MARRËDHËNIET SHQIPËRI-PORTUGALI


TË DHËNA MBI PORTUGALINË

Republika Portugeze apo Portugalia ndodhet në pjesën jug-perëndimore të Evropës, me dalje në Oqeanin Atlantik. Portugalia kufizohet në perëndim dhe jug nga Oqeani Atlantik dhe në lindje dhe veri nga Spanja. Në përbërje të shtetit Portugez bëjnë pjesë edhe disa ishuj në Oqeanin Atlantik, si: ishujt e Azoreve dhe Madeira. Portugalia ka një sipërfaqja prej 92.225 km2 dhe me një popullsi prej  10.3 milion banorësh. Kryeqytet i Portugalisë është Lisbona.Pas kushtetutës së 10 prillit 1976 (hyrë në fuqi më 25 prill 1976), Portugalia është republikë demokratike, gjysmë-presidenciale.

 

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike midis vendit tonë dhe Portugalisë janë vendosur në 22 qershor 1977. Të dy vendet janë përfaqësuar me ambasadorë jo rezidentë përkatësisht në Paris dhe Romë. Në vitin 2009, Shqipëria për herë të parë, hapi ambasadën e saj në Lisbonë e cila u mbyll në shtator të vitit 2014. Aktualisht Shqipëria përfaqësohet nëpërmjet ambasadës së saj në Paris, si dhe prej 3 konsujsh nderi të Shqipërisë  në Lisbonë, Porto dhe Madeira. Portugalia përfaqësohet nga ambasadori i saj në Romë dhe nga konsulli i nderit të Portugalisë në Tiranë.

 

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Midis Portugalisë dhe Shqipërisë ekzistojnë marrëdhënie të mira politike, mbështetjeje reciproke, mirëkuptimi dhe miqësie, të cilat kanë njohur vetëm rritje, duhet përmendur hapja e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë për rajonin e  Lisbonës si dhe hapja e Konsullatës së Nderit të Portugalisë në Tiranë. Shqipëria është e prirur të ruajë me Portugalinë, një bashkëpunim pragmatik si për çështje që përbëjnë objektiva imediatë për politikën tonë të jashtme, ashtu edhe për objektiva, synime, projekte më afatgjata, në organizata dhe nisma shumëpalëshe.

Portugalia ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme, si anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pavarësinë e Kosovës, ashtu edhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2007 kur Portugalia mori për herë të II-të presidencën e BE-së. Portugalia gjithmonë ka mbështetur pozitivisht dhe pa kushtëzime Shqipërinë dhe ka shprehur gatishmërinë për të dhënë eksperiencën e saj në procesin e integrimit evropian.

Të dyja vendet kanë mbështetur reciprokisht kandidaturat e tyre në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Shqipëria në vazhdimësi ka mbështetur të gjitha kandidaturat e Portugalisë për zgjedhje në organet e ndryshme të Kombeve të Bashkuara.

 

TREGTIA DHE INVESTIMET DYPALËSHE

Ekziston një vullnet dypalësh për rritjen e marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve të shprehura si në marrëveshjet e bashkëpunimit mes AIDA dhe AICEP, ashtu edhe me aktivitetin e dhomës së tregtisë Luso-Albanes. Në vitin 2017  eksportet shkuan në vlerën 27 milionë lekë, ndërsa në 2016 ishin 61 milionë lekë. Ndërsa për sa i përket importeve, në 2017 vlera ishte 1,644 milionë lekë, krahasuar me 2016-ën që ishte 1.372 milionë lekë