RENDESIA POLITIKE

Duke filluar nga data 1 Janari 2020, Shqipëria merr Kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përgjatë një viti kalendarik deri me datë 31 dhjetor 2020. Shqipëria do të marrë kështu, për herë të parë kryesimin e kësaj Organizate të rëndësishme. Si rrjedhojë ajo do të jetë pjesë e Trojkës së Kryesive të Organizatës së bashku me Italinë dhe Sllovakinë, të cilat respektivisht në vitet 2018 dhe 2019, ishin Kryesuese të Organizatës.

Nga data 1 Janar 2020, Shqipëria do të jetë në vëmendje jo vetëm të 56 vendeve të tjera pjesëmarrëse, por edhe vendeve partnere Mesdhetare dhe vendeve Aziatike, duke i dhënë kështu jo vetëm një rol më të gjerë diplomatik, por njëkohësisht edhe përgjegjësinë e madhe të drejtimit të një prej Organizatave më të mëdha dhe të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Angazhimi i Shqipërisë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe në atë të OSBE-së në tërësi, përbën një garanci të mirë për një Kryesi sa më të suksesshme. Gjithashtu, Shqipëria, si timoniere e Organizatës në vitin 2020 do të tregojë pjekuri, përgjegjësi të plotë, duke çuar përpara përpjekjet e kryera nga trojka (Itali 2018; Sllovaki 2019), për të siguruar në këtë mënyrë vazhdimësinë e prioriteteve të Organizatës.

Për Shqipërinë marrja e Kryesisë së OSBE-së për vitin 2020 është suksesi më i madh politik dhe diplomatik në angazhimet e saj multilaterale që nga anëtarësimi në NATO. Për këtë arsye, Shqipëria do të drejtojë OSBE-në e frymëzuar nga ndjenja e përgjegjësisë dhe e motivuar nga vendosmëria për të kontribuar në sigurinë, stabilitetin dhe demokratizimin e përgjithshëm të kontinentit.

Shqipëria i është bashkuar kësaj organizate në vitin 1991 dhe që nga atëherë ka qenë përfituese e madhe në shumë drejtime institucionale, veçanërisht në periudhën e tranzicionit, për të zhvilluar një shtet më të fuqishëm me vlera demokratike dhe natyrshëm në shërbim të respektimit të të drejtave themelore.

Pothuajse vetëm tre dekada më pas, Shqipëria sot është pranë momentit historik që ka filluar përgatitjet për marrjen e drejtimit të kësaj organizate për të dhënë kontribut përmbajtësor në të.
Duke investuar në multilateralizmin efektiv dhe duke ju bashkuar shteteve që mendojnë dhe veprojnë në mënyrë të ngjashme, sigurojmë edhe me tej sigurinë dhe promovimin e vlerave të përbashkëta të të drejtave universale.

Përpos mundësisë së shkëlqyer për të rritur ndjeshëm promovimin e saj si një vend aktiv duke kontribuar në paqen dhe stabilitetin global, përmes Kryesimit të OSBE-së, Shqipëria ka marrë një sfidë të jashtëzakonshme, por gjithsesi edhe një vlerësim të merituar ndërkombëtar për rolin e saj aktiv që ka pasur në promovimin e vlerave demokratike, sigurisë dhe stabilitetit në arenën ndërkombëtare.