Konferenca e OSBE-së për promovimin e Grave, Paqes dhe Sigurisë

Roli jetësor i OSBE-së në zbatimin e axhendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë ishte fokusi i takimit të nivelit të lartë me temë: "OSBE-ja con përpara Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të KB: Barazia gjinore për një botë më paqësore".

Eventi i mbajtur online u organizua nga Kryesia Shqiptare e OSBE-së 2020, Misioni i Përhershëm i Finlandës në OSBE dhe Suedia, Kryetar i ardhshëm i OSBE-së, 2021. Takimi përkujtoi 20 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të KB mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe diskutoi se si të përshpejtohet zbatimi i Rezolutës me fokus të veçantë rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave në zgjidhjen e konflikteve, ndërmjetësimin dhe vendimmarrjen.
Folësja e ftuar speciale, Nën-Sekretare e Përgjithshme për Çështjet Politike dhe Ndërtimit të Paqes të Kombeve të Bashkuara, znj. Rosemary DiCarlo, në fjalën e saj parashtroi fushat kryesore që kanë nevojë për veprim për të arritur zbatimin e plotë të axhendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë.

Zz/ministri për Europën dhe Punët e Jashtme , Agron Tare, vuri në dukje se si zbatimi i Planit Kombëtar të Veprimit 2018-2020 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka rritur rolin udhëheqës të gruas në fushat e të drejtave të grave dhe ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe paqësore.

Sekretarja e Shtetit e Ministrit të Punëve të Jashtme të Finlandës, Johanna Sumuvuori, theksoi nevojën për një plan veprimi të gjerë të OSBE-së mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe nënvizoi nevojën për të fuqizuar gratë në ndërmjetësim dhe proceset e paqes. Ajo gjithashtu shtjelloi se si Shtetet Pjesëmarrëse mund të bëjnë më shumë brenda OSBE-së për këtë temë.

Zv/Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Robert Rydberg, theksoi gjetjet kryesore për promovimin e kryesimit dhe pjesëmarrjes së grave në negociatat e paqes, ndërmjetësimit dhe dialogjeve parandaluese. Ai gjithashtu parashtroi përparësitë e Kryesisë së ardhshme të OSBE-së në lidhje me axhendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë për vitin 2021.

Përfaqësuesit e Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Qendrën e Parandalimit të Konflikteve të OSBE-së evidentuan sfidat në zbatimin e Rezolutës 1325 në rajonin e OSBE-së. Pjesëmarrësit diskutuan se si Organizata në tërësi mund të punojë në mënyrë më efektive për të zbatuar Axhendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë, dhe si mund të forcohet bashkëpunimi midis shteteve pjesëmarrëse.