Postuar më: 08 Mars 2016

Intervistë e Ministrit Bushati për Këshillin e Atlantikut - Kriza e emigrantëve, Brexit shpërqëndron BE-në nga zgjerimi

Kriza e emigrantëve dhe debati mbi të ardhmen e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian e kanë zhvendosur vëmendjen larg nga zgjerimi i BE-së dhe kjo mund të prishë procesin e ndërtimit të shteteve anëtare demokratike në të ardhmen, tha më 25 shkurt Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati.

“Për fat të keq, kriza e migrantëve, e shoqëruar me kriza të tjera me të cilat po përballet Evropa, ka kthyer politikën e zgjerimit në një çështje të nivelit të dytë”, tha Bushati në një intervistë në zyrat e Këshillit të Atlantikut, në Uashington.

Ndërkohë, debati Britanik, nuk lejon që BE të mendohet në terma më strategjike për të “kompletuar dhe konsoliduar projektin e bashkimit” në Ballkanin Perëndimor, shtoi ai.

Në mungesë të një përgjigjeje të unifikuar dhe koherente të BE-së ndaj krizës së emigrantëve, zyrtarë nga Shqipëria dhe tetë shtete të tjera të Ballkanit: Bosnja, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia, po ashtu dhe Austria njoftuan më 24 shkurt vendimin për të ngadalësuar hyrjen e emigrantëve në vendet e tyre. “Nuk është e mundur për t’u përballuar me një numër të pakufizuar emigrantësh dhe azil-kërkuesish,” thanë ata, duke sugjeruar se një pengesë e plotë mund të jetë e pashmangshme.

Bushati tha se mund të mos jetë kjo ajo që do të ndodhë. “Mbyllja e kufijve do të prodhojë një efekt zinxhir në vendet fqinje, por kjo, jo domosdoshmërisht do të adresojë shkaqet kryesore dhe fenomenin me të cilin po përballemi të gjithë”, tha ai. 

Kriza e emigrantëve, është lëvizja më e madhe e njerëzve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ajo ka nisur kryesisht nga konfliktet në Siri, Irak dhe Afganistan, duke sjellë reaksione të ndryshme në të gjithë Evropën. Ndërkohë që Gjermania ka marrë me qindra e mijëra emigrantë, vende të tjera evropiane kanë qenë më pak mirëpritëse, Hungaria ka ngritur një gardh kufitar, Austria ka kufizuar në tetë numrin e azilkërkuesve në ditë dhe Maqedonia i ka refuzuar emigrantët afganë.

Ndërtimi i mureve dhe gardheve nuk është përgjigja e duhur, tha Bushati.

Një plan i propozuar nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker për të shpërndarë 160.000 emigrantë në të gjithë bllokun prej njëzet e tetë vendesh ka ngecur për shkak të kundërshtimeve, kryesisht nga vendet e Evropës Lindore. Kryeministri hungarez Viktor Orban dëshiron të mbajë një referendum për të pyetur hungarezët nëse ata duan të pranojnë kuotat e emigrantëve të imponuara nga BE.

Infektim nga Brexit?

Kriza e emigrantëve kërcënon për të pakësuar dëshirën për zgjerimin Evropian në një kohë kur projekti Evropian është nën presione të konsiderueshme që nga referendumi Britanik i 23 qershorit, për të diskutuar nëse Britania e Madhe duhet të vazhdojë të jetë pjesë e BE-së, dhe shqetësimi Brukselit për të shpëtuar euron.

Shenjat se i ashtuquajturi debati Brexit është duke patur një efekt të vazhdueshëm kanë filluar të shfaqen: Kryeministri çek Bohuslav Sobotka parashikoi një diskutim të ngjashëm në vendin e tij për të ardhmen e tyre në BE, dhe kryeministri serb Aleksandar Vuçic tha se blloku ka “humbur fuqinë e tij magjike.” Ekziston rreziku se kjo mund të çojë që disa vende të bien përsëri në sferën e ndikimit të Rusisë.

“Çdo debat që nuk ka parasysh rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor për BE-në, ne kuadrin politik, ekonomik dhe kushtet e sigurisë do të jenë të dëmshme për Bashkimin Evropian, dhe jo vetëm për Ballkanin Perëndimor", tha Bushati.

Aspiratat e Shqipërisë për në BE

Bushati, një ish-kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian, gjithashtu diskutoi edhe përpjekjet e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Ai tha se Shqipëria është në një “rrugëtim të qëndrueshëm kur bëhet fjalë për procesin e reformës.” Ai ka shpresë se Komisioni Evropian do të japë një rekomandim të qartë për fillimin e bisedimeve të pranimit.

Në një vizitë të shkurtër në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, më 14 shkurt, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry përgëzoi Shqipërinë për faktin së është në “rrugën e duhur” drejt integrimit evropian. Kerry tha se ishte “i impresionuar” me kalimin e një ligji që do të ndalonte kriminelët nga politika, dhe “i inkurajuar” nga një paketë e reformës gjyqësore që synon luftimin e korrupsionit, një problem me rrënjë të thella në ish-Bllokun Lindor.

Partneriteti strategjik SHBA-Shqipëri

Vizita e Bushatit në Uashington vjen vetëm disa javë para 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri janë farkëtuar pjesërisht nga mbështetja e Shqipërisë, një partner i NATO-s, për misionin e Aleancës në Afganistan, si dhe koalicionit të udhëhequr nga SHBA kundër ISIS. (Shqipëria ka ofruar pajisje ushtarake dhe municione për luftëtarët kurdë Peshmerga.) Shtetet e Bashkuara janë duke i ofruar ndihmë Shqipërisë me reformat gjyqësore; dhe të dy vendet zyrtarizuan një marrëveshje për partneritet strategjik në 2015.
Bushati tha se fakti se Ballkani sot është në paqe është një prove e suksesit të politikës së jashtme Amerikane.

Intervista

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati foli në një intervistë me “The New Atlanticist’s Ashish Kumar Sen” në një vizitë në zyrat e Këshillit Atlantik në Uashington më 25 shkurt. Këtu janë disa fragmente nga intervista.

P: Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit dhe Austrinë, kanë deklaruar se rrjedha e migrimi përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor duhet të reduktohet ndjeshëm. A është e pashmangshme që Shqipëria përfundimisht do të duhet të mbyllë kufijtë e saj për emigrantët?

Bushati: Kjo është një krizë e paprecedent. Kjo kërkon një përgjigje gjithë-përfshirëse dhe një zgjidhje, sepse strukturat e tanishme dhe legjislacioni në fuqi në Evropë nuk janë të mjaftueshme për t'iu përgjigjur një krize të kësaj shkalle. Ndërtimi i gardheve dhe mureve nuk është një zgjidhje e përshtatshme. Ne, gjithmonë kemi besuar se nga njëra anë duhet te adresojmë shkaqet kryesore të krizës dhe të japim sinjale të forta solidariteti, dhe nga ana tjetër duhet të garantojmë sigurinë e njerëzve dhe arkitekturën e sigurisë së Evropës.

Mbyllja e kufijve do të prodhojë një efekt zinxhir për vendin fqinj, por kjo jo domosdoshmërish i adresohet shkaqeve kryesore dhe fenomenit me të cilin jemi përballur të gjithë. Në kohën që po flasim, Shqipëria nuk është prekur nga dyndjet e refugjatëve për shkak të pozicionit gjeografik. Kufiri me Greqinë dhe Maqedoninë është mjaft malor. Ne jemi duke punuar edhe me Italinë dhe UNHCR, dhe kemi përforcuar mekanizmat tona të vëzhgimit përgjatë kufirit me Greqinë dhe Maqedoninë. Në të njëjtën kohë,  kemi adaptuar një plan te mundshëm emergjence në rast se prekemi nga ky fenomen.

P: Maqedonia i ka kufizuar emigrantët që kalojnë nëpërmjet kufijve të saj. Për shembull, ka kthyer mbrapsht emigrantët afganët. A prisni pasoja nga kjo politikë në Shqipëri?

Bushati: Tani për tani ne, nuk shohim një devijim të rrugës (marrë nga emigrantët). Ne jemi duke marrë disa masa parandaluese, si fillim, forcimin e kontrollit kufitar me Maqedoninë dhe Greqinë, dhe së dyti, jemi duke bashkëpunuar me Italinë. Duam të sigurohemi se kjo krizë emigrimi nuk do të shoqërohet me aspekte të jashtëligjshme siç kemi parë një dekadë më parë në zonën e Adriatikut, ku persona nga Afrika e Veriut përdorin rrugën ballkanike dhe Italinë si një mënyrë për të hyrë në Evropën Veriore.

Regjistrimi i emigrantëve në pikën e hyrjes është një gjë shumë e mirë. Kjo shkon së bashku me frymën e sistemit të Shengenit dhe Dublinit, por duhen marrë parasysh përmasat e kësaj krize. Sistemi i Shengenit dhe Dublinit është menduar për t'u zbatuar në kohë normale. Ne jemi duke jetuar në kohë krizë, kështu që pyes veten nëse këto mekanizma mund të na shërbejë në trajtimin e krizës së tanishme.

P: A jeni i shqetësuar se progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE mund të ndalet për shkak të dy faktorëve- si fillim, kriza e emigrantëve mund të zvogëlojë dëshirën për zgjerim, dhe së dyti, preokupimi i Brukselit për shpëtimin e euros?

Bushati: Për fat të keq, kriza e emigrantëve, shoqëruar me kriza të tjera me të cilat Evropa po përballet, ka zhvendosur politikën e zgjerimit në një çështje dytësore. Emigrimi është bërë një çështje kryesore. Kjo mund të ketë efekte përçarëse në procesin e ndërtimit të një shteti anëtar demokratik dhe konsolidimit në zonën tonë. Ne duhet të sigurohemi që kjo krizë është parë edhe si një mundësi për të modernizuar më tej bashkëpunimin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

P: Çfarë progresi ka bërë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE-së?

Bushati: Ne na është dhënë statusi i kandidatit në qershor të vitit 2014 dhe tani jemi të përgatitur për të lëvizur drejt me hapin e radhës, i cili do të jetë i pari për të siguruar një rekomandim nga Komisioni Evropian që më vonë do të miratohet nga shtetet anëtare të BE.
Ne jemi në një rrugëtim të qëndrueshme kur bëhet fjalë për procesin e reformës. Pesë prioritetet kryesore që janë identifikuar nga ana e Komisionit Evropian janë vënë në zbatim nga ne. Jemi në një proces të vazhdueshëm dialogu dhe shqyrtimi me Komisionin Evropian. Ne besojmë se këtë vit Komisioni Evropian do të dalë me një rekomandim të qartë për nisjen e bisedimeve të pranimit.

Ky është një proces që kërkon kohë dhe ne sigurisht që besojmë në fazat e rritjes së këtij procesi, i cili e mban vendin në ekranin e radarit dhe gjithashtu ndihmon që të zbatojë reformat e nevojshme që kërkojnë përmirësim në aspektin e kredencialeve demokratike dhe zhvillimit ekonomik.

P: Si një përfaqësues i një vendi që është në përpjekje për t’u anëtarësuar në BE, a jeni të shqetësuar për një përhapje të efektit të Brexit dhe a ka kjo ndonjë ndikim në aspiratat e Shqipërisë për në BE?

Bushati: Nuk mendoj se debati Brexit ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi shqiptarët dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, aspirantë, për t’u bërë pjesë e BE-së. Por debati Brexit ka një ndikim të drejtpërdrejtë në BE në vetvete. Kjo nuk lejon që BE të mendojë në terma më strategjik se si të merret me periferinë e saj, në qoftë se mund ta përdorin këtë term për Ballkanin Perëndimor, për të përfunduar dhe të konsoliduar projektin e bashkimit. Kjo është frika ime.

Së dyti, është e rëndësishme të theksohet se procesi i anëtarësimit në BE i Ballkanit Perëndimor është një proces i drejtuar nga demokracia. Ne e shohim hyrjen në BE si një mundësi të mjaftueshme për të transformuar veten, për të transformuar ekonominë, për të përmirësuar kredencialet demokratike. Në këtë aspekt, çdo debat që nuk merr parasysh rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor për BE-në, në kuadrin politik, ekonomik dhe kushtet e sigurisë do të jenë të dëmshme për Bashkimin Evropian, dhe jo vetëm për Ballkanin Perëndimor.

P: A ka ndonjë rrezik që Brexit ka nisur një debat që mund të çojë që disa vende të bien përsëri në sferën e ndikimit të Rusisë?

Bushati: Rusia është mjaft e pranishme në rajonin tonë, nëse e shikon në shifrat e tregtisë, investimeve, dhe gjithashtu lidhjet historike dhe fetare. Unë jo domosdoshmërish shoh një lidhje të qartë mes Brexit dhe ndikimit të Rusisë në rajon.

Në të kundërtën, në qoftë se BE-ja do të vazhdojë të angazhohet në rajonin tonë në aspektin strategjik me projektet e lidhura me energjinë, projekte të cilat do të sjellin zhvillimin e nevojshëm ekonomik dhe do të ngushtojnë hendekun mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, unë mendoj se ne do të jemi më pak të shqetësuar për ndikimet e të ashtuquajturve faktorëve të tretë që janë mjaft të pranishëm në rajon.

P: Çfarë ndikimi ka gjendja e sigurisë evropiane në marrëdhëniet transatlantike dhe mund të jetë kjo një mundësi për forcimin e partneriteteve?

Bushati: Ne kemi nevojë për të riafirmuar lidhjet transatlantike. Vendimi i NATO-s për të zgjatur një ftesë për Malin e Zi, ishte një vendim në drejtimin e duhur. Ne duhet të angazhohemi me të gjitha vendet e rajonit, pa marrë parasysh nëse ata duan të bashkohen me NATO-n apo jo, në një partneritet të strukturuar dhe dialog në aspektin politik dhe të sigurisë, për të zvogëluar sa më shumë ndikimet e mundshme të aktorëve të tjerë, të cilat jo domosdoshmërish ndajnë të njëjtat vlera, pikëpamje dhe objektiva, si ajo e familjes sonë transatlantike.

P: Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria zyrtarizojnë një partneritet strategjik në vitin 2015. Cilat janë pasojat praktike të këtij partneriteti?

Bushati: Ne jemi partnerë strategjikë dhe aleatë. Ne kemi qenë së bashku në fronte të ndryshme internacionale: Irak, Siri, Afganistan, në operacione humanitare. Shtetet e Bashkuara janë një mbështetës i fortë i anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ne kemi qenë të privilegjuar për të përdorur ndihmën e SHBA-së në projekte lidhur me sundimin e ligjit. Tani po hyjnë në ujëra të reja, duke diskutuar projekte me rëndësi të ndërsjelltë, projektet që lidhen me sigurinë e energjisë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e SHBA-së, sepse  besojmë se në qoftë se Ballkani është sot në paqe, edhe pse duhet të përballemi me shumë sfida, kjo është kryesisht për shkak të suksesit të politikës së jashtme amerikane në rajonin tonë.