Postuar më: 12 Shkurt 2021

Deklarata për shtyp e MEPJ, Olta Xhaçka me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó Tiranë, 12.2.2021

Fjala e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhaçka

Ishte vërtet një kënaqësi për mua të mikprisja sot Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, z. Péter Szijjártó, i cili zhvillon një vizitë një-ditore në vendin tonë.

E falënderoj kolegun Szijjártó që vendosi të vizitojë Tiranën në këtë kohë të vështirë, kur për fat të keq diplomacia është reduktuar në takime online, që natyrisht nuk mund të zëvendësojnë kurrë takimet në person si këto.

Ky takim ishte një mundësi shumë e mirë për të rikonfirmuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë e Hungarisë, qoftë në planin bilateral, ashtu edhe në atë rajonal e shumëpalësh. Miqësia mes nesh ka rrënjë shumë të thella në histori dhe jam vërtet e kënaqur që marrëdhëniet mes nesh janë sot kaq të konsoliduara.

Hungaria është një vend që na ka ndihmuar shumë dhe unë gjej rastin ta falënderoj kolegun Szijjártó, për donacionin bujar prej 260,000 eurosh në ndihmë të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe për maskat e kostumet mbrojtëse që ai vetë solli në Shqipëri, në një shfaqje shumë simbolike e shumë të mirëpritur mbështetjeje.

Një tjetër hap i mirëpritur është edhe nënshkrimi i sotëm i Memorandumit të Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e Arsimit, në kuadër të Programit Hungarez të Bursave për 2021-2024. Ky është vërtet një zhvillim i bukur, pasi është një investim tek lidhjet mes të rinjve të vendeve tona, duke konsoliduar kështu edhe më tej marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Hungarisë.

Me kolegun Szijjártó ndamë mendimin se marrëdhëniet ekonomike po ecin në një trend pozitiv, por që nuk janë aty ku duhet të jenë. Dhe në këtë kontekst, u angazhuam për të mbështetur e nxitur shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik në terma sa më konkrete. Një tregues pozitiv i zhvillimeve ekonomike konsiderohet edhe Takimi i Tretë i Komisionit të Përbashkët Ekonomik mes dy vendeve, i cili pritet të mbahet këtë vit pasi u shty për shkak të pandemisë. Për të dy, si për Shqipërinë dhe Hungarinë, diplomacia ekonomike është një prioritet dhe unë përfitoj nga ky rast t’i siguroj investitorët hungarezë se në Shqipëri do të gjejnë një mjedis mikpritës e të favorshëm për investimet e tyre.

Sigurisht që folëm për integrimin. Hungaria është një nga mbështetëset më të palëkundura të integrimit të Shqipërisë dhe rajonit tonë, ndaj i shpreha mirënjohjen kolegut tim për këtë mbështetje të vazhdueshme ndaj procesit të zgjerimit në Ballkanit Perëndimor, por edhe për mbështetjen konkrete që na kanë dhënë, duke caktuar dy diplomatë hungarezë në Ministrinë shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, të cilët ofrojnë ekspertizë të vlefshme në procesin paraprak për hapjen e negociatave.

Po ashtu e njoha homologun tim (Ministrin Szijjártó) me punën e madhe që ka bërë Shqipëria në plotësimin e detyrimeve kryesore, me fokus reformën në drejtësi. Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë! Dhe presim që BE t’i qëndrojë fjalës së saj për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, brenda Presidencës portugeze.

Po ashtu e garantova kolegun që Shqipëria do të vazhdojë me reformat dhe punën për modernizimin e vendit, ashtu siç do të vazhdojë të luajë një rol kyç konstruktiv në ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajonin tonë, ashtu siç ka bërë deri më sot. Dhe ne e vlerësojmë realisht faktin, që Hungaria mike ndan me ne të njëjtën qasje ndaj integrimit të rajonit duke e konsideruar atë një çështje sa merite, aq dhe strategjike. Kur them strategjike, kam parasysh dy aspekte: së pari, strategjike në kuptimin e garantimit të sigurisë dhe neutralizimit të influencave të aktorëve të tjerë dhe së dyti, në kuptimin e kredibilitetit të vetë BE, e cila ka marrë disa angazhime shumë konkrete ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Unë jam e sigurt që bashkë me kolegun Szijjártó do të dimë të punojmë e të çojmë përpara këtë marrëdhënie dhe do ta zgjerojmë më shumë bashkëpunimin mes vendeve tona.

Ndaj i dashur Peter, ju falënderoj juve personalisht për investimin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona.

Fjala e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, z. Péter Szijjártó

Znj. Ministre të falënderoj shumë për ftesën që më bëtë, për këtë vizitën e sotme, si dhe përfaqësuesit e shtypit dhe të tjerët që na ndjekin nga shtëpia e tyre. Ato çfarë janë sot në Ballkanin Perëndimor, janë faktorë të cilët do t’i vlerësojnë edhe në sigurimin edhe zhvillimin e vendeve të Evropës Qendrore. Për këtë arsye, për vendin tonë ka rëndësi pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe e sigurisë ekonomike, në mënyrë që gjithë këto ngjarje dhe rrjedhoja që janë zhvilluar në Ballkanin Perëndimor të zhvillohen në mënyrë sa më pozitive.

Ne jemi të angazhuar plotësisht dhe mbështesim gjithë rrjedhën e Integrimit, qoftë për vendet e tjera, por kryesisht Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanin Perëndimor. Nga kjo pikëpamje, NATO është në avantazh 3-0 në krahasim me vendet e BE dhe është koha që edhe Evropa e bashkuar ta barazojë këtë situatë. Dhe natyrisht që në këto, jemi në momentin që do të hidhen ato hapat konkretë dhe që të bëhet diçka në këtë fushë dhe një nga këto do të ishte dhe Integrimi i Shqipërisë për në BE.

Na vjen shumë keq që për këtë vit që kaloi, këto ngjarje nuk u zhvilluan si duhet dhe nuk u arrit që të hapeshin bisedimet e negociatat e para në nivelin e duhur. Dhe ne do të kërkojmë në drejtim të Evropës së Bashkuar dhe për më tepër të atyre vendeve që nuk janë aq të ndjeshme në këtë çështjen e Integrimit të vendeve të Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të na ndihmojnë dhe të na mbështesin sa më shumë për të nisur sa më shpejt bisedimet.

Kjo ka një aspekt shumë të rëndësishëm nga pikëpamja e sigurisë. Për fat të keq, vëmë re që edhe emigracioni ilegal ka filluar që të krijojë presion përsëri në BP dhe shifrat tregojnë që ka pasur një rritje me rreth 13% të emigracionit edhe në Shqipëri dhe është mëse e nevojshme që të krijojmë bashkëpunim për frenimin e emigracionit ilegal.

Nëse ky bashkëpunim mungon, Evropa do të jetë përsëri e “pushtuar” nga një valë e madhe emigrantësh dhe ka një rrezik të madh ky faktor i sigurisë, që ka lidhje me shëndetin dhe rrezikun shëndetësor. Kështu që në këto lëvizjet, valët e njëpasnjëshme të emigrimit në mënyrë të pakontrolluar rrezikojnë edhe hapjen e sëmundjeve ngjitëse.

Nga pikëpamja e kësaj sigurie, Shqipëria do të ketë një rol shumë të rëndësishëm. Dhe një nga këto mbështetje që ne do t’i ofrojmë Shqipërisë, është që ajo të jetë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB.

Nga pikëpamja e fushës ekonomike, dua t’ju bëj të ditur një lajm pozitiv. Një ndërmarrje hungareze, pas ‘Bankës OTP’ dhe shoqërisë ajrore ‘Wizz Air’, do të hyjë me një investim të ri. Bëhet fjalë për një vlerë prej 4. 6 miliardë forintash, një investim prej 4.6 miliardë forintash hungareze.

Një ndërmarrje hungareze do të ndërtojë një stacion energjie diellore me kapacitet 4 Megawat, duke rritur kështu kapacitetin e brendshëm të energjisë elektrike shqiptare. Natyrisht, duke reduktuar edhe importin e energjisë për Shqipërinë.

Për këtë investim që do të krijojë firma hungareze ‘Gentech’, do të ketë përfitime edhe nga mbështetja prej 2.4 miliardë forintash, që do të ofrojë qeveria hungareze. Në Shqipëri, edhe në vende të tjera janë duke bërë investime edhe në fushën e përpunimit të ujërave dhe digjitalizimeve. Fakti që ne jemi në rrugë të mbarë, dëshmon që pavarësisht nga kjo situatë e nderë prej pandemisë, prapë se prapë patëm një lëvizje zhvillimi prej 100 milionë eurosh ndërmjet Hungarisë dhe Shqipërisë.

Të falënderoj dhe njëherë për mikpritjen dhe uroj që ne të kemi fatin të japim kontribut të mëtejshëm për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Ju faleminderit!