Postuar më: 23 Korrik 2021

Xhaçka në takimin e ministrave të Çështjeve Evropiane: Ballkani Perëndimor nuk duhet izoluar, BE të mbajë premtimin e bërë ndaj Shqipërisë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin jozyrtar të ministrave të Çështjeve Evropiane me temë “Drejt një BE-je më rezistente pas krizës së COVID-19” që u mbajt në Slloveni. 

Ministrja Xhaçka vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, teksa theksoi se BE duhet të dërgojë një mesazh angazhimi për rajonin e Ballkanit Perëndimor duke ofruar një qasje më strategjike ndaj tij.

Kryediplomatja shqiptare nënvizoi se kostoja e izolimit të Ballkanit Perëndimor është shumë herë më e lartë se kostoja e integrimit të tij. 

“Kur bëhet fjalë për rreziqet që kërcënojnë shoqëritë tona, Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet si i ndarë nga BE. Ne jemi një enklavë brenda trupit të BE-së. Çdo gjë që ndodh në këtë enklavë do të ketë pasoja për BE-në. Pandemia ishte një provë më shumë e nevojës urgjente që Ballkani Perëndimor dhe BE të punojnë së bashku gjithnjë e më ngushtë. Unë po flas për procesin e integrimit natyrisht, ku shpresoj se BE do të gjejë një mënyrë për të mbajtur premtimin e saj për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, u shpreh ministrja në fjalën e saj