Postuar më: 22 Shkurt 2021

Integrimi, Xhaçka: Shqipëria ka bërë gjithçka i është kërkuar, radhën e ka BE

I nderuar kryetar i seancës,

Të nderuar kolegë deputetë;

Besoj se shpreh atë që është perceptimi i pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë, kur them se procesi i integrimit, pavarësisht vështirësive e pengesave, ka fituar një momentum, një përshpejtim të ndjeshëm që e ka sjellë Shqipërinë shumë pranë fillimit të negociatave konkrete të anëtarësimit, kapitull më kapitull.

Është bërë një punë vërtet e madhe për të plotësuar të 15 pikat që u kërkuan nga BE. Një punë që ka kërkuar angazhimin dhe përpjekjen e shumë sektorëve të shoqërisë e qeverisjes. Dhe padyshim që sot, një përgëzim e meriton edhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian. Së pari, për presionin pozitiv që ka ushtruar gjatë të gjithë procesit e së dyti, për faktin që ka luajtur një rol shumë domethënës për ta bërë procesin gjithëpërfshirës.

Ajo që duhet thënë pa asnjë hezitim sot, është që Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë. I ka plotësuar të gjithë kushtet që ishin vënë dhe sot meriton një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Është koha që BE të mbajë premtimin që i ka bërë Shqipërisë.

Lajmi i mirë është që tashmë këtë nuk e them vetëm unë, s’e thotë vetëm Shqipëria, por edhe vetë përfaqësuesit e BE dhe përfaqësuesit e vendeve anëtarë. Ajo që më bën optimiste që gjatë këtij viti nuk do të përsëritet më historia e zvarritjeve njëherë me 5 kushte e pastaj me 15, është fakti që mesa duket, brenda vetë BE, ka një ndërgjegjësim që refuzimi ose shtyrja për herë të disatë i mbledhjes ndërqeveritare, në një kohë kur qartazi Shqipëria i ka plotësuar të 15 kushtet, do të rrezikonte seriozisht vetë kredibilitetin e BE.

Është ky mesazhi që më kanë përcjellë fare hapur ministrat e jashtëm apo ambasadorët e shumë prej vendeve anëtare me të cilët kam biseduar, por edhe Ministri i Jashtëm i Portugalisë, vend që siç e dini ka aktualisht presidencën e Këshillit të BE. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, në momentin që çdo vlerësim objektiv teknik i punës që ka bërë Shqipëria arrin në të njëjtin konkluzion: Shqipëria ka bërë gjithçka i ishte kërkuar. Radhën e ka BE.

Por sigurisht, ka edhe një moment të fundit që duhet kapërcyer me sukses në këtë rrugë drejt konferencës së parë ndërqeveritare: zgjedhjet e 25 prillit. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, të qeta e të gjithëpranuara është çelësi që do të hapë derën e integrimit. Dhe kjo është një çështje që kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve politikë, pasi jemi të gjithë dëshmitarë të sjelljeve shpesh aspak demokratike gjatë viteve të fundit, ku shpesh axhendat e ngushta politike, të nxitura herë nga lufta për pushtet e herë nga frika nga reforma në drejtësi, janë vënë përpara interesave të vendit.

Është e vërtetë që ne si mazhorancë kemi përgjegjësitë tona. Por është po aq e vërtetë që deri sot që flasim i kemi trajtuar këto përgjegjësi me seriozitetin maksimal. Asnjëherë më parë, një mazhorancë nuk ka bërë kaq shumë sa kemi bërë ne, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

Dhe më vjen mirë, që këtë tashmë nuk e themi vetëm ne, por edhe institucione shumë prestigjioze e të specializuara.

Për të dhënë një shembull, Kodi i ri Zgjedhor dhe hapja e listave, ishte në vlerësimin e “Economist Intelligence Unit” një nga elementët më të rëndësishëm që shpjegojnë përse në Indeksin e Demokracisë, Shqipëria nuk klasifikohet më si regjim hibrid, por është ngjitur tani në stadin e një demokracie me të meta.

Vetëm pak ditë më parë, unë mora një kopje të Raportit Paraprak të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit. Dhe më vjen mirë, që kemi ndoshta raportin më të mirë, që është hartuar ndonjëherë nga OSBE/ODIHR për një palë zgjedhje në Shqipëri. Një raport, që njeh ndryshimet e mëdha që u bënë me konsensus politik mes palëve, duke ndryshuar strukturën e KQZ, procedurat e identifikimit të votuesve, duke futur identifikimin elektronik, rregullat e nominimit të kandidatëve, rregullat e rrepta për kontrollin e financave të fushatës, shmangien e abuzimeve me pushtetin për qëllime të zgjedhjeve, etj, etj. Dhe jo vetëm kaq, nuk është puna vetëm tek ndryshimet në letër, por edhe tek zbatimi i tyre në terren, ku vëmendje të veçantë merr puna e KQZ, e cila siç thotë raporti, ka zhvilluar diskutime gjithëpërfshirëse me palët mbi aspekte të ndryshme të zgjedhjeve.

Janë të gjithë këto elementë që na bëjnë ta presim me optimizëm mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare brenda presidencës portugeze. Por s’mund ta mohoj që kam edhe një shqetësim lidhur me zgjedhjet. Një shqetësim jo sepse ne s’po bëjmë gjithçka duhet, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët. Por sepse dëgjoj herë pas here qëndrime, deklarata, prononcime, nga aktorë politikë me peshë, që përfaqësojnë parti e institucione, që për hir të pushtetit a frikës nga reforma në drejtësi, duket se janë gati të përdorin çdo mundësi, pavarësisht kostos e pavarësisht interesit kombëtar, për të dëmtuar procesin, me shpresë që do t’ju japin një argument për të zvarritur sërish integrimin, atyre që Shqipërinë s’duan ta shohin në BE, por që tanimë e kanë të vështirë ta refuzojnë kur arritjet e progresi janë të qarta si drita e diellit.