Ribashkimi i Gjermanise dhe diplomacia shqiptare
Rënia e Murit të Berlinit me 9 nëntor 1989 nxori në rendin e dites ribashkimin e Gjermanisë. Angazhimi i dy shteteve ishte administrimi i kujdesshëm i procesit, ku ndër të tjera ishte edhe unifikimi i përfaqësimit të shtetit të ribashkuar gjerman në marrëdhëniet me shtetet e tjera.
Me 24 gusht 1990 MPJ e RFGJ me anë te një note njoftoi misionet e huaja të akredituara në Bon se me bashkimin e dy shteteve gjermane me 3 tetor, do të shuheshin marrëdhëniet diplomatike e konsullore të shteteve të tjera me RDGJ . Nota ofronte opsione të ndryshme të perfaqesimit diplomatik në RFGJ pas 3 tetorit për shtetet që kishin përfaqësues diplomatik të akredituar në Bon dhe në Berlin . Meqenese nga nota gjermane lihej të nënkuptohej se Berlini do ishte kryeqyteti i Gjermanisë së bashkuar, çështje që do të vendosej përfundimisht pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 2 dhjetorit 1990, qeveria shqiptare vendosi që godinën e ambasadës në Berlin ta mbante, dhe ajo të mbetej zyrë e ambasadës së Bonit me emertimin “ Ambasada e RPSSH në RFGJ-pika e jashtme Berlin”.
Lidhur me vlershmërine e marrëveshjeve të lidhura nga shtetet e tjera me RDGJ, me 31 gusht 1990 mes RFGJ e RDGJ ishte nënshkruar “Marrëveshja per vendosjen e unitetit të Gjermanise” e cila në nenin 11 e 12 të saj parashikonte që “..marrëveshjet e lidhura me RDGJ të rishqyrtoheshin pas ribashkimit të dy shteteve, në këndvështrimin e ruajtjes së besimit, e interesave të shteteve pjesëmarrëse dhe të angazhimeve kontraktuese të RFGJ brenda Komunitetit Evropian”. Në këtë aspekt MPJ iu drejtua të gjitha ministrive të linjës të përcaktonin një qëndrim që do të mbahej me palën gjermane për ridiskutimin e marrëveshjeve në fushat e veprimtarisë që mbulonin.
Me 3 tetor 1990 në Berlin u zhvillua ceremonia e ribashkimit të dy shteteve gjermane, RFGJ e RDGJ. Ambasadat tona në Bon e Berlin jepnin informacion në Tiranë mbi atmosferën dhe protokollin e ceremonisë. Në mesnate, duke u gdhire 3 tetori, Presidenti i RFGJ R.fon Vaiczeker, në prani të personaliteteve kryesore politike të vendit, të trupit të huaj diplomatik, dhe mijëra qytetarëve tha: “Ne dëshirojmë të përfundojmë bashkimin në liri, me vetvendosje të lirë. Për përgjegjësinë dhe për detyrat ne jemi të vetëdijshëm para Zotit dhe njerëzve. Ne dëshirojmë ti shërbejmë paqes në botë në një Evropë të bashkuar”. Me ngritjen e flamurit dhe artikulimit njëzëri të himnit kombëtar përfundoi ceremonia e ribashkimit të Gjermanisë. Territori i ish-RDGJ në bazë të një vendimi të marrë më parë nga Parlamenti i RDGJ, hyri në zonën e vlefshmërisë të Ligjit Themeltar të RFGJ (Kushtetuta) në përputhje me nenin 23 të këtij Ligji. Ky akt u deklarua si “aderim i RDGJ në Federatë”.
Me 3 tetor 1990, Kancelari Kohl u dërgoi një përshëndetje falenderimi të gjithë kryetarëve të shteteve që kishin mbështetur vazhdimisht këtë të drejtë të kombit gjerman. Aty shpaloseshin edhe angazhimet kryesore që do të kishte RFGj në të ardhmen në marrëdhëniet ndërkombëtare në mbrotje të paqes dhe të drejtave të njeriut. Ky falenderim mbërriti edhe në Tiranë. Ndër të tjera në këtë komunikim zyrtar thuhej “ Në emër të popullit gjerman dëshiroj t’u falenderoj të gjithë atyre që kanë mbrojtur të drejtën e gjermanëve për vetvendosje dhe kanë lehtësuar rrugën tone. Duke qenë të ndërgjegjshëm për vazhdueshmërinë e historisë gjermane, ne dime ta vlerësojmë në mënyrë të veçantë këtë fakt…. Bashkimi i Gjermanisë është i lidhur në mënyrë të pandarë me Bashkimin e Evropës. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me kembëngulje për Bashkimin Evropian- me të njëjtën këmbëngulje që kemi treguar edhe për bashkimin tonë.”

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Adresa: Bulevardi ‘Gjergj Fishta’, Nr 6. Tiranë
Për informacione konsullore, probleme të qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, kontaktoni në:
Tel: +355 (0) 42340358
Mund të kontaktoni:
E Hënë – E Enjte 08.00 – 16.30
E Premte 08.00 – 14.00
E-mail: DK@mfa.gov.al