
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon sa më poshtë lidhur me rastin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara:
Procedura e emërimit të z.Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri ka përfunduar në janar 2019. Në zbatimin e procedurës së emërimit janë marrë në konsideratë kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.
Dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e z. Sandesara nuk është procedurë, e cila ka kaluar nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo është në kompetencat e këtij institucioni.
Për më shumë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sqaron se, ndonëse ka të drejtën e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, sipas VKM-së 335, dt. 2.9.1997, z. Sandesara nuk është pajisur, as me pasaportë diplomatike, as me pasaportë shërbimi.
Rasti i artikuluar së fundmi i z. Sandesara me nënshtetësi shqiptare, mund të cënojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Adresa: Bulevardi ‘Gjergj Fishta’, Nr 6. Tiranë
Për informacione konsullore, probleme të qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, kontaktoni në:
Tel: +355 (0) 42340358
Mund të kontaktoni:
E Hënë – E Enjte 08.00 – 16.30
E Premte 08.00 – 14.00
E-mail: DK@mfa.gov.al