Postuar më: 10 Korrik 2021

Xhaçka në Forumin e Dubrovnikut: Kostoja e izolimit të Ballkanit Perëndimor, më e lartë se kostoja e integrimit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në Forumin e Dubrovnikut “Gjeopolitika Post-Pandemike: Së bashku në një botë veçmas”. 

Në panelin “Komuniteti Ndërkombëtar dhe Ballkani Perëndimor: Si t’i japim fund karantinës”, Ministrja Xhaçka nënvizoi rëndësinë e reformave të ndërmarra në Shqipëri, si pjesë e proceseve integruese dhe transformuese, ndërsa e krahasoi karantinën e popujve për shkak të pandemisë, me karantinën izoluese të vendeve të Ballkanit Perëndimor për shkak të mosmarrjes së një vendimi për zgjerimin nga BE. 

Sipas saj, BE duhet të jetë e vetëdijshme se kostoja e izolimit të Ballkanit Perëndimor është shumë herë më e lartë se kostoja e integrimit.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e merituan të merrnin një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Pavarësisht se u premtua kjo datë nuk u dha e nuk dihet ende se kur kjo konferencë mund të mbahet. Megjithatë ne nuk jemi të demovituar. Përkundrazi, ekziston një motiv i përbashkët midis vendeve të rajonit tonë për të mos ju dorëzuar karantinës së integrimit, por për të punuar së bashku, me synimin e qartë të ndërtimit të Evropës brenda hapësirës sonë të përbashkët”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Në panel merrnin pjesë përfaqësuesi i lartë i BE, Joseph Borrel dhe ministra të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.