Postuar më: 07 Shtator 2021

Operacioni humanitar për strehimin e qytetarëve afganë, ministrja Xhaçka: Do kujdesemi edhe për arsimimin

Në një prononcim për emisionin “Open”,  në Top Channel me gazetaren Eni Vasili, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi se Shqipëria ka mirëpritur deri tani rreth 700 qytetarë afganë, fale një operacioni humanitar me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare.

“Situata që u krijua në Afganistan me tërheqjen e trupave të SHBA dhe NATO, nuk është se na gjeti të papërgatitur. Ndoshta për shkak të eksperiencës që ne vetë kemi kaluar nën një regjim totalitar, ndoshta sepse rajoni ynë i ka të freskëta kujtimet e luftërave e trazirave, ne ishim të ndërgjegjshëm që tërheqja dhe ardhja në pushtet e talibanëve do të krijonte një situatë tragjike për të gjithë ata që bashkëpunuan me ne, me NATO, për gati 20 vjet dhe që besuan tek vizioni i një Afganistani demokratik. Ishte në fakt, kryeministri Rama ai që e ngriti i pari këtë shqetësim në samitin e fundit të NATO. Nuk kishte për ne asnjë dyshim që ky do të ishte një problem, që ne kishim një përgjegjësi ndaj këtyre qytetarëve afganë që ishin aleatët tanë dhe që duhej bërë diçka”, tha ministrja Xhaçka.

Sipas saj janë rreth 20 organizata ndërkombëtare të angazhuara në këtë operacion humanitar, të cilat po mbulojnë trajtimin financiar të qytetarëve afganë. 

 “Nuk është Shqipëria ajo që mban faturën, duke ja hequr popullit shqiptar dhe duke ja dhënë popullit afgan. Patjetër që vendi ynë ka marrë përsipër këtë koordinim me partnerët, që të ofrojë edhe një pjesë të shërbimeve të sigurisë, të shëndetësisë dhe ndoshta edhe të arsimit”, u shpreh ministrja gjatë intervistës.

Sipas ligjit “Për azilin” në Republikën e Shqipërisë, qytetarët afganë që janë strehuar apo do të strehohen në vijim në Shqipëri kërkojnë mbrojtje të përkohshme, status për të cilin procedurat mund të zgjasin deri në një vit. Gjatë kësaj periudhe po punohet për një projekt konkret të arsimimit apo trajtimit social të këtyre qytetarëve.