“Karta e Parisit për Evropën e Re”, 21 nëntor 1990, një ngjarje historike për Evropën bashkëkohore

Në një intervistë dhënë televizionit sovjetik një ditë para fillimit të takimit të nivelit të lartë Bush-Gorbaçov, dhjetor 1989,  Gorbaçov u shpreh se “ Në procesin e Helsinkit u hap një etapë e re. Ne tani mund të flasim për Helsinkin-2. Duhet të kuptojmë mirë ndryshimet aktuale, të diskutojmë së toku dhe të përgatisim fazat e ecjes përpara drejt një Europe të re dhe drejt marrëdhënieve të reja ndërkombëtare”. Për shkak të zhvillimeve shumë të shpejta në Evropën Lindore, propozimi i Gorbaçovit për të avancuar në vitin 1990  konferencën e Helsinkit , që ishte parashikuar të mbahej në vitin 1992, gjeti një reagim pozitiv në të gjitha shtetet evropiane. Presidenti Miteran ofroi Parisin si vend mikpritës.

Me 19 deri ne 21 nëntor të vitit 1990 në Paris u zhvillua takimi i dytë në nivel të lartë i KSBE-se. Në të morën pjesë kryetarë shtetesh e kryeministra të vendeve evropiane të SHBA-se dhe Kanadasë. Shqipëria merrte pjesë me cilësinë e vëzhguesit. Delegacioni përbëhej nga 5 diplomatë dhe kryesohej nga Ministri i Puneve të Jashtme .

Takimi i nivelit të larte të KSBE në Paris ishte një moment shume i rëndësishëm për rrugëtimin e Shqipërisë drejt antarësimit të saj të plotë në KSBE. Qeveria shqiptare synonte në këtë takim që të pranohej kërkesa e saj për antarësim, por kjo nuk ndodhi. Qeveria shqiptare e kohës e kishte shprehur në fillim të v.1990 interesimin e saj për tu pranuar në KSBE . Me kërkesën e Tiranës zyrtare një delegacion i Komisionit të Helsinkit mbi Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë vizitoi Shqipërinë në gusht 1990 dhe gjeti që Shqipëria e asaj kohe ishte larg parimeve dhe normave të Helsinkit në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në fusha të tjera që garantonin antarësimin e saj të plote në KSBE. Në këto kushte asaj ju ofrua vetem statusi i vëzhguesit në aktivitetet e KSBE gjate v.1990, dhe në takimet e Komitetit Përgatitor për takimin e nivelit të lartë në Paris, si ai i Vjenës 4-27 shtator,  ashtu edhe në mbledhjen  përgatitore të MPJ të vendeve anëtare që u mbajt në New York 1-2 tetor 1990, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të qeverisë shqiptare në 1990 për të gjetur mbështetje. Nga ana tjetër qeveria shqiptare bëri një deklaratë publike me 15 shtator 1990 ku theksonte njohjen nga ana e saj dhe pranimin e dokumenteve të KSBE.  Kërkesën e qeverisë shqiptare për antarësim në KSBE gjate takimit të Parisit e mbështeti edhe takimi i MPJ të shteteve te Ballkanit  që u organizua në Tiranë me 24-25 tetor, nëpërmjet një mesazhi drejtuar shteteve anëtare të KSBE. Rruga do të hapej vetëm pas ndryshimeve politike dhe zgjedhjeve të para pluraliste në vend në mars 1991.

Gjatë tri ditëve veprimtarie të dendur diplomatike, delegacionet e vendeve pjesëmarrëse shpallën se do të angazhoheshin për të punuar sëbashku për hartimin e një rendi të ri politik demokratik në Evropë. Në krye të këtij dokumenti theksohej.. ”Ne , kryetarët e shteteve ose qeverive të shteteve pjesëmarrëse në Konferencën  për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, u mblodhëm në Paris në kohën e ndryshimeve të thella dhe shpresave historike. Epoka e konfrontimit dhe e ndarjes së Evropës ka përfunduar. Prandaj ne deklarojmë se këtej e tutje marrëdhëniet tona do të ndërtohen mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëpunimit”.

Karta e Parisit për Evropën e Re Dokument