MARRËDHËNIET SHQIPËRI-MBRETËRI E BASHKUAR

TË DHËNA SHKURT

Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe e Irlandës së Veriut, e njohur ndryshe si Mbretëria e Bashkuar, është monarki kushtetuese, bazuar në demokracinë parlamentare. Ajo përbëhet nga katër pjesë, Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut.

Kryetare e Shtetit është Mbretëresha Elizabeth e II e cila qëndron në këtë pozicion që prej vitit 1952.

Mbretëria e Bashkuar ka një sipërfaqe prej 242.495 kilometra katrore dhe një popullsi prej 66.6 milionë banorë. Kryeqyteti i vendit është Londra me një popullsi prej 10.3 milionë banorë. Qytete të tjerë të rëndësishëm të vendit janë Mançesteri, Liverpuli, Glasgou, Lidsi, Birmingami etj.

Parlamenti britanik përbëhet nga dy dhoma, Dhoma e Lordëve (House of Lords) me rreth 800 anëtarë dhe Dhoma e Ulët me 650 anëtarë. Kryeministri i vendit zgjidhet kryetari i partisë apo drejtuesi i koalicionit të partive të cilat përbëjnë shumicën në parlament (Dhomën e Ulët). Kryeministri zgjedh anëtarët e kabinetit të tij, të cilët formalisht emërohen nga Mbretëresha.

Mbretëria e Bashkuar është një fuqi e madhe globale. Ajo konsiderohet si ekonomia e pestë në botë, referuar GDP.

Mbretëria e Bashkuar është Anëtare e Përhershme e Këshillit të Sigurimit që prej sesionit të parë në 1946, është anëtare e BE, por bazuar në rezultatet e Referendumit të qershorit 2016, ecurisë së negociatave të BREXIT-it dhe zhvillimeve të brendshme politike, MB do të lerë këtë organizatë brenda dhjetorit 2020. MB është një ndër anëtarët më aktivë të NATO-s, gjithashtu anëtare e Vendeve të Komonuellthit, G7,G20, OECD, WTO etj.

Përmbledhje

Me ndryshimet e fillimit të viteve 90 në Europën Lindore dhe veçanërisht me shpërbërjen e ish Jugosllavisë, Britania e Madhe ka rritur dukshëm rolin dhe angazhimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Së bashku me SHBA-në dhe vendet e tjera evropiane, MB ka një kontribut të veçantë në drejtim të paqes e stabilitetit të rajonit të BP.

Britania e Madhe ka qenë një ndër vendet e para që ka kontribuar në drejtim të vendosjes së shtetit ligjor, respektimit të të drejtave të njeriut dhe vendosjes së rregullave të qarta të ekonomisë së tregut në Shqipërinë e pas ‘90. Qartësisht e vendosur në mbështetje të përmbushjes së aspiratës për integrimin euroatlantik të vendit në NATO dhe BE, MB mbetet një ndër aleatët e veçantë në këtë drejtim.

Samiti i Londrës në korrik 2018, është një tjetër tregues i rolit dhe vëmendjes që BM i kushton rajonit të BP. Ky Samit konfirmoi edhe njëherë angazhimin e BM në drejtim të rritjes së prezencës politike, ekonomike, diplomatike dhe në çështjet e sigurisë në vendet e BP. Ai ishte një provë e asaj që Kryeministrja May ka përsëritur në disa raste se “. . . me daljen nga BE Britania e Madhe nuk lë Evropën”, përkundrazi qasja e saj ndaj Evropës dhe veçanërisht ndaj Ballkanit Perëndimor do të marri një dimension të ri.

Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit 2019 dhe në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për rindërtimin (17 Shkurt 2020), qeveria britanike ofroi 1 milion paund për procesin e rindërtimit.

Marrëdhëniet dypalëshe

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe janë vendosur në 9 nëntor 1921. Qeveria Britanike njohu edhe qeverinë shqiptare të dalë pas 29 nëntorit 1944, por misioni britanik u largua në prill të vitit 1946 për shkak të kufizimeve, që qeveria shqiptare e kohës, vendosi lidhur me lëvizjen e anëtarëve të këtij misioni. Incidenti i Kanalit të Korfuzit, në maj të viti 1946, shënon dhe ndërprerjen përfundimtare të këtyre marrëdhënieve.

Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve u rivendosën më 29 maj 1991 nëpërmjet një komunikate të përbashkët të të dyja palëve.

Britania e Madhe në mënyrë konstante ka mbështetur anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe BE. Nëpërmjet programeve të shumta të bashkëpunimit ajo ka një kontribut të veçantë në drejtim të forcimit të sigurisë dhe të shtetit ligjor në vend (përmes financimit të projekteve në mbështetje të sistemit të drejtësisë dhe asistenca britanike në kuadrin e programit asistencës PAMECA III ), kualifikimit të të rinjve shqiptarë në universitetet prestigjoze britanike, si dhe në shkollat e larta ushtarake britanike.

Shkëmbimi i vizitave të niveleve më të larta, funksionimi i shkëlqyer i diplomacisë parlamentare (Grupi i Miqve të Shqipërisë ishte një ndër grupet e para të miqësisë të krijuara në parlamentin britanik pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017), stërvitjet e përvitshme midis forcave të armatosura shqiptare dhe atyre britanike janë tregues të qartë të një marrëdhënie solide bashkëpunimi bazuar në parimet e përgjithshme që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve dhe orientimit euroatlantik të të dy vendeve.

Të dyja vendet zhvillojnë konsultime të rregullta politiko-diplomatike, ku konsultimet e fundit diplomatike u zhvilluan në 28 qershor 2019, në Londër.

Bashkëpunimi midis dy vendeve ka ardhur duke u zgjeruar në drejtim të kontrollit të kufijve, luftës kundër krimit të organizuar, përfshi trafikimin e qënieve njerëzore dhe emigracionin e paligjshëm.

Bashkëpunimi dypalësh në fushën e mbrojtjes është në nivele shumë të mira. Zhvillimi i manovrave periodike ushtarake, stërvitjet e përbashkëta në territorin shqiptar, numri i bursave të dhëna nga britanikët për arsimimin e personelit tone ushtarak, përfshirë edhe Kolegjin Mbretëror të Marinës, janë tregues të fortë të intensifikimit të marrëdhënieve në këtë drejtim. Një tjetër tregues i forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes është hapja 2 vjet më parë e Zyrës së Forcave të Armatosura Britanike në Tiranë.

Tregtia dhe investimet

Në fushën e bashkëpunimit ekonomik Britania e Madhe mbetet një partner modest. Pavarësisht prezencës në vendin tonë të gjigandëve britanik si Vodafon, BP apo dhe të kompanive të mirënjohura ndërkombëtarisht të konsulencës ligjore e financiare, përsëri niveli i shkëmbimeve tregtare është në një nivel të ulët. Referuar Zyrës Kombëtare britanike të Statistikave, niveli i shkëmbimeve (import – eksport) midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Britanisë së Madhe për vitin 2019 ishte 1.581 miliardë paund eksporte dhe 394 milionë paund importe.

Ndërsa me Shqipërinë totali i shkëmbimeve për periudhën janar – shtator 2020 është 34 milionë Euro nga të cilat 30 milionë Euro eksporte dhe 4 milionë Euro importe. Në vitin 2019, totali i shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve ishte 26 milion paund (20 milion paund imported he 6 milion paund eksporte). Me punën e bërë në drejtim të prezantimit të ofertës ekonomike shqiptare në fushën e turizmit, mineraleve, industrisë së naftës, gazit, asaj metalurgjike, energjisë së rinovueshme etj, ky trend do të ndryshojë. Këtij qëllimi i kanë shërbyer jo vetëm kontaktet e drejtpërdrejta me përfaqësues të kompanive të mirënjohura britanike, por edhe forumet e biznesit të organizuar me synimin e thellimit të bashkëpunimit ekonomik.

Sipas Regjistrit Kombëtar Tregtar (QKB, Qershor 2019) në Shqipëri ka 146 biznese britanike që veprojnë në Shqipëri, konkretisht në Tiranë, Durrës, Vlorë në fushat e tregtisë me shumicë dhe pakicë; ndërtimet, aktivitetet e pasurive të patundshme etj. Ekziston një prani e kompanive britanike të njohura botërisht si British Petrolium, Deloitte & Touche, Pricewaterhouse Cooper, Ernst & Young dhe të tjera që shërbejnë si një histori suksesi për të tërhequr investitorë të tjerë të mundshëm nga Mbretëria e Bashkuar ose vendet e tjera.