MARRËDHËNIET SHQIPЁRI – AUSTRI

TЁ DHЁNA SHKURT MBI AUSTRINЁ

Republika e Austrisё ndodhet nё Evropën qendrore dhe ka njё popullsi prej mbi 8.8 milion banorёsh. Ajo ka njё sipёrfaqe prej 83,879 km2. Gjuha zyrtare ёshtё gjuha gjermane (standarti austriak). Austria ёshtё njё republikё federale e përbërë nga nëntë shtete federale ose “Lande”. Kryeqyteti dhe qyteti më i madh është Vjena, me një popullsi më të madhe se 1.8 milion.

Parlamenti austriak përbëhet nga dy dhoma: Këshilli Kombëtar “Nationalrat” (dhoma e ulët), i cili pёrbёhet nga 183 anëtarë të zgjedhur direkt çdo 5 vjet dhe Këshilli Federal “Bundesrat” (dhoma e përfaqësuesve të landeve), aktualisht me 61 pёrfaqësues tё zgjedhur nga parlamentet e landeve.Austria ёshtё anëtare e Kombeve të Bashkuara që nga viti 1955, anëtare e Bashkimit Evropian qё nga viti 1995 dhe përdor monedhën euro qё nga viti 1999.

PËRMBLEDHJE

 Austria i kushton njё vëmendje tё veçantë Ballkanit Perëndimor pёr shkak tё traditёs sё saj politike, ekonomike e kulturore me kёto vende si dhe pёr shkak tё afёrsisё e rёndёsisё gjeostrategjike tё rajonit. Nё thelb tё politikёs sё jashtme austriake kundrejt rajonit tonё, mbetet mbёshtetja e politikёs sё zgjerimit dhe pёrfshirja e rajonit nё BE.

Ajo ka qenё mbёshtetёse e fortё e bashkëpunimit rajonal, veçanёrisht tё projekteve si Zyra e Bashkёpunimit Rinor Rajonal ose Regional Youth Cooperation Office. Austria ka qenё gjithashtu aktive nё kuadёr tё BE-sё dhe ka mbështetur zbatimin e reformës në drejtësisë nё Shqipёri. Ndër të tjera ka mbështetur Ministrinё e Drejtësisë në kuadër të programit EURALIUS apo në zbatimin e politikave kombëtare anti-korrupsion dhe reformat në fushën e drejtësisë.

MARRËDHËNIET DYPALЁSHE

 Marrëdhëniet diplomatike me Republikёn e Austrisё janë vendosur nё 18 shkurt 1922 dhe janё rivendosur nё 7 shkurt 1956.

Vendi ynё e ka listuar Austrinё midis katёr partnerёve strategjikё rajonal. Shkëmbimi i vizitave dypalëshe të nivelit të lartë ka qenë intensive dhe ka kontribuar në intensifikimin e marrëdhënieve tona bilaterale. Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Vienë, në 30 Maj 2018, me ftesë të kancelarit Kurz ndërkohë që Ministri i Jashtëm austriak, Aleksandër Schallenberg zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, më 7-8 tetor 2019, dhe një tjetër vizitë së bashku me Ministren për Evropën, Karoline Edstadler, në 28 Maj 2020.

Marrëdhëniet midis Parlamenteve të dy vendeve gjithashtu kanë qenë intensive dhe kanë ardhur duke u zgjeruar, përfshi këtu shkëmbimin e vizitave në nivelet më të larta.

Të dy vendet zhvillojnë konsultime të rregullta politico-diplomatike, të cilat janë zhvilluar në mënyrë të alternuar në Vienë dhe në Tiranë. Konsultimet e fundit diplomatike u zhvilluan në 11 shkurt 2019 në Vienë. Shqipëria dhe Austria bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadrin e organizmave ndërkombëtare ku ato janë antare, përfshi mbështetjen e ndërsjelltë për një vend si antar – jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Shqipëria në periudhën 2022-2023 dhe Austria 2027-2028). Austria ka mbështetur Shqipërinë për marrjen e Kryesimit të OSBE-së (2020) dhe gjatë Kryesisë me ekspertë dhe ekspertizë.

Austria ka mbështetur Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmeteve të fundit që goditën vendin në 21 Shtator 2019 dhe 26 Nëntor 2019 dhe të situatës së vështirë të krijuar nga COVID-19. Qeveria austriake në Konferencën e fundit Ndërkombëtare të Donatorëve (17 shkurt 2020) konfirmoi akordimin e 1 milion euro për procesin e rindërtimit, ndihma humanitare arriti në 600.000 euro dhe 200.000 euro u akorduan si ndihmë për përballimin e pasojave të tërmetit të 21 Shtatorit 2019. Qeveria austriake ka angazhuar burime financiare dhe ndihmë humanitare për përballimin e pasojave të shkaktuara nga pandemia e COVID – 19.

Austria ёshtё mbёshtetёse e fuqishme e Shqipërisë nё procesin e integrimit nё BE dhe e hapjes sё negociatave. Mbёshtetja e saj konstatohet nёpёrmjet projekteve tё shumta e tё ndryshme si: aktivitetet e grupimit “Miqtё e Shqipёrisё”; konsultimet dypalёshe; programeve trajnuese tё Akademisё Diplomatike Vjenё; bashkёpunimi policor i shkёmbimit tё tё dhёnave; ndihmesa ndaj institucionit tё Avokatit tё Popullit; programet e ndryshme nё fushat e ekonomisё, zhvillimit, mjedisit si dhe nё kulturё, arsim, shkencё e shoqёrinё civile.

Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) është angazhuar aktualisht me 13 projekte në Shqipëri, të cilat kapin një vlerë prej rreth 24,5 milion Euro. 79% e projekteve (19,4 milion Euro) janë fokusuar tek qeverisja dhe shoqëria civile; 12% ( 3,1 milion euro) ujra-kanalizime; 3% arsimi; 2% ndihma humanitare; 1% infrastruktura sociale dhe shërbimet.     

 Ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë ekzistojnë marrëdhënie tepër pozitive në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës. Në fushën e arsimit Austria ka kontribuar me anë të projekteve të saj, më i rëndësishmi prej të cilëve është hapja në vitin 2006 e shkollës së mesme me profil teknik (HTL) në Shkodër, një shkollë me personel pedagogjik austriak, e cila është një prej 6 shkollave të tilla që Austria ka hapur në gjithë botën. Në vijim të eksperiencës tepër pozitive të kësaj shkolle, si në aspektin e pjesëmarrjes dhe në atë të mësimdhënies, qeveria shqiptare me asistencën teknike të qeverisë austriake, ka vendosur hapjen e një shkolle të ngjashme edhe në Tiranë. Projekti është në fazën e implementimit. Edhe në fushën e kulturës ka një bashkëpunim aktiv ndërmjet institucioneve kulturore të të dy vendeve.

TREGTIA DHE INVESTIMET DYPALЁSHE

 Volumi i shkëmbimit tregtar midis dy vendeve për vitin 2017 ishte rreth 81 milionë euro. Bashkëpunimi ekonomik ka shfaqur tendencë në rritje nё krahёsim me vitin 2016 (65.7 milionë euro), por potenciali midis dy vendeve ёshtё mё i madh.  Austria renditet ndër vendet me investime tё larta nё Shqipёri. Pёr vitin 2017 ajo renditej nё vendin e shtatё. Volumi i investimeve llogaritet nё rreth 554 mil. Euro (2019).

Fushat kryesore të investimeve austriake në Shqipëri janë: sistemi bankar (Banka Raiffeisen), sistemi sigurimeve (Uniqa & Wienerstädtische), energjitika (Verbund), minierat (DCM), infrastruktura, etj. Fushat e investimeve me interes për të ardhmen e afërt janë: projektet energjetike (hidro) dhe energjia e rinovueshme, teknologjia e ambientit, menaxhimi i mbetjeve dhe menaxhimi i ujërave, projektet në turizëm, etj. Sipas informacioneve më të fundit janë 57 kompani austriake që veprojnë në Shqipëri, 15 prej tyre janë kompani të përbashkëta me partnerë shqiptarë.

Tё dy vendet po përpiqen të forcojnё e thellojnё mё tej kёtё bashkёpunim nёpёrmjet forumeve ekonomike, shkёmbimeve politike, krijimit të një klime pozitive pёr investimet e huaja nё Shqipёri etj.