MARRËDHËNIET SHQIPËRI-ÇEKI

TË DHËNA SHKURT MBI ÇEKINË

Republika Çeke është një vend në Evropën Qendrore, që ka një sipërfaqe prej 78.866 km2 dhe një popullsi prej 10.6 milion banorësh. Republika Çeke është një vend pa dalje në det, i kufizuar nga Austria, Gjermania, Polonia dhe Sllovakia. Gjuha zyrtare është çekishtja. Republika Çeke është një vend pluralist shumëpartiak dhe demokraci parlamentare. Parlamenti përbëhet nga dy Dhoma, ajo e Deputetëve (200 anëtarë) dhe Senati (81 anëtarë). Presidenti është kryetari zyrtar i shtetit me kompetenca të kufizuara dhe specifike. Që nga viti 2013, Presidenti zgjidhet nga populli. Kryeministri është kreu i qeverisë.

PËRMBLEDHJE

Niveli aktual i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke është shumë i mirë. Çekia ka dhënë e vazhdon të japë një kontribut të qenësishëm për proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Zëri i Çekisë, si pjesë edhe e Grupit të Vishegradit (V4) ka qenë i rëndësishëm në lidhje me përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj evropiane. Të dy vendet kanë shprehur vullnetin politik të zgjerojnë edhe më tej marrëdhëniet tradicionale, duke promovuar përdorimin më efikas, të hapësirave të pa eksploruara deri më tani, në fushën ekonomike dhe të marrëdhënieve tregtare, veçanërisht në sferën e energjisë, transportit hekurudhor, turizmit, kulturës, arsimit dhe shkencës.

 

Vizitat më të fundit në nivel të lartë përfshijnë vizitën në Pragë, më 10 shtator 2020, e Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Gent Cakaj, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik dhe Mjedisor të OSBE-së, ku zhvilloi një takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, z. Tomáš Petříček; vizitën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, z. Tomas Petříček, më 14 mars 2019, në Tiranë; vizitën e  Sekretarit të Shtetit të Ministrisë çeke të Punëve të Jashtme, z. Stašek, më 20 maj 2019, në Tiranë, si dhe vizita në Shqipëri e të Dërguarës Speciale të Ministrisë çeke të Punëve të Jashtme për Ballkanin Perëndimor, znj Hrebickova, më 19-20 shkurt 2020.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë vendosur  më 05 korrik 1922 dhe u ndërprenë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por u rivendosen më 10 dhjetor 1945. Marrëdhëniet u ngritën në nivel Ambasadori më 02 gusht 1954, u ulën në nivel të Ngarkuari me Punë në vitin 1961, për t’u ringritur në nivel Ambasadori në vitin 1992. Nga të dy vendet vihet re me kënaqësi se vitet e fundit marrëdhëniet kanë fituar një moment të ri me shkëmbim vizitash politike në nivelet më të larta. Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama në Pragë, në tetor 2015, shtroi rrugën për mundësi të reja bashkëpunimi mes dy vendeve. Shumë vizita të tjera në nivel ministrash kanë ndjekur këtë vizitë. Gjithashtu, bashkëpunim i mirë është shënuar edhe në nivel parlamentar. Shkëmbimet kanë qenë të shpeshta në të dyja anët, si në nivel të kryetarëve të parlamenteve ashtu edhe të komisioneve parlamentare, duke krijuar kushtet për nxitje të mëtejshme të bashkëpunimit.

TREGTIA DHE INVESTIMET DYPALËSHE

Marrëdhëniet pozitive dypalëshe në nivel politik janë reflektuar gjithashtu në bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve, që ka shënuar një tendencë pozitive. Të dyja palët kanë shprehur interesin e përbashkët që të intensifikojnë marrëdhëniet në këtë fushë. Ky është një moment i mirë  për të rritur praninë e kompanive çeke në tregun shqiptar. Aktualisht, investimet çeke arrijnë në 52 milion euro dhe gjatë viteve të fundit është shënuar një trefishim në volumin e shkëmbimeve tregtare, që ka arritur në 73 milion euro, në 2017. Një Forum biznesi u mbajt në Tiranë, në shkurt 2018.

Turistët çekë kanë shfaqur një interes të shtuar për të vizituar vendin tonë, gjatë gjithë vitit. Numri i turistëve çekë dhe atyre shqiptarë në vendet respektive është dyfishuar. Çdo verë, operon një linjë direkte avioni, tre herë në javë, në itinerarin Pragë-Tiranë –Pragë