Postuar më: 07 Korrik 2021

Pritje zyrtare me rastin e zgjedhjes së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB

Pak ditë pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, ku Shqipëria mori 175 vota si anëtare e Këshillit të Sigurimit për dy vitet e ardhshme, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka organizoi një pritje zyrtare në Pallatin e Brigadave, ku morën pjesë kryeministri Rama, anëtarë të kabinetit qeveritar, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, akademikë, ish ministra të jashtëm dhe përfaqësues të medias. 

Kryeministri Rama tha se zgjedhja e Shqipërisë në KS është një arritje domethënëse edhe për vetë Ballkanin Perëndimor, teksa theksoi se kjo është një mundësi e mirë që Shqipëria të bëjë më shumë për veten, të tjerët dhe sidomos për rajonin. 

Ministrja Xhaçka i shprehu mirënjohjen diplomatëve dhe përfaqësuesve të shërbimit të jashtëm shqiptar për këtë arritje, si dhe falënderoi përfaqësuesit e Grupit të Evropës Lindore në OKB, për mundësinë që i dhanë Shqipërisë. 

Sipas kryediplomates shqiptare, mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët, për të çuar përpara interesat kombëtare.

“Ne shihemi sot si një vend serioz, si një vend që kontribuon për sigurinë, paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë. Ne shihemi sot si një vend që ka pjekurinë dhe kapacitetet e duhura për të kontribuar në diskutimet për çështjet më të mprehta që shqetësojnë sot botën, në forumin më të lartë që ka në botë.  Ne shkojmë në Këshillin e Sigurimit me një agjendë të qartë prioritetesh. Sigurisht që shkojmë në Këshillin e Sigurimit me këmbë në tokë, të vetëdijshëm për mundësitë modeste që ka një vend i përmasave të Shqipërisë për të ndikuar politikat globale. Por ama, shkojmë atje me një besim të madh tek fuqia e ideve dhe tek fuqia e modelit që përfaqëson sot Shqipëria. Jam e bindur se do t’ia dalim që ta kthejmë mandatin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në një histori suksesi e burim krenarie për të gjithë shqiptarët”, u shpreh ministrja në fjalën e saj.

Zyrtarisht më 1 janar 2021 Shqipëria merr vendin e saj në Këshillit e Sigurimit të OKB, ku vendi ynë do të përfaqësohet nga një ekip ekspertësh, një pjesë e të cilëve të përzgjedhur pas aplikimit publik për të qenë pjesë e ekipit.