MARRËDHËNIET SHQIPËRI-DANIMARKË

Marrëdhëniet dypalëshe

Marrëdhëniet diplomatike me Mbretërinë e Danimarkës janë vendosur më 29 maj 1970. Mbulimi diplomatik i Danimarkës realizohet nga Ambasada e RSH në Kopenhagen, ndërsa Danimarka e mbulon Shqipërinë nga Misioni Përhershëm pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë.

Vizita e fundit zyrtare e realizuar në Danimarkë është ajo e datës 8 korrik 2020  nga Ministri n. d. për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj, që përkoi edhe me 50 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Interesimi danez ndaj vendit tonë filloi të rritej me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Danimarka ka mbështetur fort reformat demokratike të ndërmarra në vendin tonë dhe ajo ka financuar një sërë programesh  e projektesh ndihme për zhvillim, ku më kryesori ka qenë dhe vijon të jetë institucioni i Avokatit të Popullit.

Danimarka vlerëson rolin e Shqipërisë në mbarëvajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave të nevojshme, që sipas saj kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.

Bashkëpunimi ekonomik

Pas mbylljes së Ambasadës së Danimarkës në Tiranë, Danimarka e mbulon Shqipërinë nga Vjena, por përsa i përket bashkëpunimit ekonomik, ai mbulohet nga Zyra e Këshillit për Tregtinë me Seli në Zagreb. Kjo zyrë mbulon bashkëpunimin ekonomiko-tregtar të Danimarkës me Kroacinë, Kosovën, Slloveninë edhe Shqipërinë.

Biznesi danez ka treguar interes për investime në fusha të tilla si energjia e rinovueshme, turizmi, tregtia, etj. Vendet tona po përpiqen të forcojnë e thellojnë bashkëpunimin ekonomiko-tregtar përmes forumeve dhe konferencave ekonomike, shkëmbimeve politike, lehtësirave për investimet daneze, si dhe rritjen e eksporteve shqiptare drejt tregut danez dhe atij skandinav.

Investimet daneze në Shqipëri janë në nivele të kufizuara, por ka interes në disa fusha si turizmi (në qershor 2018 për herë të parë filluan fluturimet direkte charter Kopenhagen-Tiranë) dhe numri i turistëve danezë është rritur konsiderueshëm. Disa prej tyre kanë filluar të investojnë në tregun Imobiliar shqiptar.

Referuar QKB, deri në qershor 2020 në Shqipëri janë të regjistruara 7 (shtatë) biznese daneze, ku 4 prej tyre rezultojnë me kapital 100% të huaj. Bizneset daneze në Shqipëri operojnë në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Lushnje, me veprimtari në fushën tregtisë me shumicë dhe pakicë dhe të shërbimeve administrative dhe mbështetëse, akomodimi, energji elektrike etj.