SHQIPËRIA PRO ANTARËSIMIT TË DY GJERMANIVE ( RFGJ E RDGJ) NË OKB, SHTATOR 1973

Pas Luftës në Vietnam, gjysma e parë e viteve ’70-të të shekullit XX shënoi një zbutje tensioni midis Lindjes e Perendimit, periudhë e njohur në historinë e Luftës së Ftohtë si détente. Kjo periudhe kulmoi me nënshkrimin e Aktit të Helsinkit në v.1975 e krijimin e KSBE ( sot OSBE). Arkitektë të kësaj periudhe  u bënë Sekretari i Shtetit, Henry Kissinger dhe Kancelari i Gjermanisë Perendimore Willy Brandt. Evropianët e shfrytëzuan këtë mundësi për të filluar shkrirjen e Perdes së Hekurt që ndante kontinentin e tyre. Në krye të këtij procesi qëndronte kancelari gjermanoperendimor Willy Brandt, i cili dëshironte në fillim ripajtimin e dy Gjermanive. Ai ndërmori disa inisisativa që lehtësonin pozitën e dy Gjermanive në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, në v.1972 dy Gjermanitë njohën ligjshmërinë e njëra-tjetrës  dhe paraqitën kandidaturën e tyre për tu pranuar në OKB.

Në fillim çështja u diskutua në Këshillin e Sigurimit, në qershor 1973, ku u ra dakort për pranimin e dy Gjermanive në OKB. Gjermania Perendimore ( RFGJ) do të përfaqësonte edhe Berlinin Perendimor në OKB, gjeografikisht i vendosur në RDGJ, një lëshim i bërë nga sovjetikët. Pranimi i tyre u paraqit si një eveniment i madh historik që ishte bërë  i mundur vetem në sajë të détente-s. Votimi i përgjithshëm do bëhej në shtator 1973, në sesionin e 28-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Në këtë sesion, përfaqësuesi i Shqipërisë, ish-MPJ Reis Malile, në fjalën e tij në Asamble u shpreh për votën e Shqipërisë pro pranimit të dy Gjermanive në OKB, duke argumentuar se “.. Shqipëria mbron me konseguencë parimin e universalitetit të OKB-së me qëllim që në përputhje me dispozitat themelore të Kartës, të gjithë popujt e shtetet e botës të përfaqësohen në Kombet e Bashkuara.  Në këtë fryme ajo vlerëson faktin që sot të dy shtetet gjermane, RFGJ e RDGJ,  pranohen në OKB”. Delegacioni shqiptar shprehu dy rezerva : 1- mungesa  e një Traktati Paqeje me Gjermanite e për pasojë moszgjidhja e çështjes së reparacioneve; 2- qeveria shqiptare nuk njihte juridiksionin e RFGJ në territorin e Berlinit Perendimor.

RFGJ e RDGJ u pranuan në OKB në Sesionin e 28-të të Asamblesë së Përgjithshme. Pranimi i tyre u konsiderua një ngjarje historike jo vetëm për potencialet e mëdha ekonomike e njerëzore të këtyre dy shteteve, veçanarisht të RFGJ, por edhe si një akt që kontribuonte shumë në nxitjen e paqes  në Evropë.

Shqipëria pro antarësimit të dy Gjermanive ( RFGJ e RDGJ) në OKB, shtator 1973