Postuar më: 01 Prill 2021

Dorëzimi i pasaportave diplomatike/ Ministrja Xhaçka: Ekipi i kombëtares do ketë gjithmonë mirënjohjen e shqiptarëve

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka reaguar lidhur me bujën që u bë në media, për dorëzimin e pasaportave diplomatike nga ekipi i kombëtares shqiptare që përfaqësuan Shqipërinë në “Europianin 2016”. 

Ministrja Xhaçka sqaroi se vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron njësoj si vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti.

“Ajo që nuk ka mbaruar e s’do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares, që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në “Europianin 2016”, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë”, u shpreh kryediplomatja. 

Ministrja Xhaçka theksoi se djemtë e kombëtares duhet të dorëzojnë sipas rregullave, deri më datë 30 qershor pasaportat diplomatike të përfituara në atë kohë.