OBJEKTIVAT 2020

Shqipëria do të vijojë përpjekjet maksimale për parandalimin, menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve në hapësirën e OSBE-së.

Zgjidhja e konflikteve dhe përpjekjet për parandalimin e tyre do të jenë në krye të agjendës sonë, duke filluar nga ripërtëritja e veprimeve për të kontribuar në zgjidhjen paqësore të krizës në dhe përreth Ukrainës, e cila mbetet sfida më urgjente e sigurisë në Evropë.

Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë angazhimin e OSBE-së për zgjidhjen e konflikteve, duke mbështetur përpjekjet e bashkëkryetarëve të Grupit të Minskut të OSBE-së në kontekstin e konfliktit të Nagorno-Karabak-ut, në përputhje me Diskutimet Ndërkombëtare të Gjenevës per situatën ne Gjeorgji, dhe mekanizmave të parashikuar nga to, si dhe Procesin për zgjidhjen e konfliktit të Transnistrisë

Nga ana tjetër vendi ynë do të angazhohet për të promovuar mirëqeverisjen dhe parimet e anti-korrupsionit në gjithë hapësirën që mbulon Organizata.
Shqipëria njëkohësisht do të adresojë përpjekjet e përbashkëta për të gjitha vendet pjesëmarrëse të kësaj organizate, në shërbim të parandalimit të trafikimit të qenieve njerëzore, po ashtu edhe të luftimit të kulturës së pandëshkueshmërisë në përgjithësi.

Shqipëria do të ketë prioritet të veçantë në vitin 2020 edhe promovimin e universalitetit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.
Një rol të veçantë gjatë Kryesisë shqiptare natyrisht do të ketë edhe rinia e cila është përcaktuar si prioritet ndër-dimensional, jo vetëm për faktin se Shqipëria këtu mund të udhëheqë në bazë të shembullit të saj, por edhe në bazë të nevojës që rinia të mos të trajtohet më thjesht si një gjeneratë që vjen, por si një gjeneratë që ka nevojë për vëmendjen aktuale dhe për fuqizimin e rolit të saj në shoqëri dhe institucioneve në përgjithësi.

Gjithashtu, vlen të përmendet se vëmendje të veçantë gjatë Kryesisë shqiptare do të ketë edhe forcimi i rolit të gruas në nivel ndërkombëtar në proceset e paqes.
Të gjithë besojmë për një Kryesi të suksesshme përgjatë vitit 2020.