Postuar më: 19 Tetor 2021

Shqipëria vijon të përmbushë të gjitha kriteret për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare

Komisioni Evropian prezantoi sot komunikimin e vitit 2021 mbi Politikën e Zgjerimit të BE së bashku me raportet vjetore, një ushtrim tashmë i përvitshëm që vlerëson progresin e vendeve të zgjerimit dhe rekomandon nxitjen e reformave të lidhura me agjendën e anëtarësimit në BE.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mirëpret komunikimin e këtij viti dhe konkluzionet e raportit për vendin tonë që përcjellin vlerësime pozitive për çka është arritur gjatë këtij viti si dhe vendosin referenca të qarta për punën tonë në agjendën evropiane gjatë vitit të ardhshëm. Me gjithë kontekstin e vështirë mbarë evropian dhe sfidat përballë pandemisë Covid-19, Komisioni vlerëson se Shqipëria ka vijuar të tregojë vendosmëri për reformat e agjendës evropiane dhe ka dhënë rezultate konkrete dhe të prekshme.
 
Raporti thekson që Shqipëria i ka shtuar përpjekjet dhe ka prodhuar rezultate të mëtejshme, të prekshme e të qëndrueshme, në pikat thelbësore të identifikuara në konkluzionet e Këshillit.
 
Raporti i këtij viti reflekton progresin e arritur gjatë vitit të fundit në plotësimin e të gjithë kushteve për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Komisioni Evropian është i qartë dhe e rikonfirmon se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e lidhura me Konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020 për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. 
 
Jo vetëm kaq, por jemi të inkurajuar kur shohim që vendi ynë qëndron në një pozicion pararojë në kontekstin rajonal, duke shënuar rritje të vlerësimeve të Komisionit në fushat thelbësore të lidhura me shtetin e së drejtës, veçanërisht me reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
 
Më konkretisht, Raporti thekson që Gjykata Kushtetuese është bërë funksionale që prej dhjetorit 2020 dhe që Shqipëria ka vazhduar të përmbushë të gjithë kushtet dhe të shënojë progres të mëtejshëm, të qëndrueshëm e të konsiderueshëm, në adresimin e prioriteteve të tjera të nënvizuara nga Këshilli.


Raporti thekson që rezultatet në reformën në drejtësi kanë vijuar, gjykatat janë funksionale dhe vettingu ka vijuar me ritme të rregullta.
 
Në raport, theksohet përparimi i kënaqshëm i arritur në punën operacionale të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si dhe përshëndetet përmirësimi i kuadrit ligjor që lidhet me luftën kundër korrupsionit e veçanërisht i Planit të Veprimit për zbatimin e strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit dhe ligji për administrimin e pasurive të konfiskuara. Të gjithë këto arritje, janë provë e qartë jo vetëm e punës së madhe të bërë në këtë drejtim, por edhe e vullnetit të qartë të qeverisë për të luftuar në mënyrë sistematike e të vendosur korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ndërkohë që lidhur me një çeshtje aq të rëndësishme, sa ç’janë zgjedhjet e 25 prillit, ku dua t’ju kujtoj që reforma elektorale ishte një nga kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, ndërkohë që vetë mbarëvajtja e zgjedhjeve ishte një tjetër moment vërtet thelbësor në vlerësimin e progresit të bërë nga Shqipëria, në raport shprehet vlerësim e përgëzime. Si dhe ne raportin e ODIHR, është vlerësimi më pozitiv që është dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri. Vlerësohet se reforma elektorale u krye në perputhje me rekomandimet e ODIHR (parakusht i plotësuar për fillimin e negociatave, siç shprehet Komisioni) dhe vlerësohen zgjedhjet si të mirë-organizuara, duke shënuar se administrata zgjedhore fitoi besimin e palëve. Sigurisht ka vend për përmirësim të mëtejshëm. E rëndësishme është ajo që thekson Komisioni, që akuzat po hetohen, në mënyrë që të mos mbetemi në rrafshin e akuzave dhe perceptimeve.
 
E po ashtu, e gjej pozitiv faktin që raporti njeh e vlerëson pozitivisht përpjekjet e bëra për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike si dhe forcimin e kapaciteteve të administratës për të kryer rekrutime të bazuara në merita. Jemi të vetëdijshëm që në këtë drejtim ka ende punë për të bërë, por sërish, besoj që ky raport është në konfirmim i punës së madhe që është bërë për një reformë të thellë të shërbimeve publike dhe administratës si dy nga shtyllat e rëndësishme të procesit të modernizimit dhe evropianizimit të vendit.
 
Raporti përmban gjetje pozitive edhe në në pikë tjetër shumë të rëndësishme, që lidhet me ekonominë dhe me mënyrën sesi është përballuar nga qeveria goditja e dyfishtë që pësoi vendi nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia. Ai konfirmon atë që e kemi thënë në vijimësi, por edhe atë që e kanë të qartë qytetarët shqiptarë, që ekonomia ka filluar ringritjen që në gjysmën e dytë të vitit 2020 dhe që veprimet që ndërmori qeveria dhe banka qendrore për të mbështetur bizneset, familjet dhe sektorin shëndetësor ishin të shpejta dhe të përshtatshme.

Ndërkohë që – dhe kjo lidhet drejtpërdrejtë me punën e këtij dikasteri - përfaqësuesit e Komisionit evidentuan me kënaqësi faktin se Shqipëria ka vazhduar të linjëzohet plotësisht me pozicionet dhe qëndrimet e BE në kuadër politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë si edhe ka bërë përpjekje të mëtejshme për të rritur kapacitetet në këtë drejtim.
 
Sigurisht që ka edhe disa pika ku jemi të vetëdijshëm që kemi ende punë për të bërë dhe ku me të drejtë Komisioni evidenton që progresi nuk ka qenë kaq i konsiderueshëm. Natyrisht ato do të konsiderohen dhe do të adresohen me kujdesin e seriozitetin më të madh.
 
Këtu do të nënvizoja dy momente, për të cilat në fakt jemi duke punuar.
 
Së pari, atë që i përket mbrojtjes së pakicave kombëtare, ku edhe pse Shqipëria është padyshim një vend model përsa i përket mbrojtes dhe respektit për minoritetet, na duhet të finalizojmë aktet e mbetura nën-ligjore për zbatimin e ligjit kuadër “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”.
 
Së dyti, çështja e të drejtave të pronës ku edhe pse është bërë shumë punë për të adresuar një situatë të trashëguar prej dekadash, jemi të vetëdijshëm që nevojitet një përparim i mëtejshëm drejt procesit të regjistrimit, digjitalizimit dhe kompensimit.
 
Gjithsesi, siç e thashë më lart, këto pika apo ndonjë pikë tjetër për të cilat në raport vlerësohet se progresi nuk ka qenë i kënaqshëm apo janë ngritur pikëpyetje, do të trajtohen me seriozitetin maksimal, dhe do të komunikohet në mënyrë sa më intensive me të gjithë aktorët e palët e interesuara.
 
Por ajo që del e qartë sot, siç ka dalë e qartë edhe në raportin e vitit 2020, është fakti që Shqipëria është gati për të filluar procesin e bisedimeve, bazuar mbi meritën e arritjeve, por edhe mbi përgatitjet konkrete për të gjithë strukturën e nevojshme për t’iu përgjigjur me efektivitet edhe metodologjisë së re te negocimit, e cila konkretizohet për herë të parë në raportin e këtij viti. 
 
Ndërkohë që ne jemi gati për të hedhur hapin e radhën në procesin e integrimit evropian, ndajmë të njëjtin vlerësim me Komisionin Evropian se vendet anëtare duhet të përmbyllin diskutimet e tyre pa vonesë dhe se konferencat e para ndërqeveritare me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur duke përmbushur kështu një premtim të qartë që i është bërë vendeve tona nga BE. Çdo vonesë ka ndikim negativ në besueshmërinë e Unionit.
 
Vullneti ynë për të jetësuar objektivin kombëtar të anëtarësimit në BE është i qëndrueshëm, progresi ynë është i pamohueshëm, angazhimi ynë do të vijojë me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare për të jetësuar në mënyrë konkrete dhe të prekshme premtimin e rikonfirmuar edhe së fundmi në Samitin e Brdos për prespektivën evropiane të rajonit tonë. Që prespektiva të jetë e besueshme duhet të veprohet tani: Shqipëria meriton dhe duhet të ulet në tryezën e bisedimeve me BE brenda këtij viti.