
“Bilanci është pozitiv, sepse ka të bëjë me një bashkëpunim të perditshem ndermjet dy qeverive, por edhe institucionve të Shqipërisë e Kosoves.Në planin politik mund të thuhet që Kosova është më pranë proceseve të integrimit euroatlantik edhe falë mbeshtetjes së Shqipërisë.Është më pranë nismave rajonale edhe falë mbeshtetjes së Shqipërisë”, ka thënë ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati.
Bashkim SHALA
Tiranë, 01 qershor- Në planin e integrimeve euroatlantike dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë bërë hapa të mëdhenj, ka thënë ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.Në intervistën për “Kohën Ditore”, një ditë para takimit të përbashkët të dy qeverive, Bushati ka përmendur edhe shumë procese tjera të rëndësishme që janë vënë në jetë pas marrëveshjeve të arritura në takimet e mëparshme. Ka përmendur klimën e favorshme për ndërmarrjet tregtare dhe prodhuese, procedurat për terminal të përbashkët doganor, mbrojtjen e investimeve, zhvillimin e turizmit në të dyja anët e kufirit, integrimin e sistemit energjetik, si dhe lëvizjen e mallrave e të njerëzve, me shpresën që kjo të dinamizohet nëpërmjet përmirësimit edhe të komunikimit hekurudhor dhe ajror. Bushati ka folur edhe për proceset e integrimit të Kosovës në nismat rajonale deri ta hapat e parë drejt anëtarësimit në BE, për bisedimet me Serbinë, por dhe për marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi. Po ashtu ka përmendur rolin që Shqipëria ka luajtur në këto procese dhe insistimin e saj që marrëdhënia e Kosovës me NATO-n të institucionalizohet.
Koha Ditore: Zoti Ministër. Janë bërë më shumë se 14 muaj që nga mbledhja e përbashkët e mbajtur në Tiranë. Me çfarë bilanci shkoni në mbledhjen e Prishtinës me 03 qershor?
Bushati: Bilanci është pozitiv sepse ka të bëjë me një bashkëpunim të perditshem ndermjet dy qeverive por edhe institucioneve të Shqiperisë e Kosoves. Në planin politik mund të thuhet që Kosova është më pranë proceseve të integrimit euro-atlantik edhe falë mbeshtetjes së Shqiperisë. Është më pranë nismave rajonale edhe falë mbeshtetjes së Shqipërisë. Ka një bashkerendim të mirë persa i perket pozicionimit të Shqipërisë dhe Kosoves në perputhje me aspiratat euroatlantike të kombit shqiptar. Gjithashtu edhe në planin ekonomik janë bërë disa hapa perpara ku të dyja vendet janë të angazhuara të nxisin bashkëpunimin ekonomik e tregtar si dhe të iniciojnë projekte me interes të përbashkët ekonomik dhe shoqëror, duke synuar ecjen në të njëjtën linjë të zhvillimit ekonomik.Shqipëria dhe Kosova kanë intensifikuar nivelin e tregtisë me njëra tjetrën.Nderkohë bashkëpunim intensiv dhe krijimi i një klime të favorshme për sipërmarrjet në të dy vendet mbetet si objektiv madhor i dy qeverive të vendeve tona, shoqëruar kjo edhe me arritjen e një numri marrëveshjesh, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e një ambienti të favorshëm ne klimën e biznesit. Në kuadër të marrëveshjes “Për bashkëpunimin në nxitjen dhe lehtësimin e Tregtisë” nënshkruar më 11 Janar 2014, në Prizren, janë hedhur hapa konkrete për harmonizimin e akcizave, unifikimin e çmimeve të referencës për transportet, janë njehsuar rreth 20 çertifikata midis insititucioneve përkatëse, janë hartuar proçedurat për terminalin e përbashkët doganor, është krijuar koridori i gjelbër për eksport/importin e produkteve sezonale bujqësore si dhe janë harmonizuar çmimet e referencës për produktet fruta/perime.Kemi nënshkruar edhe “Marrëveshjen për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve”.Nderkohë që mbetemi ne mënyrë konstante te angazhuar në promovimin e produkteve kombëtare në trevat shqiptare, rajonale dhe evropiane, në bashkëpunimin në fushën e turizmit, kombinimi i turizmit malor të Kosovës me atë bregdetar që ofron Shqipëria, si dhe nxitjen, shkëmbimin e informacioneve dhe përvojave në kuadër të hartimit të politikave për zhvillimin e SME-ve për nxitjen e eksporteve/importeve dhe organizimi i panaireve të përbashkëta të tregtisë. Nga të dhënat e regjistrit tregtar, prill 2016, rezulton se janë regjistruar dhe ushtrojnë aktivitet ne Shqipëri, 763 subjekte nga Kosova të përqendruar në fushat: industri përpunuese; tregti; riparim i automobilave dhe artikujve shtëpiakë; hoteleri dhe restorante; shërbime kolektive, sociale dhe personale; transport dhe telekomunikacion; ndërtim. Biznesi nga Shqipëria është prezent në Kosovë dhe vlerësohet që rreth 10 kompani, nga Shqipëria në Kosovë, përbëjnë 98,9% të kapitalit të të gjitha ndërmarrjeve të regjistruara në vend.Nderkohë që lëvizja e lirë e njerëzve dhe procedurat e thjeshtëzuara në pikat kufitare ka ndikuar edhe në numrin e vizitorëve nga Kosova. Përgjatë viteve ky numër ka qenë në nivele të larta dhe nga viti 2014 në vitin 2015 numri i tyre është rritur me 22%, ose në shifër absolute nga 1.379.200 në 1.682.000.Kemi nënshkruar Memorandumin e mirëkuptimit “Për themelimin e Tregut të Përbashkët të Energjisë Elektrike” dhe është hartuar një “Road Map” për integrimin e Tregjeve të të dy vendeve, si dhe janë nënshkruar disa marrëveshje rregulluese sekondare ne fushën e energjisë. Në vijim është ndërtuar linja e interkonjeksionit 400 kilovolt, e cila ka përfunduar dhe inauguruar nga pjesa e Kosovës dhe pritet përfundimi dhe inaugurimi i saj në pjesën shqiptare në fund të muajit qershor 2016. Në planin afatgjatë është ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 110 kilovolt Kabash/Kukës-Prizren, Koridori i gazit/TAP, si dhe dy projektet e inicuara nga BE, të drejtuara dhe monitoruara nga Komisioneri Hahn, në kuadrin WB6, Koridoret transportuese të Energjisë si dhe Rrugët e tranzitimit të Energjisë. Bashkëpunimi energjetik midis Kosovës dhe Shqipërisë është me interes për të siguruar furnizimin e rregullt me energji për të dy vendet. Shqipëria dhe Kosova kanë demonstruar vullnetin e plotë politik që të shkohet në konkretizimin e marrëveshjes së nënshkruar për krijimin e tregut të përbashkët energjetik. Ndersa hapja e zyrës së Fondit Shqiptar të Zhvillimit në Gjakovë përbën një arritje dhe një vullnet të përbashkët për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe zhvillimin e zonave ndërkufitare. Tashmë janë përcaktuar projektet që do ti shërbejnë pikërisht këtyre zonave si: Krijimi e korridorit të gjelbër përgjatë lumit Drini i Bardhë, Rigjenerimi urban dhe tregtar në rajonin ndërkufitar. Në proçes është rruga Vërmicë/Kukës-Gjakovë. Pala kosovare e ka mbaruar pjesën e saj, ndërsa pjesa shqiptare parashikohet të mbarojë dhe inaugurohet së shpejti. Masterplani i Alpeve, projekt i mbështetur nga WBIF (Western Balkans Investment Framework) ka përfunduar të gjitha procedurat dhe është nënshkruar kontrata për zbatimin e tij. Rezultate të konsiderueshme dhe të prekshme janë arritur në bashkëpunimin e ndërsjelltë në fushën e sigurisë, parandalimin dhe luftën ndaj krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike dhe qenieve njerezore, kontrabandës së mallrave, parandalimit të kalimeve ilegale të kufirit. Nga strukturat përkatëse të të dy vendeve ka një bashkëpunim të frytshëm ndaj personave të dyshuar për pjesëmarrje në konfliktin te luftëtarëve te huaj ne konfliktet e Lindjes se Mesme.Një punë e konsiderueshme është bërë në drejtim të bashkëpunimit në fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor si dhe për Organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë. Në ecurinë e përbashkët të proceseve integruese euroatlantike është ngritur dhe funksionon një Komision i Përbashkët teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe si dhe për bashkëpunimin në fushën e përafrimit të legjislacionit. Në fushën ushtarake Shqipëria i kushton një vëmendje parësore ndertimit te një marrëdhënieje të institucionalizuar te NATO-s me Kosovën, ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj, në të gjithë territorin. Ne mbështesim synimin e Kosovës për transformimin e FSK-së në FAK (Forcat e Armatosura të Kosovës), në bashkëpunim të ngushtë dhe mirëkuptim të NATO-s. Arritje konkrete ka edhe në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Ka përfunduar unifikimi i standarteve të cilësisë dhe sigurisë së drithrave dhe miellit, unifikimi i legjislacionit në lidhje me standartin e vezëve, cigareve, etj. Tashmë njihen në mënyrë reciproke analizat e produkteve ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe produkteve të mbrojtjes së bimeve nga institucioneve homologe. Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që do të mbahet me 3 qershor, do të nënshkruhen marrëveshje mjaft të rëndësishme në drejtim të unifikimit të tregjeve, lehtësimit dhe krijimit të proçedurave unike për eksport/importet, njohjen reciproke të çertifikatave dhe liçencave të lëshuara nga autoritetet e shteteve përkatëse, funksionimin e kanalit të gjelbërt për kalimin e produkteve të freskëta, krijimin e një zyre të përbashkët doganore.Në funksion të ndërlidhjes dhe lëvizjes së lirë mallrave dhe njerzëve ka nisur puna për studimin e fizibilitetit për hekurudhën e përbashkët, me financimin e BE-së si dhe po shikohet mundësia e rivendosjes së linjës ajrore Tiranë-Prishtinë-Tiranë. Po keshtu aktivitetet e karakterit kulturor, apo promovimit të vlerave kulturore shqiptare kanë qenë konstante e bashkëpunimit ndermjet Shqipërisë e Kosoves.
Koha Ditore: Qeveria shqiptare ka përcaktuar Kosovën si partnerin e saj Strategjik. Në bazë të shifrave të INSTAT, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë për vitin 2015 mallra me vlerë 150 mln Euro, duke e renditur Kosovën si partneri i dytë tregtar pas Italisë me rreth 887 mln Euro. Ndërkohë që Kosova ka eksportuar në Shqipëri rreth 39 mln Euro ose 3.82 herë më pak. Pse ky disnivel mes dy vendeve?
Bushati: Shqipëria tashmë zë vendin e parë në portofolin e eksporteve në Kosovë. Me nënshkrimin e Protokollit në zbatim të Marrëveshjes për nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë është bërë një hap i madh përpara në nxitjen e një tregu të hapur dhe pa barriera burokratike. Për herë të parë Kosova gjatë vitit 2015 është renditur e dyta, pas Italisë, në eksportet shqiptare. Kjo si rezultat i kombinimit të vullnetit politik, kuadrit ligjor, përmirsimit të infrastrukturës lidhëse midis dy vendeve tona, masave lehtësuese koordinuese dhe mbështetëse, zgjidhja në kohë reale të problemeve dhe të situatave të ndodhura në kufijtë mes dy vendeve tona. Në lidhje me disbalancën e shkëmbimeve tregtare me Kosovën nuk do ta shihja si një raport konkrrueshmerie por do te beja thirrje për një pune ne drejtim te ngushtimit te hendekut. Besoj se edhe për konsumatorët e Kosovës është me komode te blejnë produkte shqiptare sesa te ndonjë vendi tjetër.
Koha Ditore: Zoti Ministër. Muaji maj ka qenë një muaj fatlum për Kosovën. Pranimi në EUFA dhe FIFA dhe rekomandimi i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave kanë qenë tre gëzime për një javë. Por rekomandimi i KE-së për vizat është kushtëzuar me ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për shënjimin e vijës kufitare. Ndërkohë, përfaqësuesit e partive opozitare e kanë quajtur këtë kusht si gabim dhe kanë ritheksuar vendosmërinë e tyre për ta kundërshtuar këtë marrëveshje. A po riciklohet sërish konflikti politik në Kosovë dhe cili është qendrimi i Tiranës zyrtare?
Bushati: Në fakt unë do thoja se arritja më e madhe për Kosovën ishte nënshkrimi i marrëveshjes së parë kontraktuale Kosovë-BE, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe hyrja në fuqi e saj, më 1 prill 2016. Kjo marrëveshje hap një fazë të re në marrëdhëniet BE-së në Kosovë dhe paraqet një kontribut të rëndësishëm të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit demokratik në Kosovë dhe në rajon në përgjithësi. Kjo marrëveshje përbën një moment historik për Kosovën dhe do të kontribuojë në rrugën e reformave, forcimit te lidhjeve te Kosovës me BE-ne, tregtisë dhe investimeve në vend. Ndersa pranimi në UEFA dhe FIFA si dhe rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave tregojnë edhe njëherë qartë për kursin evropian të Kosovës si procese normale drejt integrimit te plote ne te gjitha strukturat dhe nivelet euroatlantik. Persa i perket çeshtjes së ratifikimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për shënjimin e vijës kufitare, kjo është një çeshtje që i takon më shumë Kosoves dhe Malit të Zi. Kosova tradicionalisht ka mbrojtur pikëpamjen që me gjithë fqinjet e saj i ka zgjidhur të gjitha çeshtjet me perjashtim të Serbisë. Mali i Zi nga ana tjetër ka qenë një mbeshtetës i aspiratave të Kosoves per pjesmarrje në Nismat Rajonale, evropiane dhe nderkombetare. Nga ana tjeter ne besojmë fuqimisht që Kosova do të permbyllë të gjitha kriteret në mënyrë që procesi i liberalizimit të vizave të finalizohet. Ka një propozim të Komisionit Evropian dhe tashmë është fjala per vendet anetare dhe Parlamentin Evropian për të mbeshtetur kete propozim të Komisionit Europian. Nuk deshiroj të hyj në meritën e çeshtjes përsa i perket përcaktimit të vijes kufitare, por mendoj që racionaliteti dhe logjika e ftohtë duhet të jenë motor i veprimtarisë së kryesore edhe në raport me fqinjët persa i perket Kosoves.
Koha Ditore: Zoti Ministër. Ka një ngecje të dialogut Kosovë-Serbi, ku palët kanë katër muaj që nuk janë takuar. Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar rishikimin e formatit të bisedimeve me Serbinë për shkak të pengesave, sipas tyre që Beogradi po i shkakton Prishtinës, në proçeset integruese dhe për shkak të moszbatimit të disa marrëveshjeve të arritura (prefiksi telefonik dhe pavarsia e sistemit të transmetimit të energjisë). Ndërkohë që zbatimi i marrëveshjeve në përgjithësi, por sidomos ajo për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe vazhdon të mbetet një sfidë. Cili është qendrimi i Tiranës zyrtare për vazhdimin e dialogut?
Bushati: Qëndrimi ynë është i qartë si kristali. Jemi pro procesit të dialogut që ndermjetësohet nga perfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini, ndermjet Serbisë dhe Kosoves. Besoj se procesi i normalizimit të maredhenieve ndermjet dy vendeve do të shoqërohet me procesin e pajtimit. Natyrisht niveli i zbatimit të detyrimeve të ndermarra nga Serbia në dialog është i ulet. Ne nxisim qeverinë serbe por të gjithë partnerët nderkombetarë për të punuar me autoritetet serbe në zbatim të detyrimeve që janë ndermarrë në kete proces. Mendoj se është e një rendesie jetike që energjitë të perqendrohen fillimisht tek zbatimi i angazhimeve të ndermarra në këtë proces nga pala serbe. Ky zbatim do të kishte efekte të menjëhershme praktike tek qytetarët e Kosoves, por do kishte efektet e tij mendoj pozitive në të gjithë klimen në rajon. Ky është një proces që jeton mbi bazat e besimit dhe persa kohë besimi mbahet gjallë, veçse permes zbatimit të ketyre detyrimeve. Natyrisht është një proces i cili mund të ketë disa dallgë dhe disa valë për të shkuar nga çeshtjet e karakterit teknik deri te çeshtjet e karakterit edhe më politik e per të perfunduar me njohjen e ndersjellta të Serbisë e Kosovës si anetare në familjen evropiane. Megjithatë, në vështrimin tim, nuk do të thoja se ka ngecje të dialogut Kosovë-Serbi. Në të dy vendet ka pasur ngjarje, të cilat, objektivisht, kanë ndikuar në ecurinë normale të bisedimeve. Zgjedhjet në Serbi dhe zgjedhja e Presidentit të vendit në Kosovë, ishin procese objektive dhe të pashmangshme. Ndersa në selinë e Bashkimit Evropian, në Bruksel, po punohet që të mbahet raundi i ri dialogut në nivelin më të lartë politik Beograd–Prishtinë. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini, është në kontakt me të dy palët në mënyrë që të arrihen hapa që do të çojnë drejt implementimit të marrëveshjeve të arritur. Nga Serbia kërkohet që të bëjë maksimumin për respektimin e këtyre marrëveshjeve, të mos pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat rajonale dhe të inkurajojë komunitetin serb në Kosovë që të marrë pjesë në institucionet legjitime të Kosovës.
Koha Ditore: Përpos sukseseve të pamohueshme për anëtarësimin në Nismat rajonale, ende kemi disa organizata që ende nuk e njohin Kosovën, si psh. CEFTA, që e konsideron ende Kosovën me UNMIK? Çfarë po bëhet për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe në OSBE? Po për njohjet e reja?
Bushati: Persa na perket ne si Shqipëri mund t’ju them që jemi në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Kosoves per të rakorduar të gjitha ligjet si persa i perket antarësimit në KiE dhe antarësimit në organizata tjera dhe rezultatet janë të prekshme. Pranimi i Kosovës në SEECP, në MARRI dhe në RACVIAC, në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC), pjesëmarrja e saj në të gjitha aktivitetet që zhvillohen në kuadër të Ballkanit Perëndimor, të Procesit të Berlinit, të Fondit të Ballkanit Perëndimor, etj, janë rezultate të rëndësishme, që kanë ndihmuar në afirmimin e Kosovës si një subjekt politik në rajon e më gjerë.Shqipëria ka qenë dhe mbetet mbështetësia kryesore për këtë afirmim të Kosovës në marrëdhëniet shumëpalëshe rajonale, në kushtet kur ende ka një politikë bllokuese nga ana e Serbisë, por edhe të ndonjë vendi tjetër. (Moldavia, Bosnja etj). Bazuar në këto realitete të reja, përmes një koordinimi dhe bashkërendimi qëndrimesh ndërmjet MPJ-ve tona, po synojmë të avancohet më tej për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale ku aktualisht ka statusin e vëzhguesit apo të ftuarit, si dhe për të punësuar ekspertë nga Kosova në qëndrat rajonale.Shqipëria anëtarësimin e Kosovës, në Nismat Rajonale që veprojnë në Europën Jug lindore, e ka patur dhe e ka një nga synimet kryesore të politikës së saj. Për ne parimi i gjithë përfshirjes mbetet një nga shtyllat e këtij bashkëpunimi rajonal. Nuk mund të ketë diskutime të plota të çdo çështjeje rajonale, kur mungojnë përfaqësuesit e ligjshëm të një pjese integrale të rajonit. Nuk mund të flitet për hartim strategjish rajonale në çdo fushë, pa praninë e përfaqësuesve të Kosovës.Ashtu si anëtarësimi dhe pjesëmarrja e Kosovës në Nismat rajonale edhe anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare është dhe mbetet një nga veprimtaritë kryesore të politikës sonë të jashtme. Kosova, një vend me progresivitetet në njohjet ndërkombëtare, si në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, ashtu dhe në atë të bashkëpunimit shumëpalësh, është tashmë një realitet i prekshëm në proceset e saj të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Është e vërtetë se këto procese nuk janë të lehta, për shkak se ka ende vende, që për arsye nga më të ndryshmet, kërkojnë ta pengojnë Kosovën të bëhet pjesë e organizatave dhe angazhimeve ndërkombëtare.Diplomacia shqiptare, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me diplomacinë aktive të vendeve partnere, ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.Këshilli i Evropës apo OSBE janë destinacione të ardhshme të këtij anëtarësimi. Nuk është e lehtë, mbasi vendimet në këto organizata merren me konsensus, por puna jonë e përbashkët dhe me partneret tanë ka filluar në këtë drejtim. Procesi i njohjes së Kosovës ka treguar se shteti i Kosovës është një realitet i pandryshueshëm dhe një faktor i domosdoshëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon. Deri tani 111 shtete e kanë njohur Republikën e Kosovës. Shumica e vendeve anëtare të BE-së (23 nga 28) dhe 24 anëtarë të NATO-s nga 28 që janë aktualisht. Ndersa lidhur me CEFTA-n, duhet sqaruar se situata ka evoluar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. U krijuan të gjitha premisat që Kosova të fillojë të evidentohet si shtet i ri edhe pse nuk duhet harruar se brenda CEFTA-s ka 3 shtete që ende nuk e njohin; Moldavia, Bosnja-Hercegovina dhe Serbia.
Koha Ditore: Diplomacia e Kosovës është një diplomaci e re, me një histori të shkurtër 7 vjeçare. Vlerësimi juaj për diplomacinë kosovare? A keni parashikuar ju si dikaster një bashkëpunim bilateral mes Kosovës dhe Shqipërisë në sektorin e marrëdhënieve me jashtë që do të dakordonit në takimin e 3 qershorit në Prishtinë?
Bushati: Kjo është një nder elementët kryesorë të partneritetit strategjik ndermjet Shqipërisë e Kosoves. Arritjet e deritanishme janë padyshim një meritë e diplomacisë proaktive dhe dinamike të Kosovës. Padyshim, që bashkëpunimi dypalësh midis dy dikastereve ekziston dhe tashmë ai është konkretizuar në hapa konkrete, në kuadër të partneritetit strategjik dhe si një faze e re e bashkëpunimit midis dy vendeve. Tashmë ekziston një Konsullatë e përbashkët në Milano dhe së shpejti pritet të konkretizohet një tjetër në Mynih të Gjermanisë ku synojmë që të jemi bashkë sidomos diasporë dhe të pergjigjemi së bashku sfidave me të cilat perballet diaspora jonë persa i perket ruajtjes dhe promovimit të vlerave kulturore.Kemi gjithashtu një qender kulturore të perbashket në Ankara.Viti i perbashkët kulturor që behet ndermjet Shqipërisë e Kosoves ka efekte gjithashtu pozitive edhe persa i perket sherbimit diplomatik të Shqipërisë dhe Kosoves dhe natyrisht në të gjitha instancat ku ulemi së bashku dhe kemi sinkronizim të pikëpamjeve dhe të veprimeve.Pra ka një bashkëveprim të plotë në këtë drejtim
Koha Ditore: A janë të mjaftueshme angazhimet e diplomacisë apo qeverisë shqiptare për shqiptarët në Preshevë?. A mendoni se duhet bërë më shumë për ta, duke i mbështetur konkretisht në shumë fusha?. A do të diskutohet në mbledhjen e përbashkët gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës?
Bushati: Se pari me duhet të them se gjithmonë ka vend për të bërë më shumë si për qytetarët shqiptare që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve. Qeveria shqiptare ka një angazhim të palëkundur në mbështetje të faktorit shqiptar dhe të gjithë shqiptarëve në rajon. Diplomacia jonë është thellësisht e përkushtuar në ndihmë të shqiptarëve të Preshevës, si në arritjen e konsolidimin të drejtave të tyre legjitime në Serbi ashtu edhe nëpërmjet programeve të ndryshme të ndihmës. E them me modesti që ne jemi qeveria e parë që në programin tonë të politikës jashtme përcaktuam disa vija si persa i perket partneritetit strategjik me Kosoven, por edhe persa i perket raportit tonë me shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Në mbledhjen e parë të perbashkët kemi jetësuar një angazhim persa i perket maternitetit në Preshevë. Dua të permend ketu edhe bursat e përvitshme të studimeve që janë të përcaktuara për studentët shqiptar nga Presheva, të cilët vijnë e studiojnë në Shqipëri.Sigurisht, më shumë mund të bëhet dhe më shumë do të bëhet në të ardhmen. Ne vazhdojmë të jemi pranë faktorit politik shqiptar në Preshevë duke e nxitur atë të gjejë emëruesin e përbashkët në të mirë të interesit të shqiptarëve atje. Jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe kemi bashkëpunim edhe me shoqërinë civile aty duke dëgjuar shqetësimet e tyre e duke i dhënë më shumë zë në arenën lokale e ndërkombëtare. Mund tju them që edhe në mbledhjen e tretë, të 3 qershorit në Prishtinë ,do të kemi gjithashtu një diskutim për gjendjen e shqiptarëve në Luginen e Presheves së bashku me qeverinë e Kosoves.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Adresa: Bulevardi ‘Gjergj Fishta’, Nr 6. Tiranë
Për informacione konsullore, probleme të qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, kontaktoni në:
Tel: +355 (0) 42340358
Mund të kontaktoni:
E Hënë – E Enjte 08.00 – 16.30
E Premte 08.00 – 14.00
E-mail: DK@mfa.gov.al