TAKIMI I PARË NDËRQEVERITAR SHQIPËRI-MALI I ZI SHKODËR, 3 KORRIK 2018

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Më 3 korrik 2018 u zhvillua në Shkodër Takimi i parë ndërqeveritar Shqipëri-Mali i Zi. Delegacionet kryesoheshin nga Kryeministrat Edi Rama dhe Dushko Markoviç dhe përbëheshin nga 11 ministra. Në mbyllje u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp. Si side-event i aktivitetit u zhvillua Forumi i Biznesit, i organizuar nga Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe Agjencitë e Investimeve të dy vendeve. Gjatë G2G u nënshkrua një Deklaratë e Përbashkët dhe shtatë marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi/bashkëpunimi.

1.Takimi ndërqeveritar dhe konferenca për shtyp

Kryeministri Rama e vlerësoi mjaft të rëndësishëm këtë takim si një hap të parë drejt një cilësie të re të marrëdhënieve dypalëshe. Dy vendet bashkëpunojnë shumë mirë në kuadrin e proceseve të integrimit euro-atlantik, Procesit të Berlinit, etj. Ai evidentoi disa nga çështjet dhe projektet më të rëndësishme me impakt jo vetëm bilateral por edhe rajonal: Autostrada Adriatiko-Joniane, shtimi i pikave kalimtare kufitare, lidhja infrastrukturore mes Velipojës dhe Ulqinit, si dhe qasja e përbashkët ndaj Kosovës dhe Dialogut të saj më Serbinë. Duke përshëndetur marrëveshjen për hapjen e PKK Zogaj-Skje, Kryeministri Rama premtoi hapjen së shpejti të PKK Pulaj-Shën Nikolla dhe vënien në funksionim të PKK Grabon-Zetrijebacka Cijevna. Rama vlerësoi rolin pozitiv  të minoriteteve në dy vendet respektive, si pasuri shoqërore dhe kombëtare.

Kryeministri i Malit të Zi Markoviç theksoi mbështetjen për Shqipërinë në procesin e integrimit evropian, duke vënë në dispozicion tërë eksperiencën e vendit të tij në këtë drejtim.Ai nënvizoi rëndësinë e lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave në PKK, si dhe të bashkëpunimit në fushën e turizmit,mjedisit, bujqësisë, menaxhimit të ujërave, etj.Ai falënderoi Shqipërinë për miratimin e Ligjit të ri të minoriteteve, çka përkon me kërkesat e minoritetit malazez në vendin tonë. Markoviç premtoi zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ministritë e linjës, në funksion të G2G së ardhshme në Podgoricë.Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati vuri në dukje rëndësinë e realizmit të kërkesave të shqiptarëve në Malin e Zi, duke evidentuar se nga 13 pika të marrëveshjes së qeverisë me koalicionin e shqiptarëve, deri tani janë plotësuar vetëm tre. Ai nënvizoi rëndësinë e projekteve ndërkufitare, në funksion të politikave zhvillimore të brezit kufitar.Lidhur me çështjen e migracionit Kryeministri Rama hodhi poshtë zërat për ndërtimin e kampeve pritëse për migrantë nga vende të ndryshme. Ai mbështeti një zgjidhje në rrafsh evropian, ku Shqipëria do të japë kontribut brenda mundësive të saj, duke mbajtur parasysh parimet e solidaritetit dhe të drejtave të njeriut. Rama tha se gardhet në kufi nuk janë zgjidhja e problemit. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Kryeministri malazez, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit të vendit dhe humanizmit ndaj njerëzve në nevojë. Markoviç nuk mbështeti idenë e ngritjes së gardheve.

2.Forumi i Biznesit

Si side-event i G2G u zhvillua Forumi i Biznesit Shqipëri- Mal i Zi, i organizuar nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi. Synohej promovimi dhe nxitja e bashkëpunimit në fushën e tregtisë së përbashkët, turizmit, energjisë, transportit, bujqësisë, IT, përpunimit të drurit. Morën pjesë rreth 170 përfaqësues të kompanive të të dy vendeve.

Markovic theksoi zbatimin e projekteve ndërkufitare dhe veçanërisht atyre që kanë të bëjnë në krijimin e lidhjeve më të mira ekonomike me impakt në komunitetet e dy vendeve. Ai kërkoi rritjen e kapaciteteve për shfrytëzimin e potencialeve të përbashkëta mes dy vendeve dhe krijimin e  kushteve për të shtuar bashkëpunimin në krijimin e lehtësirave që nxisin shkëmbimin tregtar mes Shqipërisë e Malit të Zi. Kryeministri malazez u shpreh se i ka kërkuar kryeministrit Rama, në kontekstin e anëtarësimit në marrëveshjen CEFTA dhe të OBT-së, zgjidhjen e çështjeve të barrierave jodoganore.

Kryeministri Rama vuri në dukje se marrëdhëniet tona të shkëlqyera politike e shoqërore tejkalojnë nivelin e marrëdhënieve ekonomike. Ai u kërkoi Dhomave të Tregtisë që të përgatisin një raport me sugjerimet e komunitetit të biznesit se si mund të lehtësohen marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. Të dy kryeministrat ftuan biznesin për investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Presidenti i Shoqatës së Eksporteve Shqiptare Alban Zusi propozoi krijimin e një grupi të përbashkët pune për eliminimin e barrierave jotarifore, unifikimin e standardeve ushqimore (certifikatat), shërbimin fitosanitar dhe veterinar etj. Në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve duhet të funksionojë parimi i reciprocitetit.Në mbyllje të aktivitetit u nënshkruan dy Memorandume Bashkëpunimi për nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve.

Organizimi i G2G, tematikat e trajtuara, mesazhet e përcjella dhe marrëveshjet e nënshkruara shënojnë një hap të rëndësishëm në dinamikën e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe. Ka potencial të pashfrytëzuar në marrëdhëniet dypalëshe në shumë fusha, si ekonomi, tregti, turizëm, bashkëpunim ndërkufitar, etj. Pjesëmarrja e rreth 80 kompanive në Forumin e Biznesit është dëshmi e interesit dhe potencialit mes dy vendeve.

 Kuadri ligjor i nënshkruar në G2G i Shqipëri-Mali i Zi:

1.Deklaratë e përbashkët ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit të Malit Zi, Duško Marković, në kuadër të takimit të parë ndërqeveritar Shqipëri – Mali i Zi.
2.Marrëveshje kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi mbi marrëdhëniet e ndërsjella në fushën e menaxhimit të burimeve ujore ndërkufitare.
3.Marrëveshje mbi bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellët në emergjenca nëpërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi.
4.Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi në lidhje me operacionet ndërkufitare të patrullimit ajror.
5.Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët kufitare në Zogaj-Skje për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës.
6.Programi i bashkëpunimit në fushën e kulturës ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi për periudhën 2018-2020.
7.Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim reciprok ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Agjencise Malazeze te Promovimit te Investimeve.
8.Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Dhomës së Ekonomisë së Malit të Zi