Postuar më: 10 Shkurt 2021

Deklaratë për shtyp e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Ivan Korčok Tiranë, 10.2.2021

Deklaratë për shtyp e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka

Pata kënaqësinë të pres sot në Tiranë, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, z. Ivan Korčok, i cili viziton vendin tonë në kuadër të një turi rajonal në vendet e Ballkanit Perëndimor.

I nderuar koleg,

Dua t’ju falënderoj që zgjodhët të vizitonit Tiranën, sidomos duke pasur parasysh që kjo vizitë vjen në një kohë të vështirë për të gjithë ne, që jemi përfshirë në luftën kundër përhapjes së Covid-19.

Kjo vizitë është një konfirmim i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Sllovakisë, si dhe të vullnetit të përbashkët për t‘i forcuar e intensifikuar më tej ato.

Ne tashmë kemi arritur një bashkëpunim shumë efikas dhe konstruktiv në arenën ndërkombëtare, ku dua të veçoj sidomos marrëveshjen për Këshillin e Sigurimit të OKB, ku Sllovakia ka pranuar të mbështesë kandidaturën e Shqipërisë për vitet 2022 – 2023 dhe Shqipëria kandidaturën sllovake për 2028 – 2029.

Dhe përfitoj nga rasti për ta falënderuar kolegun Korčok për mbështetjen që Slovakia i dha Kryesimit të OSBE nga Shqipëria.

Një nga temat kryesore të diskutimit që patëm sot ishte sigurisht edhe integrimi Evropian i Shqipërisë dhe rajonit. Ne i jemi mirënjohës Sllovakisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë zgjerimit të Unionit dhe proceseve integruese të Shqipërisë. Dhe gjej rastin ta përshëndes qasjen strategjike dhe parimore ndaj procesit të integrimit, që avokon Sllovakia dhe Ministri i Jashtëm, duke e parë integrimin si një çështje merite patjetër, por edhe si një çështje strategjike me impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë e stabilitetin e rajonit dhe të vetë Bashkimit Evropian.

Pas progresit të bërë nga vendi ynë në plotësimin e detyrimeve kryesore me fokus reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore, hapja e negociatave do të përbënte një vlerësim të merituar të Shqipërisë, e cila tashmë i ka plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Ndava po ashtu me kolegun kënaqësinë tonë me vlerësimin që i bëri Shqipërisë Indeksi i Demokracisë 2020 i Economist Intelligence Unit, duke e nxjerrë nga lista e regjimeve hibride dhe klasifikuar si një demokraci me të meta.

 Ky është një lajm i mirë, që vjen pas reformave modernizuese dhe europianizuese, që ne kemi ndërmarrë në kuadër të procesit të integrimit dhe që merr një domethënie të posaçme, nëse kemi parasysh që vjen në një moment kur niveli i demokracisë në vendet e rajonit tonë ka pësuar një rënie të dukshme.

Por ky është po ashtu një zhvillim që tregon se çfarë fuqie transformuese ka për rajonin tonë objektivi i integrimit evropian dhe sa e rëndësishme është që ky objektiv të bëhet i prekshëm e i arritshëm dhe të mos bjerë viktimë e politikave të brendshme dhe vlerësimeve subjektive.

 Ne e çmojmë shumë faktin që Sllovakia po angazhohet kaq seriozisht në rajonin tonë, në një moment kur vëmendja e shumë vendeve të tjera anëtare të BE, është fokusuar thuajse eksluzivisht në problemet e shkaktuara nga pandemia COVID 19.

E vlerësojmë po ashtu mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë dialogut mes Kosovës e Serbisë. Natyrisht ne ndajmë qëndrime të kundërta përsa i përket statusit të Kosovës, por ndajmë një interes të përbashkët në konsolidimin e paqes dhe sigurisë dhe zhvillimin e rajonit. Për këtë arsye i kërkova kolegut tim të marrë në konsideratë mundësinë e lejimit të një zyre përfaqësimi të Kosovës në Bratislavë, çka do të shërbente jo vetëm për të rritur komunikimin mes dy vendeve, por edhe si një tregues i vullnetit të mirë dhe i mbështetjes së procesit aq të vështirë të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Jam e lumtur që me homologun Korčok  ndamë të njëjtin qëndrim lidhur me rëndësinë e intensifikimit të shkëmbimeve ekonomike të cilat kanë një potencial shumë të madh, por aktualisht nuk janë në nivelin që mund të ishin.

Theksuam se plotësimi i bazës ligjore, përmes nënshkrimit të shpejtë të Marrëveshjeve për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve si dhe për Shmangien e Taksimit të Dyfishtë do të krijonte një mjedis tërheqës për investitorët e interesuar në të dy vendet.

Në përfundim, më lejoni të falënderoj homologun tim dhe nëpërmjet tij dhe Qeverinë sllovake për donacionin bujar, në vlerën 30.000 EURO, për një nga spitalet Covid në Shqipëri, në shenjë solidariteti në luftën ndaj pandemisë globale COVID 19.

Dhe përfitoj nga ky rast për t’ju shprehur edhe njëherë mirënjohjen ju dhe qeverisë tuaj, për solidaritetin dhe kontributin në rindërtimin e shkollave të prekura nga tërmeti që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019.

Duke shpresuar që marrëdhëniet tona do të forcohen e intensifikohen më tej, nuk po marr më kohë, dhe po ia kaloj fjalën kolegut.

 

 

Deklaratë për shtyp e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Ivan Korčok

Faleminderit shumë, faleminderit e nderuar kolege, e nderuar zonja Ministre, e nderuar Olta, e dashur Olta.

Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë pritje kaq të ngrohtë që ju më keni dhënë mua dhe delegacionit tim. Jam vërtetë shumë i kënaqur që unë mund të jem këtu në këtë vend, në këtë tur të Ballkanit Perëndimor, sot në Tiranë. Do ta filloja fjalën time aty ku e latë ju fjalën tuaj, duke theksuar se Sllovakia është vërtetë shumë e interesuar në këtë marrëdhënie dypalëshe ndërmjet vendeve tona. Ka shumë rëndësi për ne marrëdhënia dypalëshe, pra ajo që ne bëjmë.

Përparësia natyrisht është integrimi evropian dhe dëshiroj ta theksoj, jo vetëm që ne kemi marrëdhënie shumë të ngrohta miqësore, por jemi edhe aleatë, pasi që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kjo rrit jo vetëm sigurinë tuaj, por edhe ju kontribuoni për sigurinë e gjithë atyre kombeve që janë pjesë e aleancës, pjesë e NATO-s. Duhet të bëjmë më shumë për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe në fushën ekonomike, ashtu siç e thatë edhe ju.

Pra, ne ramë dakord me Oltën që shifrat janë mjaft të ulëta dhe për këtë arsye shpresojmë që do mund të rriten dhe prandaj ramë dakord që ambasadorët tanë do të jenë ata që do të bëjnë të pamundurën për të hapur dyert, duke evidentuar ata sipërmarrës në vendet tona. Pra, jo thjesht me takime teknike, por dua që sipërmarrësit e vendeve tona të bëhen bashkë duke kuptuar njëri-tjetrin, sepse kështu popujt tanë do të kuptojnë sa të rëndësishëm jemi ne për njëri-tjetrin, duke krijuar vende pune, duke ndihmuar për rritjen ekonomike.

Kjo është mënyra më e mirë për të treguar këtë marrëdhënie të mirë mes nesh. Unë kam pasur kënaqësinë, që në mënyrë simbolike të dorëzoj në Shqipëri këtë mbështetje financiare për QSUT Spitalin Nënë Tereza dhe e kuptoj që kjo është e një natyre simbolike, por është për të thënë që ne nuk po e lëmë njëri-tjetrin vetëm në këto çaste kaq të rëndësishme dhe kjo është një ndihmë simbolike që ne i japim Shqipërisë sot.

Ashtu siç e  përmendi kolegia ime e nderuar, objektivi i këtij turi në Ballkanin Perëndimor është shumë i thjeshtë. Unë dëshiroja që të merrja ndjesinë e duhur të zhvillimit të rajonit, të zhvillimeve edhe në rajon. Kisha dhe kam një interes të veçantë për të parë, se si po ecin vendet e ndryshme të Ballkanit  Perëndimor dhe si këto vende po bëjnë të gjitha gjërat që duhen bërë, për t’u afruar me Bashkimin Evropian.

Më duhet të them një gjë, që krahas situatave të vështira, të ndërlikuara, të vendeve të ndryshme me sfidën që ka ardhur nga Covid-19, e vështirë pra nga ana jonë. Por megjithatë duhet të vlerësojmë patjetër faktin, që unë në secilin prej vendeve tuaja kam dëgjuar një angazhim të qartë, për të bërë të pamundurën për t’u afruar me Bashkimin Evropian dhe kjo është një gjë e cila nuk duhet të merret si e mirëqenë, por për të cilën duhet të punohet. Por, unë e vlerësoj shumë angazhimin tuaj dhe përkushtimin tuaj ndaj kësaj çështjeje.

Ndaj pra, erdha këtu për t’ju përgëzuar për ecurinë që ju keni bërë për progresin e prekshëm dhe të dukshëm. Është e qartë pra, që jeni të gatshëm për të filluar procesin e negociatave, pasi të keni gjetur konsensus dhe kjo do të behet gjatë Presidencës Portugeze. Unë shpresoj shumë, që si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të fillojnë më së fundmi negociatat. Megjithatë, ajo që dëshiroja të thosha është që po ashtu t’ju inkurajoja që të vazhdoni këto reforma, përmbushjen e kritereve dhe gjithçka që ju keni bërë në këtë fushë, sepse në fund të fundit këtë po e bëni për qytetarët shqiptarë, jo për të kënaqur Brukselin, apo shtete anëtare.

Por, sa i përket sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, Shqipëria do të përfitojë mbi të gjitha dhe më shumë se të gjithë për arsye se sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës nuk janë koncepte teorike, por janë gjëra që na mbajnë të gjithëve bashkë. Për Bashkimin Evropian, shteti i së drejtës është shumë i rëndësishëm për krijimin e vendeve të punës, për rritjen ekonomike. Kështu që, vazhdoj t’ju inkurajoj nga ana ime në këtë detyrë dhe në këto punë të rëndësishme që ju po bëni.

Ministrja e përmendi Kosovën. Në fakt e shfrytëzova këtë mundësi, për të theksuar edhe njëherë qëndrimin e pandryshuar të Sllovakisë, që nuk do të thotë se ne po e shpërfillim, apo po e shpërdorojmë Kosovën, por që në këtë moment ne nuk po e ndryshojmë qëndrimin tonë. Pra, mosnjohjen e Kosovës dhe Deklaratën e njëanshme të Pavarësisë së Kosovës. Natyrisht që në këtë kontekst ne po e ndjekim nga afër dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe natyrisht Z. Lajčák është ai që po ndihmon për të arritur një marrëveshje, ose një rakordim ligjor.

Në fund të fjalës time, dëshiroj t’ju ftoj pasi të ketë kaluar kjo situatë, të vini për vizitë tek ne në Sllovaki, sepse do doja edhe njëherë që me atë rast të asaj vizite, le të theksojmë marrëdhënien tonë shumë të mirë dypalëshe.

Faleminderit!