Olta Xhaçka

Ministri

Olta  Xhaçka

Znj. Olta Xhaçka, lindi në qytetin e Tiranës më 25 dhjetor 1979. Që prej janarit 2021, znj. Xhaçka mban postin e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme.

 

Ka përfunduar studimet e larta me titull nderi në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, si dhe studimet pasuniversitare Master në Administrim Publik, pranë Clark University në Masaçusets të SHBA-së.

 

Përpara angazhimit të saj politik, ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile, në fushën e të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes, si dhe ka punuar si lektore e shkencave politike në Universitetin e New York, Tiranë.

 

Prej vitit 2009 është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, fillimisht si përfaqësuese e qarkut të Korçës për dy legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë. Në qershor 2017 u zgjodh përfaqësuese e Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë dhe në zgjedhjet e përgjithshme të muajit prill 2021 u votua si deputete në Qarkun e Korçës, Bashkia Kolonjë.

 

Në mars 2017 znj. Xhaçka u emërua ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

 

Në shtator 2017 iu besua detyra e ministrit të Mbrojtjes, detyrë të cilën ajo e mbajti deri në janar të vitit 2021, gjatë së cilës drejtoi projekte me rëndësi në fushën e mbrojtjes si modernizimi i FA, zgjedhja e bazës ajrore të Kuçovës si e para dhe e vetme bazë ajrore e NATO-s në rajon apo certifikimi i Akademisë së Forcave të Armatosura si i vetmi institucion arsimor në fushën e mbrojtjes në Shqipëri.

 

Si aktiviste e të drejtave të njeriut, kryesisht në fushën e barazisë gjinore dhe si kryetare e Forumit të Grave Socialiste, znj. Xhaçka ka drejtuar Nënkomisionin Parlamentar për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje dhe ka qenë anëtare e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.

 

Znj. Xhaçka është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Ajo është e martuar me z. Artan Gaçi dhe ka 2 fëmijë.