MARRËDHËNIET SHQIPËRI-SLLOVAKI

TЁ DHËNA SHKURT MBI SLLOVAKINË

Sllovakia e njohur zyrtarisht si Republika Sllovake është një vend pa dalje në det në Evropën Qendrore. Ajo kufizohet nga Polonia në veri, Ukraina në lindje, Hungaria në jug, Republika Çeke në veriperëndim dhe Austria në jugperëndim. Territori i Sllovakisë përfshin rreth 49,000 km2. Popullsia është mbi 5.4 milion dhe përbëhet kryesisht nga sllovakë. Qyteti më i madh është kryeqyteti Bratislava. Gjuha zyrtare është sllovakishtja. Sllovakia është republikë demokratike parlamentare me sistem shumëpartiak. Kreu i Shtetit sllovak dhe kryetari zyrtar i ekzekutivit është Presidenti, megjithëse me kompetenca shumë të kufizuara. Presidenti zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë popullor për një mandat pesë-vjeçar. Pjesa më e madhe e pushtetit ekzekutiv i përket kreut të qeverisë, Kryeministrit, i cili emërohet nga Presidenti. Trupi legjislativ më i lartë i Sllovakisë është Këshilli Kombëtar (Parlamenti) me një dhomë prej 150 vendesh. Deputetët zgjidhen për një mandat katër vjeçar në bazë të përfaqësimit proporcional.

 

PËRMBLEDHJE

Shqipëria dhe Sllovakia kanë ndërtuar tashmë një dialog të mirë e të vazhdueshëm, veçanërisht vitet e fundit, përmes shkëmbimit të vizitave të ndërsjellta në nivele të larta e shumë të larta. Vullneti i qeverisë shqiptare është për t`i çuar më tej këto marrëdhënie dhe po bëhen përpjekje që dialogu intensiv politik dhe fryma miqësore të reflektohen e materializohen më mirë në fusha me interes reciprok, si energji, turizëm, infrastrukturë, arsim, bujqësi dhe fushat e artit e kulturës.

Vizitat e fundit dypalëshe janë vizita në Bratislavë e Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Gent Cakaj, më 09 maj 2019 dhe vizita e Ministrit në Detyrë të Punëve Evropiane dhe të Jashtme të Republikës Sllovake, z Ivan Korcok, në Tiranë, më 07-08 mars 2018, ku u ri-konfirmua edhe një herë mbështetja e plotë e Sllovakisë për reformat e ndërmarra nga vendi ynë në proceset integruese.

 MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet historike reflektojnë marrëdhënie të hershme përpjekjesh të përbashkëta në kohëra të shkuara, për liri dhe dinjitet dhe mbrojtjen e vlerave të qytetërimit të sotëm. Marrëdhëniet diplomatike janë vendosur që në vitin 1945, shpejt pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në kuadër të marrëdhënieve me Çekosllovakisë. Por edhe me vonë, si dy shtete të ndara, marrëdhëniet u vendosën me Republikën Sllovake vetëm në 4 janar të vitit 1993. Pas periudhës së rënies së perdes së hekurt, marrëdhëniet midis dy vendeve patën një hov të ri në rendin tashmë të ndryshuar politik global, ku të dy vendet shihnin drejt demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik me tregti të hapura dhe të lira, të reflektuar si në planin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh.

Sllovakia ka ofruar një mbështetje të vazhdueshme sa i takon proceseve integruese të Shqipërisë. Në këtë kontekst, në mars 2015, gjatë vizitës në Tiranë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, z. Miroslav Lajčák, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit mes dy vendeve për çështjet e Integrimit Evropian. Në të gjitha takimet e niveleve të larta pala shqiptare është siguruar për këtë mbështetje që nuk është vetëm në planin politik, por duke ofruar konkretisht asistencë e ekspertizë edhe në drejtim të hapave që Shqipëria ka ndërmarrë vitet e fundit në ecurinë e saj evropiane. Republika Sllovake ka dhënë ndihmën e saj edhe për WBF (Fondi i Ballkanit Perëndimor) dhe Sekretariatin e saj të vendosur në Tiranë, duke ndjekur modelin e suksesshëm të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit. Gjithashtu, Sllovakia mbetet aktive në procesin bashkëpunimit mes IFV dhe WB6.

TREGTIA DHE INVESTIMET DYPALЁSHE

Niveli i shkëmbimeve tregtare me Sllovakinë paraqitet në shifrat e 15.59 milion euro në krahasim me 11.9 milion euro në vitin 2016 me një rritje në masën 24%  kryesisht prej rritjes së eksporteve. Rezultojnë gjithsej 10 kompani sllovake që janë në Shqipëri dhe ushtrojnë veprimtari kryesisht në fushat: tregtisë, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë, pasuritë e patundshme, dhënie me qira dhe shërbime për ndërmarrjet, ndërtim