SHQIPËRIA I THA “PO” PLANIT FRANCEZ PËR BASHKIMIN FEDERAL TË EVROPËS , 1929-1930

Shqipëria i tha “Po” planit francez për Bashkimin Federal të Evropës , 1929-1930

Pas nënshkrimit të Traktatit të Lokarnos midis Francës e Gjermanisë në v.1925, Evropa njohu një periudhë qetësie  e prosperiteti pas viteve të vështira  pas Luftës së Parë Botërore. Dy nënshkruesit e Traktatit MPJ francez Briand dhe MPJ gjerman Stresemann po i ndërtonin tashmë marrëdhëniet mes tyre në konceptin e “Shpirtit të Lokarnos”. Gjermania republikane e shfrytëzoi këtë periudhë për të rimëkëmbur vehten dhe për të lehtësuar vendimet e Konferencës se Paqes për të.  Kur Gjermania dukej se po rifitonte statusin e Fuqisë së Madhe, MPJ francez Briand ashtu si pasardhësit e tij në vitet ’50-të, erdhi në konkluzionin se Gjermania mund të mbetej paqësore kur ajo të ishte e përfshirë në një Federatë evropiane. Nga ana tjetër rreziku bolshevik  nga lindja po rritej, dhe SHBA po rritnin prezencën e tyre në tregjet evropiane. Në  Asamblenë e 10-të të Lidhjes së Kombeve, shtator 1929, Briand prezantoi planin e tij për Federatën Evropiane, me karakter ekonomik, një plan ambicioz, por i turbullt. Ky propozim provokoi  bisedime e komente të shumta si në qarqet diplomatike të Gjenevës ashtu edhe në qarqet e shtypit ndërkombëtar. MPJ gjerman Stresemann  reagoi në mbështetje të idesë, madje   nxiti edhe një bashkim doganor  evropian dhe një monedhë të përbashkët.

Për të shpjeguar më mirë idene e tij Briand ftoi  në një drekë përfaqësuesit e 27 shteteve evropiane, midis të cilëve ishte edhe MPJ shqiptar Rauf Fico. Inisiativa e Ministrit francez të Punëve të Jashtme u prit me simpati nga të gjithë përfaqësuesit në atë dreke dhe u diskutuan mendime mbi procedurën dhe mundësitë më të mira për realizimin e saj. Briand u ngarkua që tu paraqiste në kohën e duhur të gjitha shteteve të Evropës një memorandum mbi idenë e tij duke kërkuar mendimin e secilit shtet për përmbajtjen e saj.

Me 10 maj 1930, Legata franceze në Tiranë ia paraqiti këtë memorandum qeverisë shqiptare me titull “ Memorandum mbi organizimin e një rregjimi Bashkimi Federal të Evropës”. Në të njëjtën ditë  ky memorandum u ishte shpërndarë pë mendim të gjitha shteteve evropiane, anëtare të Lidhjes se Kombeve.

Ndërkohë që memorandumi iu shpërnda kancelarive evropiane në maj 1930, e tërë klima ekonomike dhe politike e Evropës kishte ndryshuar në mënyrë dramatike. MPJ gjerman Stresemann ishte larguar nga jeta, dhe kriza politike  në Gjermani e shkaktuar nga Depresioni i madh Ekonomik i v.1929, solli në pushtet qeveri nacionaliste  që nuk ishin të interesuara për një Federatë Evropiane  apo bashkim doganor. Ata e refuzuan memorandumin francez me 8 korrik 1930. Pas tyre, planin francez  e refuzoi si të parakohshëm edhe Britania e Madhe.

Qeveria shqiptare i dorëzoi Legatës franceze me 15 korrik 1930 përgjigjen e qeverisë shqiptare, ku ndër të tjera pranonte pa rezerva  propozimin francez për Bashkimin Federal të Evropës, duke analizuar përmbajtjen e tij në çdo pikë, dhe  duke besuar se paqja dhe siguria ndërkombëtare, drejt të cilave orientohej Bashkimi, ishin kushtet thelbësore të pandashme falë të cilave shtetet e sidomos shtetet e vogla mund të zhvillonin mirëqënien e tyre. Qeveria shqiptare mendonte se fusha ekonomike paraqiste problematikën më të aksesueshme. Zgjidhja e saj sillte besimin reciprok midis shteteve dhe harmonizimin e mendimeve edhe për çështjet politike.

Raporti perfundimtar i konsultuar u diskutua në Konferencën  Evropiane në Gjenevë me 8 shtator 1930 . Briand raportoi mbi përgjigjet e të gjitha shteteve evropiane që ishin përgjigjur, pikat e përbashkëta dhe kundërshtitë. Nuk pati asnjë diskutim për zbatim konkret të kësaj ideje, por u shpreh simpati për propozimin dhe autorin e saj Briand. Brinad e kundërshtoi këtë mënyre diskutimi, duke u shprehur se “… diplomatët shprehin shpesh simpati, por nuk marrin angazhime”. Ai theksoi se “.. Evropa gjendet në një rrezik dhe të gjithë bashkë duhet të luftojmë këtë rrezik, e kjo fillon këtu duke dhënë mendime konkrete e propozuar masa që duhen marrë”.

Plani Briand mbeti i parealizuar pasi nuk mori miratimin e gjithë shteteve evropiane dhe nuk u favorizua nga rrethanat politike e ekonomike në Evropën e viteve ’30-të të shek.XX.

Shqipëria i tha “Po” planit francez për Bashkimin Federal të Evropës , 1929-1930