.jpg)
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është njoftuar nëpërmjet Ambasadës në Athinë se dje në mbrëmje, më datë 04.12.2018 në zonën e Kavallës, është gjendur i pajetë shtetasi shqiptar Marios Isak i datëlindjes 31.07.2000, lindur në Kavalla, Greqi.
MEPJ shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së të riut shqiptar dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të tij.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është në kontakt me familjen e të ndjerit për ofrimin e asistencës së nevojshme.
Kjo është vrasja e katërt e një qytetari shqiptar brenda dy javëve të fundit. MEPJ shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre.
MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombësve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këtyre ngjarjeve nga autoritetet greke.
MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cenuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj. Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane.
Në kushtet kur bashkëkombësit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e Shtetit shqiptar për t'i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Adresa: Bulevardi ‘Gjergj Fishta’, Nr 6. Tiranë
Për informacione konsullore, probleme të qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, kontaktoni në:
Tel: +355 (0) 42340358
Mund të kontaktoni:
E Hënë – E Enjte 08.00 – 16.30
E Premte 08.00 – 14.00
E-mail: DK@mfa.gov.al