“NISMA E ADRIATIKUT”,E PARA NISËM RAJONALE KU SHQIPËRIA MORI PJESË ME PARTNERË EVROPIANË, 13.7.1991

Proceset që po ndodhnin në Evropë po kuptoheshin si nevojë urgjente për të reflektuar mbi format e bashkëpunimit në Ballkan, Adriatik e më gjërë në kontinent. Në kuadër të interesave politike  të Tiranës zyrtare për të hyrë në marrëdhënie me  TPE e për tu antarësuar në KSBE, qeveria shqiptare e tejkaloi qëndrimin e saj tradicional e tipik për Luftën e Ftohtë se “pa marrëdhënie të mira dypalëshe nuk mund të ketë marrëdhënie të suksesshme shumëpalëshe”, duke deklaruar se  “..bashkëpunimi në nivel rajonal nuk përjashton, por pasuron kooperimin në nivel dypalësh midis vendeve të Adriatikut”.

Në v.1989 me inisiativën italiane, Shqipëria u thirr si vëzhguese   në takimet për çështje të “Nismës së Adriatikut”, e cila e kishte zanafillën në marrëveshjen dypalëshe italo-jugosllave të v.1974. Me 17 shtator 1989, Ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Jugosllavisë nënshkruan Deklaratën e Qëllimeve për “Nismën e Adriatikut”, nëpërmjet të cilës ranë dakort  të bashkëpunonin në fushat e ekologjisë në Adriatik dhe në fusha të tjera të karakterit ekonomik. Ata lanë hapur që në fillim mundësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë  dhe bashkëpunimin e shteteve që kishin dalje dhe interesa në pellgun e Adriatikut. Në takimin e 3-6 tetorit 1989 të palëve kontraktuese të Konventës së Barcelonës, (OKB 1976), dhe  Planit te Veprimit të Mesdheut (PAM) te formuar per zbatimin e protokolleve të kësaj Kovente, u rekomandua që “Nisma e Adriatikut” të inkuadrohej  në kuadrin e PAM.

Pas këtij zhvillimi të ri, me kembenguljen e qeverise italiane, me 2 nëntor 1989 pala italiane dhe ajo jugosllave u njoftuan zyrtarisht nga Tirana zyrtare për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë nismë. Të njëjtën gjë bëri me pas edhe Greqia. Roma zyrtare  përfshiu Shqipërinë në angazhimin e saj të parë rajonal  përtej dallimeve politike mes anëtarëve. Takimet konsultative jozyrtare me ftesë të koordinatorit të PAM filluan  në 18-20 dhjetor 1989 në Athinë mes 4 palëve për të hartuar një program veprimi ekologjik dhe qartësuar rolin e PAM në Nismë. Takimet konsultative vazhduan në Romë,Athinë. Kjo ishte një përpjekie e Italisë për ta mbajtur Shqipërinë pranë Perendimit në këtë erë ndryshimesh në Evvropë, e për të krijuar në Adriatik e Mesdhe një zonë të sigurt.

Me 9 janar 1990 me ftesë të MPJ italiane u organizua në Romë një takim konsultativ në nivel ambasadorësh të vendeve që lageshin nga Adriatiku. Mbledhjen e drejtoi zv.ministri i jashtëm italian Ivo Butini dhe ishte ftuar edhe përfaqësuesi i TPE për ekologjinë. Ky i fundit kërkoi që TPE të ishte palë nënshkruese e deklaratës, pra të ishin pesë nënshkrues e jo katër. Në këtë moment shtrohej pyetja nëse Shqipëria do e pranonte këtë kërkesë te TPE, përsa kohe nuk kishte marrëdhënie diplomatike me kete organizem. Në tezat e bisedimeve të palës shqiptare për takimin e radhës në 14 shkurt, Tirana zyrtare doli me qëndrimin që nëse TPE këmbëngulte që të ishte palë në Nismë, kjo të mos kundërshtohej nga Shqipëria. Në këndvështrimin e diplomacisë shqiptare ky veprim do të shërbente si  një xhest pozitiv  në procesin drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me TPE Një takim midis vendeve që do nënshkruanin deklaratën dhe përfaqësuesit të TPE, u organizua edhe në Tiranë me 12 prill 1990. Në këtë takim pala shqiptare u shpreh dakort për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e mundëshme, madje mendonin se bashkëpunimi ekonomik do ti jepte një intensitet të ri marrëdhënieve midis palëve dhe Komunitetit Evropian.

9 tetor 1990, ambasadori italian  në Tiranë De Andreis dorëzoi në MPJ tekstin e Projekt-Deklaratës së Qëllimeve mbi bashkëpunimin ekologjik dhe mbrojtjen e Adriatikut nga ndotjet. Pas marrjes së përgjigjes nga tre kryeqytetet, Tiranë, Beograd e Athinë, Projekt-Deklarata do ti paraqitej Komisionit të Komunitetit Evropian në Bruksel për mendim.

Në 8 shkurt 1991 në Tiranë mbërriti grupi përfaqësues nga MPJ italiane  i kryesuar nga z. Alessandro Graffini, Zëvendëskryetari i Kabinetit të Ministrit të Jashtëm. Ai i dorëzoi palës shqiptare tekstin final të Deklaratës mbi Detin Adriatik ku ishin bërë ndryshimet nga Komisioni i Komunitetit Evropian në krahasim me tekstin e  parë të dorëzuar me 9 tetor  1990.

Deklarata e Nismës së Adriatikut u nënshkrua nga Ministrat e Punëve të Jashtme të katër vendeve dhe përfaqësuesi i TPE në Ankona  me 13 korrik 1991, pra pak ditë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me TPE në 20 qershor 1991.

“Nisma e Adriatikut”,e para nisëm rajonale ku Shqipëria mori pjesë me partnerë evropianë, 13.7.1991