Gazetari: Mirëmbrëma të nderuar teleshikues. Mirësevini në program! Nga data 5 janar e këtij viti, Shqipëria ka një tjetër Ministër të Jashtëm, Olta Xhaçka, e cila la detyrën si Ministre e Mbrojtjes për të zënë vendin e Gent Cakaj në krye të dikasterit për çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme. Sigurisht ne jemi në një fushatë por, kanë ndodhur plot gjëra të cilat meritojnë që Olta Xhaçka të pyetet në cilësinë e saj si Ministre e Jashtme dhe unë kam kënaqësinë të kem sot një intervistë në pjesën e parë të “Log”, Olta Xhaçkën. Znj. Ministre, përshëndetje, mirëserdhët!
Ministrja Xhaçka: Mirëmbrëma, faleminderit për ftesën.
Gazetari: Në pjesën e dytë të nderuar teleshikues, do të kemi një tjetër panel ku do të kemi të ftuar Shpëtim Idrizin, Kryetar i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet së bashku me dy analistë do të flasim për betejën e çamëve, sesi po zhvillohet ajo. Ndërkohë, rikthehemi në studio me gjithë përpjekjet e regjisë për ta bërë sa më të bukur hyrjen.
Hyjmë drejt për së drejti në çështjet e aktualitetit që kanë të bëjnë dhe me Punët e Jashtme. Nuk e di, fillojmë për vaksinën në radhë të parë, e cila është pjesë e një fushate e vaksinimit masiv, por që unë nuk e di pse jam i prirur ta shoh pak edhe si diplomacia e vaksinës. Nëse ka ndonjë lloj diplomacie mbrapa, duke pasur parasysh që Shqipëria hyri me vonesë në tregun e vaksinës, sepse i vuri gjithë shpresat tek “Covax” dhe më pas u desh ndërhyrja personale e Kryeministrit për të sjellë “Pfizer” e më vonë për të sjellë vaksinën ruse dhe kineze, pa qenë e nevojshme për të trokitur në dyert e Rusisë apo të Kinës. Pra, u gjet një mënyrë tjetër duke shkuar në një grosist turk për të sjellë vaksinën Kineze dhe përmes Princit të Emirateve të Bashkuara Arabe për të sjellë nja 10 mijë doza vaksinash, “Sputnik”. Kjo u bë për arsye praktike në dijeninë tuaj, sa jeni ju në dijeni, për shpejtësi, për operacionalitet apo për arsye gjeopolitike? Pra, duke qenë se ishte refuzuar oferta e Ambasadës Ruse në dhjetor, u gjet kjo mënyrë që edhe vaksinat të bëhen por edhe Shqipëria të mos përulet përpara Rusisë apo Kinës, nëse mund të përdorja këtë term.
Ministrja Xhaçka: Atëherë, përpara se të flasim për vaksinën ruse dhe kineze, unë do doja të flisnim për fushatën e vaksinimit në përgjithësi. Se detyra dhe detyrimi që kemi ne ndaj qytetarëve shqiptarë është që të marrim edhe të sjellim sa më shumë vaksina, në mënyrë që të vaksinojmë sa më shumë qytetarë, që t’i kthehemi normalitetit sa më shpejt, që të kemi një sezon turistik të qetë, normal edhe të mirë nga pikëpamja e turistëve që vijnë në Shqipëri dhe të burimeve e të ardhurave që vijnë si pasojë e turizmit dhe patjetër, rimëkëmbjes së ekonomisë që vjen si pasojë e rikthimit të normalitetit. Dhe e para që vlen të thuhet është që detyra dhe detyrimi ynë është ndaj sigurisë së jetës së qytetarëve shqiptarë dhe në këtë kuptim, Kryeministri personalisht me një këmbëngulje të paimagjinueshme, dhe këtë mund ta dëshmoj edhe në cilësinë që më keni thirrur sot si Ministre e Jashtme, ka bërë maksimumin e tij, që ne ta ndërmarrim këtë fushatë dhe të arrijmë të sjellim vaksina për të vaksinuar sot në mënyrë masive thuajse 20.000 qytetarë çdo ditë. Duke synuar që në krye të fundit të muajt maj të kemi vaksinuar rreth 500 mijë qytetarë dhe të vazhdojmë me ritme të mira për të vaksinuar gjithë popullsinë pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është detyra jonë dhe ju thatë që kemi hyrë pak vonë në këtë mesele, nëse mund ta quajmë sepse fillimisht u mbështetëm te Covax dhe Covax nuk funksionoi. Pra, ai mekanizëm i shpërndarjes së vaksinave nuk funksionoi, por ama, vlen të thuhet që jemi një ndër vendet që për ritmet e vaksinimit jemi vërtetë duke bërë shumë mirë. Duke pasur parasysh që kemi nisur përpara 130 vendeve të tjera dhe kjo nuk është pak dhe patjetër është meritë edhe e Kryeministrit edhe e Qeverisë Shqiptare që falë kësaj që ju quani diplomaci, më së shumti falë këmbënguljes dhe një pune të vazhdueshme ditë – natë për t’u siguruar qytetarëve shqiptarë atë që u duhet për t’iu rikthyer normalitetit, është bërë maksimumi për të sjellë të gjitha vaksinat, të cilat janë të aprovuara, të miratuara nga OBSH-ja për t’u përdorur. Pastaj, emrat janë të parëndësishëm për sa kohë Komiteti i Ekspertëve i cilëson që janë mjaftueshmërisht të mira për t’i bërë ballë kësaj që po kalojmë. Çdo aludim për përdorimin e tyre është dashakeqësi ndaj interesit më të madh kombëtar: jetës së qytetarëve tanë.
Gazetari: Nga disa kontakte që pata disa ditë më parë dhe e peshoj shumë këtë që po them sepse ju jeni Ministre e Jashtme, pra domethënë, edhe çdo fjalë e juaja shikohet me kujdes por, deklarata e Edi Ramës, Kryeministri i Shqipërisë në lidhje me refuzimin që i bëri ofertës së Ambasadës Ruse e kanë përjetuar keq. Kështu që më lini t’ju pyes edhe njëherë. Zgjedhja që u bë për të sjellë vaksinën Sputnik 5 të Gamaleas nëpërmjet EBA, ishte një mënyrë për të mos kaluar nëpërmjet Rusisë apo komunikimi me Rusinë mbetet sërish një opsion i hapur?
Ministrja Xhaçka: Ju besoj e dini që ne jemi një vend anëtar i NATO-s dhe si vend anëtar i NATO-s, i orientuar drejt Perëndimit dhe proceseve Euro-Atlantike si në vend, ashtu edhe në rajon, patjetër që kemi një marrëdhënie të caktuar me Rusinë dhe jemi një ndër vendet që jemi rreshtuar pro BE-së sa i takon sanksioneve me Rusinë. Dhe qëndrimi ynë me Rusinë është i kushtëzuar edhe për shkak të qëndrimeve që Rusia ka pasur ndaj shqiptarëve në rajon apo ndaj pavarësisë së Kosovës, kështu që në këtë kuptim, marrëdhëniet me Rusinë janë marrëdhënie që janë të kushtëzuara nga interesi i ndërsjellë, atmosfera ekonomike që duke pasur parasysh gjithë sa ju thashë, janë në fushën e arsimit, kulturës, sportit dhe turizmit. Përtej kësaj, marrëdhëniet janë ato që duken. Ne e kemi bërë gjithnjë të qartë se përkatësia jonë euro-atlantike është e palëkundur. Integrimi euro-atlantik i rajonit tonë i shërben stabilitetit të rajonit dhe konsolidimit të demokracisë e mirëqenies në rajon. Çdo pengesë për këto procese nuk i shërben stabilitetit të rajonit. Gjithashtu pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, që është në interes të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të rajonit dhe çdo ndërhyrje penguese në këtë drejtim minon stabilitetin e rajonit tonë.
Gazetari: Domethënë, ne ja pranojmë vaksinën Rusisë sepse niveli i ekspertizës shkencore ruse është i tillë që ta bëjë vaksinën të besueshme që të marri një certifikim nga EMA, por ne nuk negociojmë drejt për drejt me Rusinë.
Ministrja Xhaçka: Duke pasur parasysh kushtëzimet në këtë marrëdhënie për sa ju thashë, detyra jonë sa i takon vaksinës është që të sjellim vaksina të aprovuara nga OBSH-ja për përdorim dhe sa e mirë është vaksina, i takon që ta vlerësojë Komiteti i Ekspertëve. Ajo që na takon ne si qeveri, kryeministrit si Kryeministër është që të sjellë vaksina për t’ju rikthyer normalitetit dhe për të garantuar sigurinë e jetës.
Gazetari: Pse u përjashtua një diplomat rus? Pse u largua nga Shqipëria pak kohë më parë? Arsyeja zyrtare ishte, u tha se nuk respektoi rregullat e anti- Covid në vend.
Ministrja Xhaçka: Për arsyen zyrtare që është bërë publike
Gazetari: Diplomat që nuk respekton rregullat anti-Covid ndërkohë që për mosrespektim të rregullave anti-Covid në Shqipëri një qytetar i thjeshtë merr 3 mijë lekë gjobë të reja, të cilat, në fund falen, në fund të pandemisë nga Kryeministri.
Ministrja Xhaçka: Jo patjetër një diplomat si dikush në një pozicion të një stature të caktuar patjetër që e ka disa …
Gazetari: A ishte i ndikuar nga jashtë?
Ministrja Xhaçka: Këto janë pyetje në fakt që nuk i takojnë fare kësaj që po flasim, nuk ka asesi lidhje me…
Gazetari: Dakort, Ambasadori Rus në një intervistë që ka dhënë pak ditë më parë për MCN Tv ka thënë, ka shprehur urimin e tij, dëshirën e tij dhe të Rusisë në fakt sepse edhe në një intervistë përpara disa kohësh, edhe Ambasadori i kaluar rus ma ka thënë edhe mua rifillimin e punës së Komisionit Ndërqeveritar Rusi- Shqipëri për tregtinë, bashkëpunim ekonomik dhe tekniko shkencor, i cili ka funksionuar sipas tij në 2009, me Qeverinë e re pas 25 prillit. Tani, mënyra sesi është formuluar më lind e drejta të bëj pyetjen: Rusia mbështet rotacionin politik në Shqipëri?
Ministrja Xhaçka: Kjo s’ka lidhje fare...
Gazetari: Kërkojmë që me Qeverinë e re të rivëmë në punë rifillimin e punës së Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për tregtinë që ka funksionuar deri në 2009?
Ministrja Xhaçka: Edhe njëherë, siç thamë, unë di që kanë qenë rreth 6 komisione të tilla mbi tregtinë dhe ekonominë, ndër vite i fundit ka qenë në vitin 2009, në Moskë. Ndërkohë Sesioni i 7-të u negociua të zhvillohej në tetor 2020, por u shty për shkak të pandemisë. Ende s’janë caktuar datat e reja. Siç thashë, linjat kryesore ku mund të zhvillohen marrëdhënie normale me Federatën Ruse mbeten ato sfera ekonomike ku palët kanë interes të ndërsjellë, arsimi, kultura, sporti, turizmi.
Gazetari: Për ta vënë në kontekst për teleshikuesit, është ndërprerë në momentin që Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Ka qëlluar që është, ka të bëjë me Qeverinë e Z. Berisha që po ajo e bëri anëtar të NATO-s, tani ndërkohë që urimi Ambasadorit është që mbas zgjedhjeve të 25 prillit me Qeverinë e re, ky komision të vihet në punë. Atëherë, duke pasur pak parasysh edhe ndërhyrjen ruse në SHBA, në mbështetje të një kandidati të caktuar, pyetja natyrshëm bëhet: A mbështesin ata rotacionin politik në Shqipëri?
Ministrja Xhaçka: Edhe njëherë, kjo pyetje e lidhur me atë që po bëni ju, kam përshtypjen që janë diametralisht të kundërta, nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Ju thashë që marrëdhëniet mes Shqipërisë edhe Rusisë janë të kushtëzuara nga ato që ju thashë pak më përpara. Nga fakti që ne jemi rreshtuar krah BE-së, sanksionet me Rusinë dhe nga fakti që Rusia ka një qëndrim të caktuar për shqiptarët, për Kosovën, për shqiptarët në rajon që ne nuk e mbështesim. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Shqiptarët në rajon janë një faktor stabiliteti, i rëndësishëm madje, faktor i rëndësishëm stabiliteti, kontribues i paqes, i mirëqenies dhe në këtë pike, marrëdhëniet me Rusinë, me Federatën Ruse siç ju thashë, janë disa marrëdhënie të cilat udhëhiqen vetëm nga ato që janë përtej sa ju thashë, sanksioneve, qëndrimeve, udhëhiqen drejt interesave të ndërsjellë. Interesi i ndërsjellë është në fushat që ju thashë dhe një komision për tregtinë dhe ekonominë, nuk ka asnjë lidhje me aprovimin apo jo të rotacionit politik, asesi, absolutisht fare. Thjesht me ato fusha të sferës ekonomike dhe sociale për të cilat vendet në një marrëdhënie bilaterale apo multilaterale, kanë interes të ndërsjellë dhe ato në fushat e interesit të ndërsjellë, turizmi, arsimi, kulture dhe sporti.
Gazetari: Një vizitë e mundshme e Edi Ramës, Kryeministri i Shqipërisë në Federatën Ruse, ka hasur hezitimin rus pikërisht nga mosvënia në funksion e këtij komisioni. I ka ndërmend Qeveria apo tani jemi në një fushatë zgjedhore dhe kjo është një çështje që nuk mund të diskutohet tani.
Ministrja Xhaçka: Jo, tani jemi në një kohë pandemie njëherë, nuk është thjeshtë fushatë zgjedhore.
Gazetari: Atëherë po bëj një pyetje në një nivel pak më makro, më të gjerë. Një nga dosjet që ju vetë si Ministre e Jashtme, nëse informacionet i kam të sakta, por më thoni Endri e ke gabim, është që Shqipëria të bëhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ministrja Xhaçka: Endri ke shumë të drejtë.
Gazetari: Kam shumë të drejtë, unë informacionin e kam të saktë. Prej disa kohësh zgjidhen 5 anëtarë jo të përhershëm njëri prej të cilëve vjen nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, pra ish-vendet komuniste, ku Shqipëria është pjesë. Duke pasur parasysh këtë marrëdhënie që kemi pasur me Rusinë që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, ndikimi Rus në vendimmarrje, kujtoj që është me 2/3 e asamblesë, prish punë për të çuar përpara këtë dosje, këtë kandidaturë të Shqipërisë?
Ministrja Xhaçka: Rusia është një ndër 193 vendet e Kombeve të Bashkuara, natyrisht, anëtare e përhershme e KS, e cila nuk mund ta pengoje kandidaturën tonë për t’u zgjedhur në KS. Kjo për faktin se votimi për t’u bërë pjesë e KS ndodh në AP të OKB, ku vendi aspirues duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e vendeve anëtare të OKB. Shqipëria është sot për sot në të ashtuquajturën, “Clean Slate” sepse Shqipëria kandidon e vetme për këtë pozicion. Shqipëria ka lidhur aq marrëveshje bilaterale për mbështetjen e saj, sa ta bëjë të sigurt marrjen e ulëses apo të vendit jo të përhershëm në KS. Vetëm 3 muaj nga zgjedhjet për KS të OKB, Shqipëria është e vetmja kandidaturë e Grupit tonë Elektoral, Grupi i Evropës Lindore, që prodhon 1 kandidaturë për KS, duke mbetur e pa sfiduar dhe duke e pasur rrugën e hapur për t’u votuar në AP të OKB. Megjithatë, ne kemi punuar intensivisht gjatë kësaj periudhe, sikur kandidatura jonë të sfidohej.
Gazetari: Kur?
Ministrja Xhaçka: …Pas tre muajsh
Gazetari: Pra, pas tre muajsh ju do të jeni ende Ministre e Jashtme, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.
Ministrja Xhaçka: Pas tre muajsh do të bëhet zgjedhja në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për vendin jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Gazetari: Dy vjeçar
Ministrja Xhaçka: Që është dy vjeçar, po.
Gazetari: Ju do shkoni në New York në atë moment?
Ministrja Xhaçka: Nëse do të jem Ministre, po.
Gazetari: S’ka arsye, pas tre muajsh, vetëm në qoftë se pas zgjedhjeve të 25 Prillit bën Kryeministri ato…
Ministrja Xhaçka: Kryeministri i rizgjedhur do të zgjedhë Qeverinë dhe nëse do të jem, patjetër do të ishte një nder dhe një privilegj i jashtëzakonshëm.
Gazetari: Ndryshimi ndodh në shtator është ende periudha e tranzicionit.
Ministrja Xhaçka: Dakord po …
Gazetari: Dakord, ok në qoftë se do jeni, do shkoni?
Ministrja Xhaçka: Patjetër!
Gazetari: Çfarë rëndësie ka kjo për Shqipërinë të jetë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së?
Ministrja Xhaçka: Një rëndësi të jashtëzakonshme. Përgjegjësia për një vend në Këshillin e Sigurimit për vitin 2022-2023 është një prioritet absolut i vendit tonë dhe kjo nuk ka lidhje me cilëndo parti politike që do të jetë në pushtet pas 25 qershorit. E para, Shqipëria është anëtare e OKB-së prej 65 vitesh dhe ky është momenti i parë kur Shqipëria mund të ulet në tryezën më të rëndësishme vendimmarrëse të botës. Patjetër me pesë Fuqitë e Mëdha dhe me katër anëtarët e tjerë, plus Shqipërinë për të marrë disa vendime që kryesisht kanë të bëjnë më paqen, sigurinë, me të Drejtat e Njeriut, me ambientin. Është një prestigj i jashtëzakonshëm që e ndihmon patjetër Shqipërinë të linjëzojë vendimmarrjen e vet me më të rëndësishmit e botës. Dhe vlen të thuhet, që të gjitha premisat janë që nga gjysma e dytë e këtij viti, Shqipëria do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurimit. Ne nuk presim që të na duartrokasin, apo të na votojnë 193 vendet që janë pjesë e Kombeve të Bashkuara, por pa diskutim mendojmë që Shqipëria e meriton dhe do të mbështetet, edhe për rolin që ajo ka luajtur edhe për kontributin që ajo ka dhënë për paqen dhe sigurinë. Ne e mendojmë kandidaturën si një mundësi të jashtëzakonshme dhe ne jemi duke punuar ngushtësisht, edhe me ekspertët tanë por edhe me ekspertë ndërkombëtare, që Shqipëria të paraqitet me një kartëvizitë shumë dinjitoze, duke filluar nga një broshura, kapitujt e të cilës do të tregojnë se cilat janë principet udhërrëfyese të politikës tonë të jashtme, cilat janë vlerat që ne mbrojmë, cili është kontributi që Shqipëria ka dhënë për multilateralizimin edhe për paqen dhe sigurinë dhe bashkë me këto, bashkë me broshurën do të kemi logo, slogan do të kemi shumëçka, për ta prezantuar Shqipërinë sa më denjësisht.
Gazetari: Prestigj ishte dhe Presidenca e OSBE-së.
Ministrja Xhaçka: E cila ishte jashtëzakonisht e suksesshme dhe e vlerësuar maksimalisht nga partnerët dhe nga aleatët.
Gazetari: Bjellorusia refuzoi ndërmjetësimin shqiptar për çështjen e Krimesë. Në çështjen e konfliktit në Ukrainë, Krime s’pati ndonjë rezultat konkret sepse ajo është një gjë që tejkalon …
Ministrja Xhaçka: Nuk është kjo detyra e kryesuesit të OSBE-së pra, produkti i këtyre konflikteve nuk varet nga ajo që kryeson, por maturia që ka treguar diplomacia shqiptare gjatë kryesimit të OSBE-së ka qenë shumë e vlerësuar nga të gjithë partnerët. Madje, mos t’ju them që ka qenë një surprizë e madhe që ne s’ishim të gatshëm dhe u treguam vërtetë aq të zotë edhe të pjekur për të bërë atë që kemi bërë.
Gazetari: A kishte ndonjë paradoks ose po të doni apo çfarëdolloj fjalë tjetër, diçka që nuk shkonte, të jem sa më neutral në përcaktim…
Ministrja Xhaçka: Jo
Gazetari: Jo aprirori?
Ministrja Xhaçka: Ju lutem vazhdoni pyetjen!
Gazetari: Në momentin kur Shqipëria kishte Presidencën e OSBE-së dhe Komisioneri i OSBE-së për mediat bënte vërejtje lidhur me ligjin për mediat i cili nuk ka kaluar ende, i ashtuquajturi antishpifje…
Ministrja Xhaçka: Sërish kjo nuk ka të bëjë, mund të doni që t’i lidhni të dyja bashkë por kjo nuk do të thotë që në momentin që merr kryesimin e një organizmi multilateral si OSBE-ja, duhet detyrimisht të vendosësh diktat mbi organizatën.
Gazetari: Nuk duhet të udhëheqësh me shembull? Leading by example? Dmth, kur nuk je vetë i kulluar ose…
Minstrja Xhaçka: E para, nuk ka pasur asnjë draft për ligjin e medias. Ka pasur vetëm diskutime mbi të. Nuk ka pasur ndonjë draft, nuk ka shkuar drafti në parlament. Ka pasur vetëm diskutime pra, edhe kjo që po thoni ju, është, le të themi, pjesërisht e pasaktë.
Gazetari: Kemi një deklaratë meqë Zoti Idrizi të cilin unë e njoftova do të jetë pak më vonë. Para disa ditësh ishte 200-vjetori i revolucionit grek. Doli me të madhe dhe tha: Ministria e Jashtme nuk po reagon, Edi Rama nuk po reagon për deklaratat për thirrjet Vorio-Epiriote në paradë. Tani kjo është diçka që Ministria e Jashtme ka bërë dhe duhet ta bënte. Shpëtim Idrizi reagon sepse jemi fushatë zgjedhore dhe ka tendencë nacionalizmi. Nacionalizmi është e vetmja që i ka mbetur si është në gjithë këtë histori domethënë. Një koment të shkurtër për këtë sepse nuk është...
Ministrja Xhaçka: E para, komenti që mund t’ju bëj është që kjo tregon pa diskutim që ka ende shumë për të bërë për të shmangur një gjuhë të tillë. Greqia është një vend fqinj, është një vend mik me të cilin ndajmë shumë gjëra. Fakti që termi “Epir i Veriut” u përdor në paradën ushtarake të organizuar me rastin e festës kombëtare të 200-vjetorit të pavarësisë së Greqisë nga një grup ushtarakësh gjatë parakalimit tregon se duhet bërë më shumë në shmangien e përdorimit të këtij termi. Pala jonë do ta ngrejë në vazhdimësi këtë çështje, pasi mbrojmë me vendosmëri interesat kombëtare, duke u përpjekur që episode të tilla të mos minojnë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe fqinjësinë e mire mes dy popujve.
Gazetari: Domethënë ju i dënoni thirrjet?
Ministrja Xhaçka: Patjetër që i dënojmë për sa kohë që mbrojmë interesin tonë kombëtar dhe kjo është absolutisht e panegociueshme dhe patjetër që do t’i ngremë këto çështje në vazhdimësi.
Gazetari: I keni ngritur?
Ministrja Xhaçka: Edhe me homologët tanë pa dyshim, duke u përpjekur që episode të tilla të mos minojnë asnjëherë marrëdhëniet e mira mes vendeve tona dhe mes popujve tanë.
Gazetari: Si janë marrëdhëniet me Greqinë se kjo më intereson?
Ministrja Xhaçka: Marrëdhëniet me Greqinë janë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të dy vendet, anëtare në NATO dhe me interesa jetike të përbashkëta, ndajnë vlerësimin se marrëdhëniet ndërmjet tyre janë me rëndësi strategjike në rajon. Në këtë frymë, ne kemi hapur një kapitull shumë pozitiv me qeverinë greke. Gjatë vizitës së MPJ Dendias në 20 Tetor 2020 u ra dakord për të përmirësuar zyrtarisht marrëdhëniet dypalëshe përtej Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit (në fuqi) me një Deklaratë të Partneritetit Strategjik. Për ne, partneriteti strategjik me Greqinë është një partneritet për të ardhmen, duke mos harruar asnjëherë gjithçka që na lidh nga e shkuara. Me Greqinë jemi duke punuar bashkërisht për t’i adresuar e për t’i zgjidhur me frymë konstruktive, me vullnet të mirë, me angazhim të përbashkët, të gjitha çështjet që duhen zgjidhur mes dy vendeve tona, në të mirën e qytetareve të dy vendeve. Në interes të forcimit të këtyre marrëdhënieve, të dyja palët kanë punuar për kapërcimin e problemeve të trashëguara, përfshi dakordësimin për të zgjidhur ‘çështjen e kufijve detarë’[1] nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Në këtë mënyrë ne mund të përqendrohemi tek bashkëpunimi, në dobi të qytetarëve të të dy vendeve, përfshirë sidomos qytetarët tanë në Greqi (psh është arritur vendimi për njohjen e lejeve të drejtimit për të gjithë bashkëkombësit tanë, si dhe pranimi i vulës apostile që lehtëson proceset administrative). Të dy vendet kanë pasur bashkëpunim shumë të mirë në trajtimin e luftës kundër covid-19. Greqia ishte ndër vendet e para që ofroi ndihmë gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019. Gjithashtu, Greqia ishte një ndër kontribuuesit në konferencën e donatorëve në Bruksel, për akordimin e një granti prej 2,5 milion eurosh, me qëllim rindërtimin e një shkolle profesionale në Tiranë.
Gazetari: Zonja Ministre, ju nuk keni as tre muaj në Ministri. Pra, 5 janar, sot është data 30 mars. Domethënë, ju nuk mund të merrni as merita por as kusure të paraardhësve tuaj. Pavarësisht se kur morët detyrën u kthyet nga Zoti Cakaj dhe thatë: Gent, të kam këshilltar sa herë të nevojitesh. Që mos të kaloj në komente, të mbetem te pyetja: Çfarë po bën Ministria e Jashtme në drejtimin e Olta Xhaçkës? Po negocion gjë me Greqinë? Presidenti i Republikës, mëse një rast ka thënë që nuk kam asnjë dijeni se çfarë po ndodh, kur u vendos dhe si u vendos që çështja e kufirit detar të shkojë në gjykatë. Çfarë po ndodh me këtë dosje?
Ministrja Xhaçka: Nuk po negociojmë me Greqinë për ta thënë shumë qartë. Jemi, le të themi, rigrupuar secili me stafet e veta teknike për të kuptuar kush janë epërsitë tona në atë proces. Për të gjetur të përbashkëtat dhe të kundërtat kur të vendosim për ta çuar çështjen në gjykatë. Duhet të kuptoni që çështja shkon në gjykatë me dakordësi vetëm pasi të jenë identifikuar çështjet që do të çohen në gjykatë. Kështu që në këtë pikë, secili me ekspertët e vet dhe me gjithë ndihmën dhe asistencën me ekspertët më të mirë në vend, po bën le të themi një studim të pozicioneve përkatëse.
Gazetari: Si funksionon përsëri të Presidenti, kërkohet plotfuqishmëria?
Ministrja Xhaçka: Kur të vijë koha patjetër. Kur të vijë koha patjetër.
Gazetari: Kur mund të vijë koha?
Ministrja Xhaçka: Në këtë moment, këtë nuk di t’ua them dot.
Gazetari: Uroni të mos jetë më President Meta në atë moment? Apo kjo është një gjë profesionale, nuk ka absolutisht rëndësi kush është President?
Ministrja Xhaçka: Ky është interes kombëtar, unë gjykoj që emri i përveçëm është krejtësisht i parëndësishëm.
Gazetari: Okej. Pati një moment, madje u bënë dhe panele, u diskutua një pozicion i Kryeministrit si ndërmjetës mos ose në mos si ndërmjetës, një përçues, një lajmës mes Greqisë, midis Turqisë dhe Greqisë. Pra, pas vizitës shumë të mirë në Turqi u pa në drekë te shtëpia e Kryeministrit Mitsotakis. Është Shqipëria një ndërmjetës midis këtyre dy vendeve në problemet që kanë?
Ministrja Xhaçka: Nuk mund t’ua them këtë. Nuk besoj se Shqipëria mund të luajë një rol si ndërmjetës mes këtyre dy vendeve me problemet që kanë. Ajo që di t’ju them është se Kryeministri Rama gëzon besimin e…
Gazetari: Pra është individi që ka krijuar marrëdhënie personale?
Ministrja Xhaçka: Është individi që ka krijuar një marrëdhënie personale dhe institucionale që gëzon besimin për të diskutuar ndoshta dhe për çështje me interes të ndërsjellë. Por mund t’ju them vetëm kaq, se këtu nuk bëhet fjalë për vendin që negocion për të bërë bashkë pozicionet e kundërta apo për të afruar dy vende të tjera por bëhet fjalë për besimin e ndërsjellë. Një marrëdhënie bashkëpunimi që Kryeministri Rama e ka ndërtuar me të dy liderët e këtyre vendeve që ju përmendet.
Gazetari: Presidenti Erdogan mesa duket po e realizon atë që i premtoi Kryeministrit në Konferencën e përbashkët për shtyp për t’i bërë një spital para zgjedhjeve. Është e përsëritur që Presidenti Erdogan tregon preferencë politike për zgjedhjet në Shqipëri. E ka bërë në 2017 në një intervistë për një televizion kombëtar ku ka thënë që uroj që miku im Edi Rama të fitojë dhe po e bën përsëri tani. Është kjo e dënueshme apo liderët politikë në Evropë mund të zgjedhin të marrin anën në një proces zgjedhor në një vend të caktuar?
Ministrja Xhaçka: Unë nuk e quaj fare të marrin anë sepse janë dy qeveri të cilat drejtojnë vendet, të cilat bashkëpunojnë edhe falë një marrëdhënie të thellë historike, falë një bashkëpunimi intensiv politik, falë një partneriteti shumë të ngushtë në NATO dhe në mekanizma të tjerë multilateralë dhe një marrëdhënie realisht shumë të mirë bilaterale mes Shqipërisë edhe Turqisë. Konkretizimi i marrëveshjeve dhe projekteve të dakordësuara me Presidentin Erdogan në Ankara do të jenë objekt i punës dhe përpjekjeve tona të përbashkëta. Vetëm në këtë fillim viti Tiranën e vizituan Kryetari i Parlamentit turk, Ministri i Bujqësisë dhe Ministri i Arsimit, ndërkohë në Turqi ka zhvilluar një vizitë zyrtare Ministri ynë mi Mbrojtjes. Turqia është partneri i 4 më i madh tregtar i Shqipërisë. Shqipëria i është mirënjohëse Turqisë mike për ndihmën e menjëhershme dhe të vazhdueshme që Qeveria Turke ofroi vendit tonë në momentet më të vështire të saj, si në rastin e goditjes nga tërmeti shkatërrues i datës 26 nëntor 2019, ashtu edhe gjatë pandemisë. Kjo gjë vërehet më së qarti dhe në bashkëpunimin e ngushtë dhe përpjekjet e përbashkëta mes qeverive të vendeve tona në përballimin e luftës kundër Covid 19.
Gazetari: Sollën dhe vaksina kineze...
Ministrja Xhaçka: Sollën dhe vaksina, padiskutim. Sjellim në vëmendjen tuaj se Kryeministri Rama disa ditë më parë gjatë një vizite në Stamboll siguroi 1 milionë vaksina Sinovac, nga të cilat në Tiranë mbërriti partia e parë prej 192 mijë vaksinash. Falë angazhimin personal të Presidentit Erdogan në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, brenda disa ditësh do të përfundojë ndërtimi i Spitali Rajonal i Fierit.
Gazetari: Kundrejt pagesës sigurisht por sot është e vështirë të blesh. Ka vende që duan t’i blejnë dhe si blejnë dot.
Ministrja Xhaçka: Kanë dhënë ndihmë dhe gjatë pandemisë me spitalin që ju folët, kështu që në këtë kuptim, shikojeni si një partneritet i cili ka qenë i vazhdueshëm dhe unë besoj që nuk do dallonte dhe në qoftë se do kishim një qeveri tjetër.
Gazetari: Çfarë kërkojnë në këmbim? Kërkojnë gjë në këmbim?
Ministrja Xhaçka: Edhe njëherë është një marrëdhënie bilaterale, një marrëdhënie madje strategjike siç ne e kemi dhe me Italinë, siç do ta kemi edhe me Greqinë pas firmosjes së Partneritetit Strategjik siç është rënë dakord për t’u ngritur mbi Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit në një partneritet strategjik. Pra, është një marrëdhënie siç është kjo marrëdhënie me ata aktorë që ne i konsiderojmë aktorë strategjikë, e cila jep edhe merr. Patjetër ne nuk jemi Turqia dhe në këtë marrëdhënie le të themi që ata favorizojnë një mbështetje shumë më të madhe ndaj Shqipërisë nga ç’mund të jetë mbështetja që ne mund t’i jepnim në mënyrë reciproke Turqisë. Por ju thashë, e gjitha kjo është në konturet e një marrëdhënie bilaterale dhe një partneriteti strategjik.
Gazetari: Presidenti Erdogan akuzohet nga Evropa ku ne synojmë të shkojmë. Pra, vërtetë thuhet që është anëtar i NATO por nuk është anëtar i Bashkimit Evropian dhe negociata nuk ka më me Turqinë. Akuzohet për, pra do me thënë Erdoganizmi është një lloj fryme autoritare, ku dënohen kundërshtarët, burgosen gazetarët, ndalohen rrjetet sociale pastaj lejohen prapë etj. Duke qenë kaq të afërt me Presidentin Erdogan, a nuk rrezikojmë të kemi Evropën, s’po them kundër por kritike. Pra, të heqim paralelen midis figurës së Edi Ramës dhe presidentit Erdogan. Erdoganizmit dhe dëshirës së Edi Ramës për të pasur një mandat të tretë në Shqipëri për të thyer konstanten historike të dy mandateve.
Ministrja Xhaçka: Sërish unë nuk i shoh realisht lidhjet që bëni ju. Nuk ka korrelacion mes këtyre. Siç u thashë ne kemi një partneritet…
Gazetari: Më thuaj me cilin rri të të them se cili je…
Ministrja Xhaçka: Kemi një partneritet strategjik me Turqinë. I jemi shumë mirënjohës për ndihmën dhe asistencën gjatë këtyre viteve. Ju thashë kemi një partneritet të ngushtë në NATO. Kemi një marrëdhënie shumë intensive politike.
Gazetari: Absolutisht kjo është e vërtetë, Turqia na ka ndihmuar që në ‘92. Ka marrë, ka formuar kuadro shqiptarë….
Ministrja Xhaçka: Kemi një bashkëpunim që ka qenë i qëndrueshëm ndër vite, kështu që unë nuk e shoh këtë…
Gazetari: Ju e thatë që ka vendosur një marrëdhënie personale Kryeministri me Presidentin Erdogan?
Ministrja Xhaçka: Patjetër dhe thashë që Turqia është një vend anëtar i NATO dhe është një partner i rëndësishëm i BE. Patjetër që në marrëdhënie bilaterale, multilaterale, ka ulje ngritje, por unë nuk mund t’i bëja asesi këto lloj asocimesh që bëni ju.
Gazetari: Okej. Si mund të shpjegohet vizita e Kryeministrit Edi Rama në Francë, dreka me Presidentin Macron i cili ka një marrëdhënie tejet të tensionuar me Presidentin Erdogan, ai dhe Franca si shtet me Turqinë madje dhe Gjermania po të doni, dy vendet lokomotivë të BE. Pra, kujtoj thirrjen e Presidentit Erdogan, “Mos votoni Kancelaren Merkel”.
Ministrja Xhaçka: Po pse duhet ta shikoni vizitën në Francë duke e kaluar patjetër nga Turqia. Vizita në Francë shkon nga Shqipëria në Francë dhe nga Franca në Shqipëri.
Gazetari: Atëherë pyetja…
Ministrja Xhaçka: Nuk i bihet si Magelani nga Turqia për të shkuar në Francë. Vizita e kryeministrit në Francë ishte shumë e rëndësishme, pasi si rezultat i saj: Franca ofroi gatishmërinë e saj për të ndihmuar Shqipërinë, nëse do të kërkohet, për përballimin e situatës së pandemisë së COVID-19. Kjo i shtohet fakteti që Franca, për nga niveli financiar është kontribuesja kryesore bilaterale në për programet e ndihmës së rindërtimit pas tërmetit në Shqipëri. Gjatë këtij takimi u vlerësua edhe diskuta rreth programeve dhe projekteve zhvillimore të Francës në Shqipëri, dhe posaçërisht ato të Agjencisë Franceze të Zhvillimit (gjithsej 161 milionë euro). Vlerësimi i pranisë ekonomike franceze në Shqipëri dhe potencialet që ekzistojnë për konsolidimin dhe shtimin e saj. Në veçanti u vlerësua suksesi më i fundit i kompanisë Voltalia në parqet fotovoltaike të Karavastasë dhe Spitallës, si një shembull pozitiv jo vetëm nga pikëpamja ekonomiko-financiare, por edhe në ato që kanë të bëjnë me rëndësinë strategjike të energjisë dhe ato që lidhen me tranzicionin ekologjik. U shkëmbyen gjithashtu mendime rreth rrugëve për përfshirjen e Shqipërisë në projektet e rilokalizimit të industrive franceze dhe atyre evropiane nga vendet e Azisë etj., veçanërisht pas vështirësive të hasura gjatë pandemisë së Covid-19. Kryeministri Rama parashtroi idenë e ngritjes në Shqipëri të filialeve të universiteteve franceze dhe evropiane me Ministrinë shqiptare të Arsimit dhe universitetet shqiptare, me financime të përbashkëta. Për këtë u ra dakord në parim me presidentin Macron që të bisedohet më në detaj mes ekipeve të dikastereve kompetente.
Gazetari: Duke pasur marrëdhënie të privilegjuara me Turqinë edhe njëherë se kjo ishte pjesa e parë e pyetjes, pak më parë që ju bëra, a mundet të jemi pro evropianë? A mund të jemi europeistë?
Ministrja Xhaçka: Jemi europeistë, jemi pro evropianë, jemi pro perëndimorë, jemi për integrimin euro-atlantik të të gjithë rajonit dhe e shohim Evropën si një zonë ekskluzive strategjike të Bashkimit Evropian.
Gazetari Endri Xhafo: Para se të shkojmë në Francë, edhe njëherë, se ju pyeta nuk m’u përgjigjët. Ndoshta s’ka përgjigje, por ma thoni që s’ka përgjigje për këtë. Çfarë kërkon Presidenti Erdogan ose Turqia për këtë marrëdhënie kaq të privilegjuar me Shqipërinë. Për tërmetin shumë faleminderit, për spitalin memorial të Fierit ejvallah. Po të doni dhe për vaksinat shumë faleminderit. Kërkojnë gjë në këmbim përveç miqësisë tonë?
Ministrja Xhaçka: Gjithsecili sipas mundësive të veta apo jo? Është një partneritet strategjik ju thashë. Është një marrëdhënie bashkëpunimi intensive si në rrafshin politik, si në atë ekonomik. Kam përshtypjen që Turqia është një nga partnerët tanë tregtarë më të mëdhenj pra, është një marrëdhënie e ndërsjellë si interesi, ashtu edhe besimi dhe bashkëpunimi. Kështu që në këtë pike, nuk do të nxirrja konkluzione të tjera përveç asaj që duket një partneritet i mirë dhe strategjik.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Adresa: Bulevardi ‘Gjergj Fishta’, Nr 6. Tiranë
Për informacione konsullore, probleme të qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, kontaktoni në:
Tel: +355 (0) 42340358
Mund të kontaktoni:
E Hënë – E Enjte 08.00 – 16.30
E Premte 08.00 – 14.00
E-mail: DK@mfa.gov.al