MARRËDHËNIET SHQIPERI-HUNGARI

TЁ DHËNA SHKURT MBI HUNGARINË

Hungaria është një vend në Evropën Qendrore me popullsi prej 10 milionë banorësh. Hungaria ka një sipërfaqe prej 93,030 kilometra katrorë dhe kufizohet me Sllovakinë në veri, Ukrainën në verilindje, Rumaninë në lindje dhe juglindje, Serbinë në jug, Kroacinë dhe Slloveninë në jugperëndim dhe Austrinë në perëndim. Gjuha zyrtare është hungarishtja. Kryeqyteti dhe qyteti më i madh është Budapesti. Hungaria është një shtet unitar dhe një republikë parlamentare. Parlamenti përbëhet nga 199 deputetë dhe zgjidhet një herë në katër vjet. Parlamenti zgjedh Presidentin e Republikës çdo pesë vjet. Presidenti shërben si kryetari i shtetit dhe ka kryesisht përgjegjësi dhe kompetenca përfaqësuese. Kryeministri zgjidhet gjithashtu nga Parlamenti, duke shërbyer si kreu i qeverisë dhe duke ushtruar pushtetin ekzekutiv.

 PËRMBLEDHJE

Ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë ekzistojnë marrëdhënie politike shumë të mira, të konsoliduara dhe të qëndrueshme. Nuk ka çështje të hapura midis dy vendeve. Dialogu politik konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve dypalëshe. Hungaria ka përdorur të gjitha mundësitë për të shprehur mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë dhe ka ofruar mbështetje konkrete me ekspertizë në kuadrin e programeve të binjakëzimit dhe të Fondit të Ballkanit Perëndimor. Hungaria ka treguar pa asnjë hezitim vullnetin për hapjen e negociatave të pranimit midis BE dhe Shqipërisë.

Vizita më e fundit në nivel të lartë është ajo e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, z. Péter Szijjártó, në Shqipëri, më 17 prill 2020, në një situate kaq të vështirë globale, për shkak të pandemisë COVID-19, gjatë së cilës zhvilloi një takim me Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Gent Cakaj dhe dhuroi në emër të Hungarisë 100.000 maska dhe 5.000 kostume mbrojtëse. Një vizitë tjetër e kohëve të fundit është ajo e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, z. Péter Szijjártó në Shqipëri, më 24 tetor 2019, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Mesdheut, të organizuar në kuadër të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së në 2020. Në këtë kontekst, Ministri Szijjártó zhvilloi takime me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama dhe Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj.

 

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet diplomatike me Hungarinë janë vendosur në mars 1922 (në nivel i Ngarkuar me Punë), ndërkohë kredencialet e para u paraqitën më 31 maj 1922. Të dy vendet kanë treguar vullnet të lartë për të intensifikuar më tej dialogun e tyre politik përmes vizitave të ndryshme në të gjitha nivelet, përfshirë vizitat e nivelit më të lartë, si një kontribut thelbësor për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë. Hungaria është një nga shtetet e para anëtare të BE-së që ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet BE dhe Shqipërisë. Parlamenti hungarez ratifikoi njëzëri marrëveshjen më 23 prill 2007. Tradita e gjatë dhe e mirë e miqësisë dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona janë të mirëkonsoliduara. Përtej aspektit historik, stabiliteti i Shqipërisë shihet si shumë i rëndësishëm për Hungarinë. Integrimi evropian i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor është një interes i madh për Hungarinë, duke qenë në afërsi të ngushtë dhe gjeostrategjike në rajon.

TREGTIA DHE INVESTIMET DYPALËSHE

Bashkëpunimi ekonomik tregon tendencë në rritje, edhe pse investimet tregtare janë ende modeste. Aktualisht, ende ekzistojnë vetëm disa kompani private nga Shqipëria dhe Hungaria që veprojnë në vendin tjetër. Kompania hungareze Wizzair ka nisur të operojë fluturimet Budapest-Tiranë tre herë në javë në pranverë të vitit 2016. Shkëmbimi tregtar mes dy vendeve ka arritur në 100 milionë euro në vitin 2017, pothuajse dyfishuar sasinë prej 54 milionë eurosh në 2016. Qeveritë e të dy vendeve po përpiqen të promovojnë dhe të rrisin këto marrëdhënie me mbajtjen e disa forumeve ekonomike, mbështetjes politike, krijimit të një klime pozitive të investimeve ose me mekanizma të tjerë si kufiri i vendit të qeverisë hungareze për Shqipërinë me 204 milionë euro, hapja e ‘Hungarian Trade House’ në Tiranë (qershor 2016), etj. Një forum biznesi u mbajt edhe në Tiranë në prill 2017.