Postuar më: 12 Tetor 2021

Takimi me Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Shtypit, Xhaçka: Liria e shprehjes, gurthemel për demokracinë shqiptare

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Shtypit, Teresa Ribeiro, e cila ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në Konferencën për Shtypin në Evropën Jug-Lindore, “Gazetaria në kohë krize”. 

Ministrja Xhaçka u shpreh se Shqipëria ka dhënë kontributin e saj si brenda vendit, ashtu dhe në rrafshin e OSBE-së, gjatë periudhës së drejtimit të organizatës në vitin 2020, për të forcuar “pushtetin e katërt”, lirinë e shprehjes dhe të mendimit, duke mbrojtur gazetarët dhe përfaqësuesit e medias. 

Kryediplomatja shqiptare theksoi se Shqipëria është anëtare krenare dhe aktive e grupit të miqve për sigurinë e gazetarëve në Nju Jork, Gjenevë, Vjenë dhe Paris dhe punon ngushtësisht me vendet e njëmendta, në mbështetje të gazetarëve, të cilët rrezikojnë jetën e tyre në shërbim të publikut të gjerë, për shtypin e lirë, të pavarur dhe të larmishëm.