Postuar më: 27 Gusht 2021

Deklaratë e MEPJ Xhaçka mbi mbërritjen e qytetarëve afganë në Shqipëri

Është vërtet një moment shumë emocionues. Këto kanë qenë ditë shumë intensive, me shumë punë për të koordinuar një operacion humanitar në një kohë rekord. Por mbi të gjitha kanë qenë ditë shumë të vështira, me shumë shqetësim për fatin e qytetarëve afganë që presim sot sepse situata e sigurisë në Kabul është përkeqësuar shumë.

 Fatkeqësisht, sulmet e tmerrshme që ndodhën sot, humbja tragjike e jetës e mbi 60 qytetarëve dhe trupave të partnerëve tanë amerikanë, ishte prova e asaj që na shqetësonte ne, që shqetësonte të gjithë partnerët. Ishte pikërisht frika nga sulme të tilla, që na ka shtyrë të bëjmë maksimumin që këta qytetarë të vinin sa më shpejt në Shqipëri, ku janë larg rrezikut e larg frikës për jetën.

 Ditë pas dite, na është dashur të përballemi me shtyrje, vështirësi të reja, pengesa të reja si pasojë e situatës së sigurisë. Prandaj sot jam aq e lehtësuar që më në fund avioni i parë arriti të ulet duke sjellë këtu një kontigjent të parë afganësh, burra, gra, fëmijë. Është vërtet një moment emocionues sepse çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë që shihni këtu sot, është një jetë e shpëtuar nga tmerri i luftës dhe i një regjimi që i sheh si armiq për t’u vrarë, për t’u persekutuar.

 Unë ndihem vërtet krenare sot, dhe çdo qytetar shqiptar duhet të ndihet vërtet krenar sot, që edhe njëherë, ashtu siç kemi bërë në kushedi sa raste në historinë tonë, shqiptarët po tregojnë atë që është shpirti i vërtet i këtij populli, solidaritetin, mikpritjen, bujarinë.

 Dhe kur sheh një shfaqje të tillë solidariteti, kur sheh sesi Shqipëria që nuk është një vend i pasur, që nuk është një vend me mundësi të mëdha materiale apo logjistike, e kupton që nuk është një rastësi që pikërisht në Shqipëri pati më shumë hebrenj pas lufte sesa para lufte, apo që shqiptarët pavarësisht kushteve ekonomike vetëm 2 vjet pas vitit të mbrapshtë 1997, arritën të strehonin gjysmë milioni vëllezër e motra kosovare që ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftës e krimeve të një tjetër regjimi terrorist e vrastar.

 Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mikpritjen dhe besën tradicionale të shqiptarëve, këtu bëhet fjalë edhe për një detyrim moral. Sepse këta afganë, pedagogë, artistë, intelektualë, aktivistë të shoqërisë civile, të drejtave të njeriut apo të grave, ishin për 20 vjet aleatët tanë, aleatët e NATO, besuan tek vizioni i një Afganistani modern e rrezikuan gjithçka për të punuar bashkë me ne për ta bërë realitet atë vizion. Prandaj, ishte një detyrim, që këta aleatë të mos i braktisnim në mëshirën e talibanëve, por të bënim çfarë mundëshim për t’ju dhënë mundësinë të largohen nga rreziku qe u kanosej ne vendin e tyre.

Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4000 afganë përkohësisht, teksa përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara.

Kemi bërë gjithçka, që t’i mirëpresim e t’u ofrojmë kushte sa më të mira e sa më dinjitoze jetese.

 Grupi që ka zbritur sot, që është grupi i parë, do të strehohet në një strukturë hoteliere në Durrës. Ndërkohë që teksa presim që të kalojë piku i sezonit e të çlirohen kapacitetet e strukturave hoteliere për pjesën tjetër, afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytetit Studenti.

 Ne kemi marrë masa për gjithçka, për përpunimin e dokumentacionit e regjistrimin, për kontrollet e kujdesin shëndetësor, për paketat higjienike, për ushqimin, transportin e padyshim edhe sigurinë.

 Dhe sot, dua t’ju bëj një falënderim të gjithë strukturave të shtetit që janë duke bashkëpunuar për të bërë të mundur këtë operacion, sepse bashkëpunimi ka qenë vërtet i shkëlqyer dhe ia kemi dalë të organizohemi vërtet në mënyrë shumë efikase pavarësisht kohës së shkurtër, mundësive të kufizuara dhe përmasave sfiduese të këtij operacioni.