MARRËDHËNIET SHQIPЁRI – GJERMANI

TЁ DHЁNA SHKURT

Gjermania shtrihet në një sipërfaqe prej 357, 386 km2 dhe është vendi më i populluar i Bashkimit Evropian, me mbi 81 milion banorë. Kryeqyteti dhe metropoli më i madh që nga ribashkimi i Gjermanisë Lindore me atë perëndimore në 3 tetor 1990, është Berlini. Gjuha zyrtare është ajo Gjermane dhe besimi fetar dominues është feja e Krishterë.

Republika Federale Gjermane ka qenë një nga vendet themeluese të  Komunitetit Ekonomik të Evropës në 1957 dhe të Bashkimit Evropian në vitin 1993.

Gjermania është një Republikë Federale Parlamentare e përbërë nga 16 shtete (ose  Lande), në Evropën Perëndimore dhe Qendrore. Pushteti Legjislativ ushtrohet nga Bundestag dhe Bundesrat.  Gjermania është anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO, G&7, G20 dhe OECD (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim). Statusi i kreut të qeverisë theksohet si një figurë kryesore. Kreu i shtetit është Presidenti Federal por ky rol është më shumë ceremonial sepse kreu i qeverisë dhe figura politike udhëheqëse është Kancelari.

Si një lider global në disa sektorë teknologjik industrialë, Gjermania është eksportuesi dhe importuesi i tretë më i madh në botë i mallrave. Një vend i zhvilluar me një standard shumë të lartë jetese, ajo mbështet një sistem të kujdesit social dhe kujdesin shëndetësor universal, mbrojtjen e mjedisit dhe edukimin falas në universitetet publike.

 PËRMBLEDHJE

 Që prej vitit 1986 kur Shqipëria dhe Gjermania vendosen për herë të parë marrëdhëniet diplomatike, të dy vendet kanë treguar një dëshirë të madhe dhe vullnet të fortë për të rritur bashkëpunimin dypalësh. Nga momenti kur Shqipëria u fut në procesin e demokratizimit në 1991, partneriteti mes dy vendeve është forcuar gjithnjë e më shumë. Gjermania e konsideron Shqipërinë si një aktor kyç që luan një rol parimor, dinamik dhe stabilizues në Rajonin e Vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria vlerëson shumë asistencën e vazhdueshme të Gjermanisë në reformat e brendshme siç është reforma në drejtësi dhe gjithë mbështetjen që Gjermania ka treguar lidhur me procesin e hapjes së negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe gjatë presidencës gjermane të BE. Gjermania është një nga partnerët më të ngushtë i cili në vazhdimësi mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të avancuar drejt procesit të Integrimit Evropian duke treguar gjithashtu një qëndrim permanent në mbështetje të zgjerimit të BE.

 MARRËDHËNIET DYPALËSHE

 Marrëdhënia Gjermani-Shqipëri është shumë pozitive dhe e udhëhequr nga një shpirt partneriteti. Gjermania promovon dhe mbështet stabilitetin, demokracinë, zbatimin e ligjit në Shqipëri dhe rajon duke mbështetur proceset transformuese. Në vitin 2018, vendet tona festuan 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Marrëdhënia dypalëshe vlerësohet shumë e mirë dhe e shtrirë në të gjitha fushat.

Shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë ka qënë i shpeshtë gjë e cila ka ndikuar në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve bilateral. Kryeministri shqiptar, z.Edi Rama, ka vizituar disa Gjermaninë (2017, 2018, 2019 dhe Janar 2020) ndërkohë që Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, më 8 korrik 2015.

Të dy vendet zhvillojnë konsultime të rregullta politiko – diplomatike në Berlin dhe Tiranë. Konsultimet e fundit diplomatike, për shkak të kufizimeve të imponuara nga situata me COVID – 19, u zhvilluan në 14 tetor 2020, në formatin online.

Shqipëria dhe Gjermania kanë bashkëpunuar ngushtësisht në kuadrin e organizatave ndërkombëtare ku ato bëjnë pjesë, përfshi mbështetjen e ndërsjelltë për një vend antar jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (Gjermania për përiudhën 2019-2020 dhe Shqipëria për përiudhën 2022-2023) dhe mbështetja e kandidaturës gjermane për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së. Marrëdhëniet midis parlamenteve të dy vendeve gjithashtu kanë qenë mjaft intensive, përfshi shkëmbimin e vizitave të niveleve të larta parlamentare dhe angazhimin e Bundestag-ut gjerman në mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Gjermania është në favor të ekzaminimit të kujdesshëm të reformave të nevojshme në udhëtimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE nëse ato po realizohen ashtu siç duhet.

Gjermania mbështeti Shqipërinë në përballimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti i fundit shkatërrimtar që goditi Shqipërinë në 26 Nëntor 2019 dhe për situatën e vështirë të krijuar nga pandemia e COVID -19. Në Konferencën e fundit Ndërkombëtare të Donatorëve (17 shkurt 2020), qeveria gjermane konfirmoi angazhimin e saj me 11 milion euro për procesin e rindërtimit. Qeveria gjermane ka angazhuar burime financiare (rreth 11 milion euro) dhe ndihmë humanitare për përballimin e pasojave të pandemisë së COVID-19.

Gjermania mbështet rolin e Shqipërisë në procesin e Berlinit si një lider aktiv në një marrëdhënie të paqtë dhe fqinjësi të mirë, të ndërlidhur me një agjendë dinamike si dhe vendosjen e Zonës Ekonomike Rajonale.

TREGTIA DHE INVESTIMET DYPALËSHE

Gjermania është në vendin e 11 të investimeve të drejtpërdrejta në Shqipëri. Në periudhën janar – tetor 2019, shkëmbimet tregtare midis dy vendeve arritën në 404 milion euro, ku eksportet shqiptare ishin 98 milion euro ndërsa importet nga Gjermania arrinin në 306 million euro.

Republika Federale e Gjermanisë është “Donator direkt” në formë të financimeve të ndryshme si (grante, hua të buta, asistencë teknike) në shumë fusha të ekonomisë, por edhe si një “donator indirekt” në kuadër të kontributeve të Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara. Prej 1988, Gjermania ka ofruar mbi 1 miliard euro fonde asistence pë Shqipërinë (përfshi kontributet e saja përmes BE, OKB dhe Bankës Botërore), duke e bërë Gjermaninë në donatorin më të madh dhe më të rëndësishëm në planin bilateral.

Gjermania mbështet vendin me projekte të përbashkëta për shkollat e formimit profesional  dhe sipërmarrjet e vogla e të mesme, kryesisht në rajonet rurale, duke nxitur kështu përmes masave në infrastrukturë dhe mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e potencialit turistik të vendit; jep gjithashtu  mbështetjen  e saj për veprat madhore infrastrukturore, si dhe për zbatimin e reformave të rëndësishme të vendit (bashkëpunimi teknik).

Përsa i përket bashkëpunimit për zhvillim midis Shqipërisë dhe Gjermanisë në 2018 dhe 2019, pala gjermane ka vënë në dispozicion hua dhe grante të bashkëpunimit financiar me një vlerë prej 147,9 milion euro dhe fonde të bashkëpunimit teknik në një shumë prej 20,5 milion euro. Përveç kësaj, një “kredi e butë” prej 150 milion euro ishte miratuar gjatë negociatave qeveritare në 2018 për të mbështetur reformat në sektorin e energjisë në Shqipëri. Nga kjo shumë, 100 milion euro do të jepeshin nga ana e KfË dhe 50 milion euro nga ana e agjencisë franceze të ndihmës (AFD). Bashkëpunimi për zhvillim midis Shqipërisë dhe Gjermanisë fokusohet në këtë drejtime: energjia, ujësjellës – kanalizime dhe trajtimi i mbetjeve urbane; zhvillimi i qëndrueshëm ekomnomik (përfshi edhe arsimin profesional).

Investitorët gjermanë janë aktualisht aktivë në Shqipëri në fushat e transportit dhe logjistikës (porteve), shërbimeve financiare, infrastrukturës (pronat e zyrave), prodhimin e materialeve të ndërtimit, prodhimin e tekstilit, farmaceutikën dhe në fushën e prodhimit të kabllove.  Investitorët më të mëdhenj gjermanë në Shqipëri janë:  Procredit Bank (100% Procredit Holding) – shërbime financiare; Tirana Business Park (100% Lindner Projektentwicklungs-GmbH) – pasuri të paluajtshme; Deutsche Lufthansa (100% Deutsche Lufthansa AG) – Transport; Forschner Albania (100% Forschner GmbH) – prodhimi i kabllove; PSZ Electronic GmbH (100% PSZ Electronic GmbH) – prodhimi i kabllove. Kompani të tjera gjermane kanë degët e tyre në vend apo tregtojnë prodhimet e tyre nëpërmjet partnerëve shqiptarë.

Një tjetër dimension konkret i kontributit të Qeverisë Gjermane, për t’u ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë evropiane me një rëndësi të madhe politike dhe ekonomike është Procesi i Berlinit, i cili ka një Agjendë të njohur si “Agjenda e Konektivitetit”, e cila fokusohet në projektet e ndërlidhjes infrastrukturore (transport, energji dhe tregti) dhe në masat e buta për to.  Nën frymën e kësaj iniciative për bashkëpunim Shqipëria ka rikonfirmuar qëndrimin e saj për lidhjet e sistemeve energjitike, infrastrukturore, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin Evropian