Postuar më: 02 Shtator 2021

Ministrja Xhaçka pret homologun danez: Mbështetja e Danimarkës, provë e qartë e progresit të Shqipërisë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Znj. Olta Xhaçka, priti sot në një takim në Tiranë Ministrin e Jashtëm danez, Z. Jeppe Kofod, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri.
 
Në një deklaratë për shtypin pas takimit, Ministrja Xhaçka vlerësoi mbështetjen që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE. 
 
Ajo u shpreh se Danimarka ka qenë një nga gjyqtaret më të rrepta e më kërkuese në lidhje me progresin e Shqipërisë dhe se mbështetja e saj është provë e qartë se progresi i bërë ka qenë i prekshëm dhe bindës. 

“Ne patëm rastin të bisedojmë nga afër për gjithçka kemi bërë, por edhe për kushtet e vështira në të cilat është bërë kjo punë vërtet e madhe për përmbushjen e çdo kërkese të BE-së. Pata rastin të shpreh pritshmëritë e larta që ne kemi nga mbledhja e radhës e Këshillit të BE-së, si një vend që tanimë e meriton dhe është plotësisht i gatshëm për miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, u shpreh ministrja në deklaratën e saj pas takimit me homologun danez.  
 
Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohje për kontributin e qeverisë daneze për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019 dhe në luftën ndaj pandemisë. Ajo garantoi bashkëpunim me Danimarkën në fushën e mbrojtjes së të drejtave të grave dhe çështje të klimës gjatë mbajtjes së anëtarit të përkohshëm në Këshillit e Sigurimit të OKB, vend të cilin Danimarka synon ta marrë në vitet 2025 – 2026.

Kjo është vizita e parë e një Ministri të Jashtëm danez në Shqipëri, që pas vizitës së Per Stiger Moller 15 vite më parë.