TAKIMI I PARË NDËRQEVERITAR SHQIPËRI-MAQEDONI

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Takim i parë i dy qeverive, i mbajtur në Pogradec, më datë 15 dhjetor 2017, ishte një moment kyç në historinë tonë të përbashkët, për faktin se është formati i parë i këtij niveli mes qeverive të dy vendeve, por edhe sepse u mor një angazhim i përbashkët në ndërtimin e një mekanizmi të qëndrueshëm afatgjatë, me synimin për t’i ngritur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë në një stad të ri cilësor. Agjenda e punës e përcaktuar bashkërisht dhe që gjen shprehje në Deklaratën e Përbashkët të nënshkruar në përfundim të kësaj mbledhjeje, ka një qasje konkrete përmbajtësore dhe synon rezultate.

Në të u përfshinë intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes shtimit të dialogut dhe shkëmbimeve në të gjitha fushat e bashkëpunimit, mobilizimi i përpjekjeve për të çuar deri në fund angazhimet në kuadër të integrimit në strukturat Euro-Atlantike, puna për të lidhur akoma më shumë Shqipërinë dhe Maqedoninë përmes zhvillimit të infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike, përmirësimi i standardeve të qarkullimit të lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit duke ndjekur modelin e doganave kufitare sipas One-Stop-Shop.

Në takim u ritheksua rëndësia e Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatueshmëria e saj në frymë dhe në gërmë në të mirë të përmbushjes së të drejtave të popullsisë shqiptare në Maqedoni, harmonisë ndëretnike dhe kohezionit social në vend. Kryeministri Zaev theksoi gjatë fjalës së tij në Konferencën për shtyp angazhimin e qeverisë së tij për miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve .

Po ashtu u nënshkruan edhe katër marrëveshje:

 

  • Deklaratë e përbashkët ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Edi Rama dhe Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë SH.T.Z Zoran Zaev në kuadër të takimit të parë ndërqeveritar Shqipëri – Maqedoni.
  • Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çojnë në terrorizëm.
  • Plan për bashkëpunim dhe konsultime ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
  • 4. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm.
  • Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.