MARRËDHËNIET SHQIPËRI- FRANCË

TË DHËNA SHKURT MBI FRANCËN

Franca është një vend i Evropës perëndimore, me një sipërfaqe prej 672051 km2 dhe një popullsi prej rreth 68 milion banorë. Franca është një demokraci liberale, me një regjim politik republikë kushtetuese gjysmë-presidenciale me dy dhoma, Asamblenë parlamentare dhe Senatin. Ajo luan një rol të rëndësishëm gjeopolitik në nivel botëror, është një nga 5 anëtaret e përhershëm të KS të OKB-së dhe ka baza ushtarake në të gjithë kontinentet. Franca është ekonomia e dytë evropiane, pas Gjermanisë, dhe ekonomia e shtatë botërore. Kultura dhe civilizimi i saj përdoren nga vendet frankofone në gjithë botën, të bashkuar në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë. Frengjishtja është një nga gjuhët më të përhapura në botë, një nga 6 gjuhët zyrtare të OKB-së, një nga dy gjuhët zyrtare të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik dhe një nga 3 gjuhët e punës së BE-së.

 

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet midis Francës dhe Shqipërisë janë të hershme. Franca ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës së parë botërore me krijimin e Republikës autonome të rajonit të Korçës. Gjithashtu Franca ka qenë vendi i parë perëndimor që ka rivendosur përfaqësinë e saj diplomatike në Tiranë në vitin 1945.

 

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet me Francën janë ruajtur madje edhe gjatë periudhës së komunizmit (Franca si i vetmi vend perëndimor me të cilin Shqipëria komuniste mbante një nivel marrëdhëniesh dhe këmbimesh).Franca dhe Shqipëria kanë nënshkruar një traktat mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në vitin 1994. Gjatë 3-4 viteve të fundit, ka pasur një intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe politike që u kurorëzua, në mars 2017, me nënshkrimin e Partneritetit Strategjik, të shoqëruar në të njëjtën kohë edhe me marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Lidhur me çështjet e integrimit evropian, ka një vullnet të mirë nga ana e Francës, sepse kjo bën pjesë në vizionin europian të presidentit francez. Procesi bazohet në meritën e çdo shteti. Franca e shikon procesin e integrimit të Shqipërisë dhe rrjedhimisht hapjen e negociatave si një proces që duhet zhvilluar me hapa të matshëm dhe të qëndrueshëm.

Franca i vë rëndësi të veçantë zhvillimeve gjeopolitike në Ballkan dhe situatës së sigurisë në rajon. Rilançimi i dinamikës europiane në vendet e BP, i iniciuar në vitin 2014 nga një grup shtetesh anëtare të BE-së, me anë të procesit ndërqeveritar i quajtur si “procesi i Berlinit”, ka si prioritet bashkëpunimin rajonal dhe lidhjen ekonomike-njerëzore të Rajonit. Franca është e angazhuar për të dhënë ndihmën e saj, me anë të mjeteve të përshtatshme, duke rritur praninë e saj në Ballkan, veçanërisht me zhvillimin e partneriteteve të strukturuara që i përgjigjen prioriteteve të rinjve të rajonit.

 

TREGTIA DHE INVESTIMET DYPALËSHE

Në vitet e fundit, administrata franceze e ka vënë shumë theksin te diplomacia ekonomike. Prezenca ekonomike-tregtare e Francës është ende jo e madhe në krahasim me potencialin e saj, por është në rritje dhe në disa raste në sektorë kyç dhe të së ardhmes, si p.sh. Safran/Sagem koncesioni për prodhimin e pasaportave biometrike dhe IDs ; kompania “Spieacpag”, filial i grupit të madh francez “Vinci”, në ndërtimin e gazsjellësit TAP, Miniera e bitumit ne Selenice; sektori bankar me  Société Générale dhe Crédit Agricole ; etj.

Që prej 2013, Klubi i Biznesit Francë-Shqipëri, është njohur nga autoritetet franceze dhe ka fituar statusin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri. Kjo dhomë është shumë aktive, me një numër në rritje të anëtareve dhe një instrument shumë i mirë i bashkëpunimit ekonomik dhe i tërheqjes së investimeve franceze