Regjimi i vizave për shtetasit shqiptarë

DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM PËR MARRJEN E VIZAVE TË HUAJA

Dokumentacioni që duhet të sigurojë shtetasi shqiptar për të marrë vizë është i ndryshëm në funksion të legjislacionit të huaj dhe qëllimit të udhëtimit. Si rregull, shtetasit duhet të kenë pasaportë udhëtimi me vlefshmëri të mjaftueshme, të plotësojnë formularin e aplikimit, të paraqesin ftesën apo garancinë nga pritësi në vendin e huaj, si dhe sigurimin e udhëtimit/shëndetit për raste urgjence mjekësore dhe riatdhesim.
Në faqet elektronike të ministrive të vendeve të huaja apo vetë ambasadave të tyre ofrohet zakonisht informacion i nevojshëm.

REGJIMI I VIZAVE

Sot në datën 20 janar 2021 ka hyrë në fuqi Marrëveshja ndryshuese ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve

Konfirmojmë që shtojca I dhe II e Marrëveshjes ndryshohet, në mënyrë që shtojca e re të lexojë si vijon:

« Lista e dokumenteve të vlefshëm të udhëtimit të aplikueshme për shtetasit e Republikës së Shqipërisë për qëllimin e kësaj Marrëveshjeje do të konsiderohen:

Pasaportë ;

Pasaportë diplomatike

Pasaportë shërbimi

Një dokument udhëtimi për hyrje (kthim) në Republikën e Shqipërisë

Kartë identiteti biometrike »

Lista e dokumentave të vlefshëm të udhëtimit të aplikueshme për shtetasit e Republikës së Serbisë për qëllimin e kësaj Marrëveshjeje do të konsiderohen:

Pasaportë

Pasaportë diplomatike

Pasaportë shërbimi

Leje Kalimi

Kartë identiteti biometrike »

 

Informacioni që jepet në tabelën bashkëlidhur është vetëm orientues, sipas të dhënave më të fundit që disponon MEPJ. Shtetasit para se të udhëtojnë duhet të kontaktojnë me përfaqësinë më të afërt të vendit të destinuar për t’u informuar për kushtet e hyrjes dhe daljes në këtë vend.
MEPJ nuk është përgjegjëse për ndryshime ose pasaktësi në informacionin e dhënë.
Për vendet ku shtetasit nuk kanë nevojë për vizë afatshkurtër (shih në tabelë kolonën “Vizë Afatshkurtër”), informacioni “Përfaqësia ku aplikohet” jepet për rastet nëse ata do të kenë nevojë të kërkojnë vizë qëndrimi (vizë e ngjashme me atë tipit D).
Bashkëlidhur tabela me vendet: Regjimi i vizave për shtetasit shqiptarë.

ÇFARË DUHET TË KENË PARASYSH SHTETASIT PARA SE TË UDHËTOJNË?

Shtetasit duhet të sigurohen nëse në vendet ku do të shkojnë ka trazira politike, fatkeqësi natyrore, sëmundje dhe epidemi apo është e nevojshme të vaksinohen. Është e rekomandueshme të njihen më parë, aq sa është e nevojshme, për traditat, zakonet, doket e vendeve ku do të shkojnë.
Para udhëtimit shtetasit duhet të kenë me vete adresat e Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore të Republikës së Shqipërisë, që mbulojnë vendet ku do të udhëtojnë:
https://www.punetejashtme.gov.al/al/perfaqesite-diplomatike/perfaqesite-shqiptare-ne-bote

-Për shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të udhëtojnë në Shtetin e Katarit. Ju informojmë se mbajtja dhe hyrja me produktet e duhanit si mëposhtë, në këtë shtet do të ketë pasoja ligjore:
1. Chewing tobacco (duhan i përtypshëm)
2. Cigare elektrike, shisha dhe gjenerikën e të gjitha produkteve të duhanit
3. Chewing tobacco të të gjitha formave ose markave
4. Pajisje automatike për shitjen e cigareve
5. Reklamimi, Promovimi ose Sponsorizimi i duhanit ose derivateve të tij

-Për shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të udhëtojnë në Egjipt, lutemi gjeni bashkëlidhur udhëzimin për mbajtjen e ilaçeve për përdorim personal, gjithashtu sasinë e lejuar të medikamenteve, produkteve komzmetike, produkteve veterinare, si dhe tabelën me ilaçet apo produktet e ndaluara.

“Guidelines for carrying medicines with travelers to Egypt for personal use”

-Për shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të udhëtojnë në Provincën e Hajnan në Republikën Popullore të Kinës. Prej dates 1 maj 2018 mund të udhëtojnë pa vizë, për qëndrim afatshkurtër.

 

1) Regjimi i vizave me Arabinë Saudite


Ka hyrë në fuqi “Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Arabisë Saudite, për heqjen reciproke të vizave për qëndrim afatshkurtër për mbajtësit e pasaportave diplomatike, private dhe të shërbimit, për shtetasit e të dyja vendeve”.

Neni 1

Shtetasit e të dy palëve mund të hyjnë pa vizë (për motive zyrtare dhe private) në territorin e palës tjetër, pa viza, për qëndrim të pandërprerë ose me disa qëndrime, për një periudhë që nuk duhet tëkalojë (90) ditë brenda (180) ditëve, duke paraqitur një pasaportë të vlefshme diplomatike ose private (vetëm për shtetasit Saudit) dhe një pasaportë të vlefshme diplomatike ose shërbimi (vetëm për shtetasit shqiptarë).

Neni 2

Shtetasit e të dy palëve, mbajtës të pasaportave diplomatike dhe private (vetëm për shtetasit saudit), dhe mbajtës të pasaportave diplomatike ose shërbimi (vetëm për shtetasit shqiptarë), duhet të aplikojnë për vizë për qëndrim të pandërprerë ose me disa qëndrime për qëndrime më të gjata se ai i parashikuar në nenin 1.

2) Ndryshimi i regjimit të vizave me Republikën Domenikane (vetëm për shtetasit shqiptarë)

Shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në drejtim të Republikës Domenikane për qëllime turizmi dhe qëndrim deri në 30 ditë, ata përjashtohen nga detyrimi për t'u pajisur me vizë, me kusht që të pajisen paraprakisht me Kartën e Turizmit (Trajeta de Turismo), e cila mund të merret në agjencitë e udhëtimit ku kryhet blerja e biletës së udhëtimit, ose në aeroportin e hyrjes në Republikën Domenikane.

WEB: https://www.mirex.gob.do/servicios/visas/requisitos-dominicanos-en-el-extranjero/results?condicion=Dominicanos&country=4&tipoPasaporte=Ordinario&tipoVisa=visa_ts