujdestarë dhe edukatorë të përkushtuar për mirëqënien dhe shëndetin e popullit.”
Gjithsesi Nënë Tereza nuk do të hiqte dorë nga kërkesa e saj derisa ta finalizonte.

30 vite nga vizita e parë e Nënë Tereza – Shën Tereza e Kalkutës