Postuar më: 17 Shtator 2021

Xhaçka prezanton programin për politikën e jashtme: Prioritet kryesor, avancimi i Shqipërisë në procesin e integrimit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka prezantuar këtë të enjte në Kuvend programin e MEPJ për politikën e jashtme. 

Ministrja Xhaçka u shpreh se do të vijojë konsolidimi i Shqipërisë si faktor kyç për paqen e stabilitetin në rajon, ndërsa theksoi se marrëdhënia me SHBA mbetet gur themeli në politikën e jashtme shqiptare. 

Sipas saj, fuqizimi i rrjetit konsullor, reformimi i procesit të rekrutimit në Shërbimin e Jashtëm dhe rikonceptimi i Akademisë Diplomatike, janë vetëm disa nga prioritet kryesore të axhendës së MEPJ. 

“Avancimi i Shqipërisë në procesin e integrimit, fuqizimi i marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsolidimi i pozicionit të Shqipërisë si një aktor me rëndësi të posaçme në rajon, mandati ynë në Këshillin e Sigurimit dhe zgjerimi i rrjetit tonë diplomatik veçanërisht në kontinentin afrikan ku sot ka një numër shumë të ulët njohjesh të pavarësisë së Kosovës, janë të gjithë elementë që do të na mundësojnë të punojmë akoma më fort dhe të bëjmë akoma më shumë për vëllezërit tanë në kosovarë. Një vëmendje të veçantë do të marrin edhe bashkëatdhetarët tanë nëpër botë, ku fokusi kryesor i punës do të jetë së pari në zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe planit të veprimit 2021 – 2025 dhe së dyti në hartimin e Atlasit Gjeografik dhe Demografik të Diasporës dhe ndërtimin e rrjeteve të mirëfillta të organizatave apo shoqatave kudo në botë”, tha ministrja gjatë fjalës së saj.