MARRËDHËNIET SHQIPËRI-ZVICËR

Të dhëna shkurt

Konfederata zvicerane përbëhet nga 26 kantone dhe kryeqyteti është Bern-a. Popullsia e saj prek shifrën prej 8.549.474  banorësh dhe sipërfaqja saj është 41,285 km2.

Këshilli Federal Zviceran e njohu shtetin e ri Shqiptar në 1 mars të 1922. Në 1929 është nënshkruar marrëveshja e parë tregtare ndërsa në 1935 në Bernë u hap konsullata e parë shqiptare. Marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 1 korrik 1970. Misioni i parë diplomatik zviceran në Tiranë u hap në 1991, ndërsa në 1992 u hap ambasada e parë zvicerane. Që nga ajo kohë marrëdhëniet mes dy vendeve kanë ardhur duke u intensifikuar vazhdimisht.

Përmbledhje

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës janë shumë të mira. Aktualisht Zvicra është vendi i katërt donator në Shqipëri dhe partneri i 8-të tregtar. Ky partneritet është afatgjatë dhe ka filluar që nga 1992. Shqipëria e konsideron Zvicrën një partner shumë të besuar dhe një vend prioritar sa i përket bashkëpunimit për zhvillim. Të dyja vendet ndajnë interesin e tyre të përbashkët në zhvillimin dhe stabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Zvicra është ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Ajo mbështet lidershipin proaktiv rajonal të Shqipërisë si dhe aspiratat e Shqipërisë për në BE. Gjatë vitit 2020, megjithë situatën e vështirë të krijuar nga pandemia e COVID -19, vendet tona festuan 50 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Marrëdhëniet Dypalëshe

Marrëdhëniet dypalëshe fokusohen në bashkëpunimin për zhvillim, fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik, dhe bashkëpunimin në çështje të migracionit dhe ato konsullore. Shqipëria dhe Zvicra bashkëpunojnë shumë ngushtë në çështje të ndryshme të natyrës bilaterale apo ndërkombëtare.

Shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë ka qënë i shpeshtë gjë e cila ka ndikuar në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve bilateral. Kryeministri shqiptar, z.Edi Rama, ka vizituar 2 herë Zvicrën (2017 dhe 2018) ndërkohë që Ministri i Jashtëm zviceran, z.Ignazio Cassis, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, më 20 Nëntor 2020.

Të dyja vendet zhvillojnë konsultime të rregullta politiko-diplomatike, të cilat zhvillohen në mënyrë të alternuar në Bernë e Tiranë, ku konsultimet e fundit diplomatike u zhvilluan në 11 dhjetor 2019, në Tiranë. Po ashtu, Shqipëria dhe Zvicra bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të organizatave ndërkombëtare ku ato janë anëtare, përfshi edhe mbështetjen e ndërsjelltë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (Shqipëria në periudhën 2022-2023, Zvicra në periudhën 2023-2024). Marrëdhëniet ndërmjet Parlamenteve të të dyja vendeve po ashtu kanë qënë të shpeshta dhe intensive, duke përfshirë edhe shkëmbimin e vizitave të nivelit më të lartë parlamentar.

Zvicra ka mbështetur Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit 2019 dhe situatën e vështirë të krijuar nga pandemia e COVID – 19. Qeveria zvicerane konfirmoi angazhimin e 10,6 milion frangave zvicerane për procesin e rindërtimit, ndërkohë që ndihma humanitare arriti në mbi 1 milion franga dhe rreth 450.000 euro u përdorën për rehabilitimin e qëndrave shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Qeveria zvicerane ka angazhuar burimeve financiare (330.000 USD) dhe ndihma humanitare në përballimin e pasojave të shkaktuara nga pandemia e COVID – 19.

Kuadri ligjor që rregullon marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës është i shumëllojshëm. Ai konsiston në rreth 30 marrëveshje që mbulojnë fusha të tilla si tregtia, transportet, ekonomia, doganat, çështje konsullore, legale, sigurinë, energjinë, bujqësinë, etj.

Shqipëria dhe Zvicra nxisin këmbimet në fushën e kulturës dhe krijimin e lidhjeve ndërmjet artistëve dhe aktorëve të tjerë kulturorë në mënyrë reciproke. Ambasadat e Shqipërisë dhe Zvicrës mbështesin rregullisht veprimtari kulturore në muzikë, teatër, letërsi apo filma. Mjaft artistë shqiptarë kanë dhënë shfaqe në koncerte në të dyja vendet. Në Universitetin e Bernës së shpejti do të fillojë të funksionojë një cikël leksionesh të gjuhës shqipe që do ti paraprijë hapjes së katedrës së gjuhës shqipe.

Tregtia dhe Investimet dypalëshe

Tregtia ndërmjet të dyja vendeve është rritur në mënyrë të ndjeshme gjatë viteve ku Zvicra mbetet partneri i 8-të tregtar i Shqipërisë. Zvicra zinte një prej vendeve të para përsa i përket investimeve të huaja direkte në Shqipëri, gjatë periudhës Janar-Korrik 2018, me 194 milion euro. Disa kompani të mëdha zvicerane janë të pranishme në Shqipëri (përfshi TAP AG), ndërkohë që një numër në rritje i SME-ve zvicerane po zbulojnë tregun shqiptar. Aktualisht në Shqipëri veprojnë afërsisht 30 kompani zvicerane ndërsa 35 kompani shqiptare kryejnë aktivitet të rregullt tregtar me Zvicrën. Një hap tjetër i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve është edhe krijimi i Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Zvicër (ALSWISS), më 18 dhjetor 2020, në Gjenevë.

Veprimtaritë e Zvicrës në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim orientohen nga prioritetet për zhvillim të qeverisë shqiptare dhe synojnë mbështetjen e Shqipërisë në realizimin e agjendës së saj të reformave dhe rrugës së saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Zvicra ka mbështetur tranzicionin demokratik të Shqipërisë qysh prej 1992 me afërsisht 260 milion franga zvicerane. Strategjia për Bashkëpunim e Zvicrës përkundrejt Shqipërisë për periudhën 2017-2022, e financuar prej SDC dhe Sekretariatit Shtetëror për Ekonominë (SECO), me një buxhet vjetor prej rreth 26 milion franga zvicerane, fokusohet në katër drejtime kryesore: •  Demokratizim, decentralizim dhe qeverisje vendore; •  zhvillim ekonomik; • infrastruktura urbane dhe energjia, •  shëndetësia.